Lajme nga vendi
Revizioni konstaton shkelje të shumta tek N.P Pyjet shtetërore
Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizionin e raporteve financiare së bashku me revizionin e pajtueshmërisë të Ndërmarrjes Publike për menaxhimin me pyjet shtetërore. Në raport janë konstatuar gjendje, parregullsi dhe mos-harmonizim në punën e ndërmarrjes publike dhe për shkak të rëndësisë së tyre është shprehur opinion i pavolitshëm për realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2023 dhe për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura.
Mjetet biologjike nuk vlerësohen sipas vlerës së tyre objektive, përkatësisht nuk zvogëlohen ose zhvlerësohen për sipërfaqet që ndodhen brenda kufijve të Parkut Nacional të Sharrit dhe janë të rregulluara me plane të veçanta ekonomike pyjore, si dhe sipërfaqet e prekura nga zjarret pyjore në të cilat fondi pyjor është shkatërruar plotësisht.
Në fund të vitit 2023, Ndërmarrja publike ka deklaruar detyrime ndaj Buxhetit të Shtetit për riprodhim të zgjeruar në shumën prej 450.844 mijë denarë përkatësisht 7.307.000 euro, ndërsa për riprodhim të thjeshtë nuk është hapur llogari e veçantë dhe nuk janë paguar mjete në shumën prej 250.186 mijë denarë, përkatësisht 4.055.000 euro. Njëkohësisht ndërmarrja kërkon 164.275 mijë denarë, përkatësiht 2.662.000 euro nga shteti bazuar në pjesëmarrjen në aksionin “Dita e Drurit”.
“Nga revizioni i kryer kemi konstatuar se 95% ose 37.672 mijë denarë nga kërkesat ndaj të punësuarve, rrjedhin nga periudha para vitit 2018 dhe kanë të bëjnë me: mungesa të drurit teknik dhe drurit për ngrohje, avanse të pakthyera, qarkullim ditor të papaguar nga shitjet, shfrytëzimi i shërbimeve katering dhe të tjera. Për shkak të mosmarrjes së masave për arkëtimin e tyre dhe afatit të përgjithshëm të parashkrimit, ekziston pasiguri e madhe që shuma prej 36.460 mijë denarësh përkatësisht 590.920 euro (deri në 5 dhe mbi 5 vite) të mos arkëtohet”, thuhet në raport.zhurnal
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

