Lajme nga vendi
SULMUESI 24 VJEÇAR ATDHE MAZARI VESH FANELLËN KUQEZI
Atdhe Mazari është prurja më e re në ekipin e Shkëndijës. Ai është i huazuar për 1 vjet nga ekipi kroat NK Varazhdin. Debutimi i tij për ekipin tetovar mund të ndodhë të dielën kundër Arsimit të Çegranit
Klubi i futbollit Shkëndija vazhdon me kompletimin e ekipit me lojtar të ri gjatë këtij afati kalimtar. Kështu që nga dita e djeshme pjesë e ekipit kuqezi është sulmuesi 24 vjeçar Atdhe Mazari i cili i është produkt i moshave të reja të Shkëndijës, ku kaloi një periudhë, derisa përmes kalitjes në ekipe të ndryshme, ai mori përvojën e parë në kategorinë e sendorëve si në Struga Trim Lum, Ohri , Pobeda dhe Rabotniçki dhe së fundit edhe në NK Varazhdin prej ku edhe është huazuar deri më 30 qershor 2026. Pas arritjes së marrëveshjes me ekipin kuqezi Atdhe Mazari për kanalin zyrtar të klubit i emocionuar ka deklaruar
“Realisht ndjenja është mjaftë e bukur të jesh pjesë e Shkëndijës dhe është një privilegj i madh të jesh pjesë e këtij klubi që ka histori dhe traditë shumë të madhe, ku këtë e ka treguar në 10 vitet e fundit. Mendoj se jo rastësisht është ky sukses edhe në Europë, i cili është historik për Shkëndijën dhe për gjithë vendin tonë” deklaroi Atdhe Mazari
Mazari ka fatin që ekipit ti bashkëngjitet në momentin ku klubi ka të siguruar së paku fazën e grupeve në Konferencë Liga duke premtuar se do të jep maksimumin
“Sigurisht përgjegjësia është shumë më e madhe tani sepse nuk ka kohë shumë për të humbur. Shkëndija ka shumë ndeshje tani dhe tek të gjitha duhet të jepet maksimumi si në kampionat ashtu edhe në Europë.” tha Mazari
Përforcimi i kuqezive thotë se te skuadra kuqezi ka ardhur për dy qëllime titulli kampion dhe suksese në Europë.
“Patjetër se po, nuk diskutohet kjo gjë të kesh këtë mundësi të artë, pasi e dimë se sa herë mund të të vjen kjo mundësi dhe tani duhet të shfrytëzohet në maksimum dhe mendojë se të gjithë së bashku do të ia arrijmë qëllimit. Unë kam ardhur këtu për dy qëllime, e para është, titulli kampion të mbetet sërish në Tetovë dhe një sezon sa më të gjatë në Europë dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua dhe gjithë klubin” deklaroi Mazari
Mbetet dilema se Atdhe Mazari do të jetë përforcimi i fundit i ekipi apo do të sjellin edhe ndonjë futbollist tjetër cilësor ashtu siç flitet në opinion. Prurja më e re ekipit të Shkëndijës mund të debutoj në ndeshjen e javës së tretë të kampionatit të ri para tifozëve vendas kundër Arsimit të Çegranit
Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
Lajme nga vendi
Arlinda Hasani Sinani u zgjodh zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi Arlinda Hasani Sinanin në pozitën e re të zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, pas propozimit të dorëzuar nga kreu i BPM.
Arlinda Hasani Sinani vjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore me një përvojë të bujshme prej 22 vitesh në sektorin bankar, ku përgjatë karrierës së saj ka ushtruar funksione udhëheqëse në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.
Ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional si analiste krediti në ProCredit Bank, duke avancuar në pozita të larta drejtuese si drejtoreshë e ekspoziturës, e Qendrës së Biznesit dhe e Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa nga viti 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor në Stopanska Banka SH.A. Shkup.
Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfshirë në formimin e saj profesional trajnime të specializuara në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani merr zyrtarisht detyrën e re, duke pasuar në këtë post zëvendësguvernatorin e deritanishëm, Fadil Bajrami, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026.(INA)

