Lajme nga vendi
Toshkovski: Me projektin “Safe City”, telefoni ndalohet për këmbësorët dhe shoferët
Ministri Toshkovski njoftoi se me ndryshimet e ligjit për siguri në komunikacion për të vënë në funskion kamerat që do të shërbejnë për projektin “Safe City”, do të hyjë në fuqi ndalesa e përdorimit të telefonëve për këmbësorët dhe për të gjithë ata që drejtojnë mjete motorike gjatë lëvizjes.
“Hyn në fuqi ndalesa e përdorimit të mjeteve elektronike gjatë kohës kur drejtoni, biçikletë, moped, motor, trotinet, traktor dhe lloje të tjera të mjeteve motorike me përcaktim të gjobave adekuate. Ndalesë është paraparë edhe për këmbësorët gjatë ecjes, kalimit të rrugës po edhe gjatë lëvizjes në shteg të biçikletave në rast se përdorin pajisje telefonike, elektronike”, tha Toshkovski.
Toshkovski tha se “Safe City”, do të ndihmojë që qytetarët të ndihen më të sigurt në rrugë.
“Me këto ndryshime parashihet dokument të besueshëm për shkeljet e kryera në trafik. Përcaktimi i procesverbalit me urdhër-pagesë për kundërvajtje si dokument i vetëm, rregullimin e procesit për konstatim dhe dokumentim të shkeljeve në trafik me pajisje tenike dhe shumë të tjera”.
Projekti “Safe City” do të aplikohet nga janari i vitit 2026.
Lajme nga vendi
TOSHKOVSKI: UJI NË GOSTIVAR I SIGURT PËR PËRDORIM TEKNIK!
Vazhdon të mbetet në fuqi ndalesa për përdorimin e ujit të pijshëm në Gostivar. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se uji nga rrjeti i ujësjellësit mund të përdoret vetëm për nevoja teknike dhe nuk guxon të përdoret për pije apo për përgatitjen e ushqimit.
Sipas Toshkovskit, qytetarët e Gostivarit, ujin mund ta përdorin për për pastrim, larje dhe të gjitha nevojat e tjera shtëpiake, por jo edhe për pije apo për përgatitjen e ushqimit.
Të gjitha masat siç njoftoi Toshkovski në vijim do të merren në koordinim me Komunën dhe autoritetet lokale.
“Jemi në koordinim me Komunën për të gjitha masat që duhet të ndërmerren në vijim. Dua të shpreh personalisht mirënjohjen time, së pari ndaj qytetarëve të Gostivarit për mirëkuptimin e tyre, e më pas edhe ndaj të gjithë ekspertëve që ndihmuan të arrijmë në këtë fazë, ku uji mund të përdoret për nevoja teknike. Shpresoj që të gjithë përgjegjësit në kuadër të komunave ta marrin këtë si një mësim dhe të veprojnë me profesionalizëm maksimal, veçanërisht sa i përket cilësisë së ujit, sepse me shëndetin e qytetarëve nuk ka vend për lojëra”.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të vazhdojnë të përdorin ujë të ambalazhuar për pije, ndërsa Toshkovski theksoi se institucionet do të vazhdojnë pa ndërprerje furnizimin e popullatës me ujë të ambalazhuar.
Mes tjerash ai u përgjigj edhe për faktin se pse në këtë aksion në Gostivar nuk është kyçur edhe ushtria. Sipas Toshkovskit, nëse të gjitha institucionet veprojnë në bazë të kompetencave ligjore që I kanë, nuk do të kishim probleme të këtij lloji.
“Në kushte paqeje, nuk është punë e Ministrisë së Mbrojtjes të sigurojë ujë për pije. Kështu që të gjitha institucionet që janë përgjegjës që të kujdeset për sistemet e ujësjellësit në kuadër të komunave e ka për obligim që tië veprojnë në bazë të të gjitha kompetencave ligjore që i takojnë sipas rregullores dhe vlerësoj se nëse të gjithë e bëjnë punën që u takon në bazë të ligjit nuk do duhej të kemi probleme të këtij lloji që kemi sot”.
Autoritetet vijojnë hetimet lidhur me krizën e ujit të pijshëm në Gostivar, e cila nisi me rastet e para të helmimit më 14 korrik. Pas shpalljes së epidemisë më 19 korrik dhe rezultateve laboratorike që konstatuan ndotje bakteriale të ujit, Prokuroria hapi procedurë penale ndaj disa personave përgjegjës dhe në kuadër të hetimeve, është arrestuar edhe drejtoresha e ndërmarrjes përgjegjëse për furnizimin me ujë./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
“KOMUNALEC” GOSTIVAR: PROJEKTI I UJIT 98% ËSHTË REALIZUAR
Pas krizës së rëndë me ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar, e cila shkaktoi helmimin e qindra qytetarëve dhe ngriti pikëpyetje për funksionimin e sistemit të ujësjellësit, NP “Komunalec” Gostivar ka dalë me një sqarim publik lidhur me projektin “Furnizimi me ujë i Gostivarit II – SECO II”.
Nga ndërmarrja përmes një komunikate për medua thonë se, ditët e fundit në opinion janë ngritur dyshime për realizimin e projektit, sipas dokumentacionit që posedojnë, rreth 98 për qind e punimeve janë përfunduar dhe testuar, ndërsa për to ekzistojnë procesverbale teknike, raporte dhe videodokumentacion.
Sipas “Komunalecit të Gostivarit”, projekti është financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), ndërsa punimet janë realizuar nga kompani kontraktuese dhe jo nga vetë ndërmarrja publike.
Megjithatë, sistemi ende nuk është vënë plotësisht në funksion, pasi kanë mbetur të papërfunduara rreth 600 metra të trasesë, për të cilat, sipas ndërmarrjes, mungon pëlqimi i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Ata theksojnë se kërkesa për këtë miratim është dorëzuar rreth dy vite më parë, por ende nuk ka marrë përgjigje, duke e pamundësuar ligjërisht vazhdimin e punimeve në atë segment.
Nga NP “Komunalec” theksojnë se nuk i shmangen kontrollit institucional dhe janë të gatshëm t’u vënë në dispozicion organeve kompetente të gjithë dokumentacionin e projektit. Ata shtojnë se çdo dyshim për lëshime apo keqpërdorim të mjeteve duhet të verifikohet përmes procedurave ligjore dhe profesionale, me përcaktimin e përgjegjësisë për secilin subjekt të përfshirë.
Ndërmarrja apelon që debati publik, në një periudhë kur qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe siguri për furnizimin me ujë të pijshëm pas ngjarjeve të fundit, të bazohet në fakte të dokumentuara dhe në zgjidhjen e pengesave që kanë mbetur për funksionalizimin e plotë të sistemit.
Lajme nga vendi
Grevë e doganierëve grekë, priten kolona të gjata në pikat kufitare Bogorodicë dhe Dojran

