Lajme nga vendi
Ejakuze: Duhet të tregoni përparim drejt anëtarësimit në BE, nuk mjafton vetëm të miratohen ligje kundër korrupsionit
Partneriteti për Qeverisje të hapur u lançua në vitin 2011 dhe Maqedonia e Veriut iu bashkua qysh atëherë. Ai përfshin 74 qeveri kombëtare dhe mijëra partnerë të shoqërisë civile, dhe qëllimi është që qeveritë të jenë më transparente dhe të përgjegjshme për t’i shërbyer qytetarëve të tyre. Republika e Maqedonisë së Veriut është i vetmi vend në Evropë ku gjyqësori është i angazhuar drejtpërdrejt. Ky vit 2025 është një vit kyç për ju, ju po hyni në fazën e zbatimit dhe jeni në një moment vendimtar për të treguar përparim drejt pranimit në BE.
Kjo u tha sot nga Aidan Ejakuze, drejtor i Partneritetit për Qeverisje të Hapur, në seancën e qeverisë së hapur me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
“Qëllimi është të eliminohet korrupsioni dhe të sigurohet sundimi i ligjit. Në botë, besimi publik në qeveri është minuar, njerëzit nuk kanë besim. Kjo krijon frustrim dhe paqëndrueshmëri, por mund të rregullohet. Qeveria është një partner në zgjidhjen e problemeve dhe prioriteteve të tyre reale. Filipinet, Kolumbia, Kroacia janë vende që kanë rivendosur lidhjen midis qytetarëve dhe qeverisë, edhe RMV do t’i ndjekë këto mësime”, tha Ejakuze.
Ai shtoi se korrupsioni shterron burimet publike, shkatërron besimin në shtet dhe nuk mjafton vetëm të miratohen ligje kundër korrupsionit.
“Qeverisja e hapur ka vërtetuar se një qasje e tillë është e mundur, kompanitë mund të parandalohen nga fshehja e parave të fituara në mënyrë të paligjshme. Ne do t’ju mbështesim me ekspertizë, me ide, me lidhje mësimore, me dukshmëri në shkallë globale, në mënyrë që ky të jetë një vend që qytetarët do t’i besojnë”, tha ai.
Ministri i Administratës Publike Goran Minçev dhe kryeministri Hristijan Mickoski gjithashtu folën në takim. Minçev tha se ky takim dërgoi një mesazh vendosmërie për të vazhduar me reformat në luftën kundër korrupsionit, transformimin digjital dhe forcimin e demokracisë. Micoski, ndërkohë, në fjalimin e tij iu referua një skandali të dyshuar të përgjimit të paligjshëm.
“Procesi i afrimit me BE-në është një rrugë thelbësore transformuese. Qeveria e hapur është një mjet përmes të cilit ne zbatojmë në mënyrë efektive programin e qeverisë, fokusi i të cilit janë qytetarët dhe besimi i tyre në institucione”, tha kryeministri, por më pas shtoi se nuk mund ta injoronte kontekstin.
Sipas tij, ai, së bashku me gazetarët, median dhe biznesmenët, ishte viktimë e një sistemi që është “një sulm ndaj demokracisë, ndaj të drejtës së lirisë, ndaj themeleve të shtetit”. Kryeministri njoftoi se “do të ketë llogaridhënie dhe zgjidhje ligjore”.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

