Lajme nga vendi
Janevska: Vazhdojmë të ndërtojmë infrastrukturë dhe kushte solide për arsim më të mirë të nxënësve
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe kryetari i Komunës Aerodrom, Dejan Mitevski sot në shkollën fillore “Bllazhe Koneski” ndanë tabletë për nxënësit e klasës së katërt dhe kontrolluan punimet në rindërtimin e shkollës.
“Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për t’u ofruar të gjithë nxënësve akses të barabartë në teknologjinë bashkëkohore informatike në burimet online të informacionit dhe bazat e njohurive. Konsideroj se është masë veçanërisht e rëndësishme për të mbështetur familjet me të ardhura më të ulëta, të cilët ndoshta nuk kanë mundësi t’u blejnë fëmijëve të tyre TI pajisje dhe sigurisht, asnjë prind nuk dëshiron që fëmija i tij të jetë i ndryshëm nga të tjerët në këtë aspekt”, theksoi Janevska.
Ajo gjithashtu theksoi se edhe Qeveria kujdeset për modernizimin e kushteve në shkolla, në mënyrë të barabartë në të gjitha komunat.

“Gjatë muajve të kaluar është furnizuar teknologji TI moderne, përkatësisht kompjuterë të rinj, tabela interaktive dhe pajisje për lidhje rrjeti dhe qasje të sigurt në internet në 80 shkolla. Së shpejti, Qeveria do të ndajë edhe vauçerë për blerjen e pajisjeve elektronike për studentët, në vlerë prej 15 mijë denarëpër secilin, ndërsa e dini se digjitalizimi i arsimit zhvillohet shumë më shpejt kur vizioni i Qeverisë dhe i vetëqeverisjeve lokale përputhet. Kështu është tani dhe kështu duhet të jetë edhe në të ardhmen”, potencoi Janevska
Kryetari i komunës, Miteski, është i kënaqur që kjo masë është pritur pozitivisht nga qytetarët e Aerodromit. Ai vlerëson se kjo u lehtëson ndjeshëm procesin e përvetësimit të njohurive fëmijëve më të vegjël dhe, për këtë arsye, është planifikuar vazhdimi i saj. Këtë vit, Miteski informoi se po ndahen tabletë për 915 nxënës, me vlerë prej 6,5 milionë denarë.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

