Lajme nga vendi
OBSH: Një në çdo 100 vdekje në botë shkaktohet nga vetëvrasja
Më shumë se një në çdo 100 vdekje globalisht është pasojë e vetëvrasjes, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke bërë thirrje për veprime urgjente për të frenuar një krizë në rritje të shëndetit mendor, veçanërisht mes të rinjve, transmeton Radio Evropa e Lirë.
OBSH tha se, megjithëse normat globale të vetëvrasjeve kanë rënë disi vitet e fundit, përparimi në luftën kundër këtij problemi ka qenë shumë i ngadalshëm, raporton AFP.
Në vitin 2021 – viti i fundit për të cilin ishin të disponueshme të dhëna – u regjistruan rreth 727.000 vetëvrasje në mbarë botën, tha agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara.
“Globalisht, vetëvrasja përbën më shumë se një në çdo 100 vdekje, dhe për çdo vdekje ka 20 tentativa vetëvrasjeje”, tha Devora Kestel, shefe e përkohshme e departamentit për sëmundjet jo të transmetueshme dhe shëndetin mendor në OBSH.
Këto vetëvrasje “prekën shumë jetë dhe burime jetese të tjera, pasi miqtë, kujdestarët dhe të dashurit u detyruan të përballen me vështirësi të paimagjinueshme”, u tha ajo gazetarëve.
Raporti “Shëndeti Mendor Botëror Sot” i OBSH-së theksoi se vetëvrasja mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjeve tek të rinjtë nëpër gjeografi dhe kontekste socio-ekonomike.
Në vitin 2021, ajo ishte shkaku i dytë kryesor i vdekjeve për vajzat dhe gratë e moshës 15 deri 29 vjeç, dhe shkaku i tretë për meshkujt në të njëjtën grupmoshë, thuhet në raport.
Megjithëse norma globale e vetëvrasjes sipas moshës ka rënë për 35 përqind ndërmjet viteve 2000 dhe 2021, bota është ende larg objektivit të saj: në vend të uljes për një të tretën të normave të vetëvrasjes ndërmjet 2015 dhe 2030, progresi aktual sugjeron se do të arrihet vetëm një ulje prej 12 për qind, sipas OBSH-së.
Rënie u panë në çdo rajon – përveç në kontinentin e Amerikës, ku norma e vetëvrasjes u rrit për 17 përqind në të njëjtën periudhë.
Gati tre të katërtat e të gjitha vetëvrasjeve ndodhin në vendet me të ardhura më të ulëta, ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë globale.
Edhe pse vendet më të pasura kanë një normë më të lartë vetëvrasjesh, në raport me popullsinë, është e vështirë të krahasohet, pasi ato gjithashtu kanë të dhëna më të sakta se vendet me të ardhura të ulëta, theksoi OBSH.
Agjencia paralajmëroi se, ndërsa normat e vetëvrasjeve kanë qenë në rënie të ngadaltë, përhapja e çrregullimeve mendore, si ankthi dhe depresioni, është në rritje.
“Ndërmjet viteve 2011 dhe 2021, numri i njerëzve që jetojnë me çrregullime mendore u rrit më shpejt sesa popullsia globale”, thuhet në raport.
Sipas gjetjeve më të fundit, më shumë se një miliard njerëz po jetojnë me çrregullime të shëndetit mendor.
OBSH shprehu shqetësim të veçantë për rritjen e shqetësimeve të shëndetit mendor tek të rinjtë.
Edhe pse ka një sërë faktorësh pas këtij rritjeje, Mark van Ommeren, drejtues i njësisë së shëndetit mendor në OBSH, tha se “dy hipotezat kryesore janë rrjetet sociale dhe ndikimi i pandemisë së Covid”.
Në këtë kontekst, OBSH shprehu alarm për një “stagnim” të investimeve në shëndetin mendor në mbarë botën, me shpenzimet qeveritare mesatare për shëndetin mendor që mbeten vetëm dy përqind e buxheteve totale shëndetësore – të pandryshuara që nga viti 2017.
Globalisht, vetëm nëntë për qind e personave me depresion marrin trajtim, u tha në raport.
“Transformimi i shërbimeve të shëndetit mendor është një nga sfidat më urgjente të shëndetit publik”, tha drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një deklaratë.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

