Lajme nga rajoni
Shqiptarët bashkohen si kurrë më parë – Zëri i UÇK-së kumbon në Hagë më 14 shtator!
Shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të ndryshme të Evropës do të udhëtojnë në Holandë për të marrë pjesë në një protestë masive që pritet të mbahet në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale. Mërgata shqiptare është bërë bashkë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së, në një organizim më 14 shtator – një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes. Përmes protestës do të kërkohet gjykim i drejtë.
Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të luftës, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015.
Atje, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta.
Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023.
Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj në prill të këtij viti ndërkohë, më 15 shtator do të nisë paraqitja e provave nga ekipet mbrojtëse.
Në kohën kur pritet të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë, shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të japin mesazhin e tyre për këtë proces.
Uk Lushi, i cili është përfaqësues nga Amerika tha se “Gjykata Speciale legjitimitetin e saj e ka vetëm nga Kuvendi i Kosovës”.
“Nuk ka asnjë dyshim që ka abuzime juridike dhe shkelje legale edhe në procedura edhe në trajtim të të akuzuarve në gjykatën e Hagës. Gjykata e Hagës, legjitimitetin e saj ka vetëm një dhe ajo është nga Kuvendi i Kosovës. Kosova e ka krijuar atë gjykatë që të mundësojë edhe për herën e katërt të vërtetohet që gjitha akuzat që i janë bërë UÇK-së kanë qenë të rrejshme dhe këtë e ka bërë natyrisht jo vetëm për arsye juridike por edhe politike. Sepse lufta e Kosovës është keqpërdorur sidomos nga Serbia e edhe nga armiqtë e Kosovës por në raste të caktuara edhe nga miqtë”, thotë ai.
Ish-ushtari i UÇK-së thotë se “shteti i Kosovës nuk reagoi për këto pesë vjet”, për çka shton se i ka mbetur popullit që të organizojë protestë për të kundërshtuar procesin e gjykimit në Hagë.
Për krejt këto vjet, Specialja është kritikuar për anshmëri dhe jo transparencë.
“Ne kërkojmë pikë së pari gjykim të drejtë, mos anësi, mos ndikim nga provat e rrejshme që prokuroria dhe gjykata i kanë pranuar nga shteti pushtues dhe terrorizues serb, për arsye se gjasat janë maksimale e në shumë raste edhe të vërtetuara që ato janë të fabrikuara. Një shtet i cili pushton edhe vret fëmijë, e vret gratë, pleqtë, ai nuk e ka problem ta fabrikojë një informatë ose një provë që e paraqet para gjykatës dhe tani mbrojtja ka filluar me ftesën e dëshmitarëve që kanë qenë pjesëtarë të shtetit amerikan dhe ne do të kemi një ballafaqim…Ne vetëm po duam ta kthejmë vëmendjen nga drejtësia, nëse ka drejtësi ata njerëz do të duhej të ishin liruar”, shprehet ai.
Prej Floridës, Teksasit, Nju Jorkut dhe Miçiganit, shumë shqiptarë kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në protestën e 14 shtatorit, që do të mbahet në orën 14:00.
“Unë kam marrë mesazhe, është shprehur interesimi për pjesëmarrje deri më tash prej Miçigan, prej Floridës, prej Texasit, prej Nju Jorkut. Problemi i vetëm është se koha është e shkurtër dhe natyrisht se prej këtu nuk ka si të shkohet ndryshe përveç me aeroplan dhe nuk do të ketë shkuarje të organizuar por do të ketë kryesisht shkuarje me baza individuale. Kështu që me më rëndësi se sa vet pjesëmarrja në atë protestë është fakti se mërgata shqiptaro-amerikane që është këtu në Amerikë, rreth 1 milion shqiptarë janë absolutisht të hidhëruar me trajtimin që është duke u bërë edhe drejtësisë edhe procesit gjyqësor edhe Kosovës me këtë gjykatë. Ky gjykim është dashur të jetë tani i kryer dhe njerëzit të jenë në shtëpitë e tyre”, përmend Lushi.
Interesim të madh për pjesëmarrje në protestën ku kërkohet drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka edhe nga shtetet e Evropës.
Fatmir Koci, i cili është përfaqësues për Evropë thotë për KosovaPress se mesazhet do të jenë në gjuhën angleze.
“Unë jam në Gjermani dhe jemi në bashkëpunim me të gjitha shtetet e Evropës, aty ku janë afër do të shkojmë me makina në mënyrë të organizuar, aty ku është më larg do t’i bartim me autobusë. Sepse organizimi dhe kërkesat janë shumë të mëdha të mërgimtarëve që të marrin pjesë më 14 shtator në Hagë…Më 14 shtator shumica e parullave do të jenë në gjuhën angleze edhe do e dërgojmë një mesazh t’i drejtohemi botës, Evropës demokratike që çka është mjaft, është mjaft. Është duke u gjykuar shtetësia e Kosovës, liria e Kosovës, krerët e UÇK-së edhe me këto pas mbarimit të protestës do i marrim disa nga këto kërkesa dhe parullat dhe do ua dërgojmë Këshillit Evropian edhe gjitha ambasadave që janë nëpër Evropë”, shprehet Koci.
Ai tregon se leja për organizimin e kësaj proteste është marrë nga autoritetet holandeze.
“Vështirë ka qenë, ne ju kemi drejtuar shtetit të Holandës dhe i kemi bërë kërkesën për protestë dhe nuk kemi guxuar ne që të caktojmë datë derisa na është dhënë leja për protestë. Kur na është dhënë leja për protestë, atëherë e kemi bërë publike. Kemi kërkuar ndihmë prej shoqatave të luftës me seli në Prishtinë edhe fatmirësisht që kemi gjetur përkrahje 100 për qind nga shoqatat e dala nga lufta”, thekson ai për KosovaPress.
Një numër i madh i qytetarëve pritet të niset edhe nga Kosova.
Nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla tregon se do të ketë organizim me autobusë që veteranët të jenë pjesë e protestës.
“Protesta atje [në Hagë] do ta ketë efektin e vet, është në ditën simbolike të dëshmitarit tonë të parë, në këtë rast të mbrojtjes dhe besojmë që do të ketë një pjesëmarrje të madhe. Fillimisht ju njoftojmë se edhe në Kosovë kemi marrë shumë mesazhe, kemi pasur komunikim me shumë qytetarë të vendit tonë të cilët do të shkojnë nga këtu atje…Deri tash janë gjashtë autobusë që organizata i ka siguruar për ata përmes donatorëve dhe jemi duke komunikuar çdo ditë me ta, ka interesim të madh edhe nga këtu që të bëhen gjithë ata kilometra me autobusë, ju e dini se sa zgjatë rruga për andej por është një lloj inercioni qytetar sepse e kanë vërejtur më së miri se qysh po funksionon ajo gjykatë dhe për ato padrejtësi që po ndodhin atje”, shton Syla.
Një tjetër protestë në Hagë ishte mbajtur edhe në prill të vitit 2023 – në kohën kur kishte nisur gjykimi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.
Ndërkaq, së fundmi në Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbledhur më 7 gusht ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë në një protestë kundër padrejtësisë që vlerësojnë se po i bën Gjykata Speciale në Hagë.
Së fundmi, është raportuar se Gjykata Speciale ka pranuar dokumente si prova nga Serbia e kjo vetëm sa ka rritur reagimin në Kosovë për një gjykatë që vazhdimisht kritikohej për njëanshmëri dhe jo transparencë. /Kosovapress
Lajme nga rajoni
BE-ja i përgjigjet ashpër ministres serbe pas deklaratës për “spastrimin etnik” të Kosovës
Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.
Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.
Paunoviq deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” – deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë.
Lajme nga rajoni
Azgan dhe Adela Haklaj ngritin lart kulturën shqiptare në Sanremo me vallen e Tropojës
Azgan Haklaj, “Mjeshtër i Madh”, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e koreografisë si interpretues dhe krijues, producent i spektakleve e festivaleve për më shumë se tri dekada, si dhe autor i 15 librave publicistikë, së bashku me vajzën e tij Adela Haklaj, studente për aktrim, regji dhe kërcim në Nicë të Francës, shkëlqyen në skenën e Sanremos me interpretimin autentik të valles së Tropojës.
Në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Festa dei Popoli”, ku morën pjesë përfaqësues nga 18 shtete, dy artistët shqiptarë sollën një performancë që u shndërrua në një festë të kulturës, identitetit dhe traditës shqiptare. Interpretimi i tyre u mirëprit nga publiku dhe u vlerësua si një prezantim dinjitoz i trashëgimisë sonë kulturore në arenën ndërkombëtare.
Performanca e përbashkët e babait dhe së bijës përcolli një mesazh të fuqishëm për vazhdimësinë e traditës. Ajo dëshmoi se kultura shqiptare nuk ruhet vetëm në libra dhe arkiva, por jeton përmes brezave që e trashëgojnë, e kultivojnë dhe e prezantojnë me krenari para botës.
Të veshur me kostumet tradicionale të Malësisë së Gjakovës dhe duke interpretuar me mjeshtëri vallen karakteristike të Tropojës, Azgan dhe Adela Haklaj sollën në skenën e Sanremos shpirtin e maleve shqiptare, historinë, krenarinë dhe identitetin e një treve me tradita të pasura. Çdo hap i valles, çdo ritëm dhe çdo lëvizje përcolli forcën dhe dinjitetin e folklorit shqiptar.
Nën dritat e Sanremos nuk u interpretua vetëm një valle. Në atë skenë u dëgjua zëri i kulturës shqiptare, u ndie fryma e traditës dhe u ngrit lart flamuri kuqezi. Ishte një moment që dëshmoi se Shqipëria nuk është vetëm një vend në hartë, por një komb me histori, kulturë dhe vlera që meritojnë të prezantohen në skenat më prestigjioze të botës.
Interpretimi i Azgan dhe Adela Haklajt ishte më shumë se një performancë artistike. Ishte një homazh për rrënjët shqiptare, një urë mes brezave dhe një mesazh se identiteti ynë kombëtar vazhdon të jetojë e të forcohet përmes artit.
Me këtë paraqitje të jashtëzakonshme në “Festa dei Popoli”, Sanremo u vesh kuqezi dhe vallja e Tropojës u shndërrua në ambasadore të kulturës shqiptare, duke fituar duartrokitjet dhe admirimin e publikut ndërkombëtar.Tv KOHA
Lajme nga rajoni
Rama përballë revoltës qytetare: A po i vjen fundi rezistencës së qeverisë?
Në zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, protestat e qytetarëve përpara Kryeministrisë kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe kanë hapur një debat të gjerë mbi situatën politike, qeverisjen dhe kërkesat e shprehura nga pjesëmarrësit.
Këto tubime janë shfaqur si një formë e reagimit qytetar ndaj pakënaqësive të akumuluara, duke reflektuar shqetësime të ndryshme që lidhen me drejtimin e vendit, politikat qeverisëse dhe pritshmëritë e qytetarëve nga institucionet.
Përballë kësaj situate, kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë qëndrimin e tij se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, duke mbrojtur vazhdimësinë e mandatit qeverisës dhe duke refuzuar kërkesat për largim. Ky pozicionim ka thelluar përplasjen mes qeverisë dhe protestuesve, duke e kthyer këtë çështje në një nga temat kryesore të debatit politik në vend.Zhvillimi i mëtejshëm i protestave mbetet një pikëpyetje e rëndësishme për skenën politike shqiptare. Vëmendja tashmë është përqendruar te mënyra se si do të evoluojë kjo situatë: nëse presioni qytetar do të rritet dhe do të sjellë ndryshime në qëndrimin e qeverisë, apo nëse mazhoranca do të arrijë të ruajë stabilitetin politik dhe të vazhdojë rrugën e saj qeverisëse.
Kjo përballje mund të ketë ndikim të rëndësishëm jo vetëm për qeverinë aktuale, por edhe për opozitën dhe klimën e përgjithshme politike në Shqipëri. Protestat mund të ndikojnë në mënyrën se si partitë politike hartojnë strategjitë e tyre, në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe në debatin publik për të ardhmen e vendit.
Kapiti: Rama nuk duhet ta vonojë dorëheqjen
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti, i cili tha se pushteti në demokraci nuk është i pakontrollueshëm.
Pushteti vjen nga vota e lirë, mirëpo sipas tij, në Shqipëri asnjë palë zgjedhje nuk ka qenë e pamanipuluar dhe plotësisht e ndershme.
“Në demokraci, politika është gjithëpërfshirëse, në kuptimin që i gjithë populli merret me politikë, pasi nuk mund të qëndrojë indiferent as individi, as shoqëria. Askush dhe asnjë pushtet në demokraci nuk është i pakontrollueshëm, jollogaridhënës, arrogant apo i papërgjegjshëm.
Pushteti vjen nga vota e lirë dhe e pamanipuluar. Megjithatë, sipas këtij këndvështrimi, në Shqipëri asnjë palë zgjedhje nuk ka qenë e pamanipuluar dhe plotësisht e ndershme. Kush ka qeverisur Shqipërinë e ka bërë këtë me korrupsion, si autokrat, partitokrat apo nëpërmjet koalicionokracisë. Më saktë, vendi është keqqeverisur nga elitat politiko-korruptive, oligarkia politike, ekonomike dhe mediatike. Ky lloj regjimi antipopullor dhe superkorruptiv krijoi te publiku bindjen se pushteti, partitë, politika, oligarkia dhe mediat bashkëjetojnë në korrupsion, vjedhje e hajni dhe se janë të pasfidueshme në Shqipëri. Po ashtu, u krijua ideja se populli duhej të pranonte status quo-në dhe të pajtohej me mungesën e ndryshimit”.
Sa i përket protestave, Kapiti potencoi se qytetarët me të drejtë po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, pasi, sipas tij, këtij të fundit çdo ditë po i zbulohen skandale të reja.
“Në këto protesta kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Rama, një kryeministër të cilit, sipas protestuesve, i zbulohen përditë skandale korrupsioni e vjedhjeje që përfshijnë ministra, drejtorë dhe pjesë të administratës së tij, aq sa Republika e Shqipërisë etiketohet herë si ‘diktaturë e korrupsionit’, herë si ‘Kanabistan’, herë si ‘narkoshtet’ dhe herë si ‘kleptokraci’.
Protestat rinore në Shqipëri, sipas këtij këndvështrimi, do t’i realizojnë kauzat e tyre, sepse ato konsiderohen të drejta dhe të bazuara në të vërtetën, ndërsa mbështeten edhe në energjinë e pashtershme të rinisë, prej së cilës burojnë”, deklaroi ai.
Po ashtu, opinionisti theksoi se Rama nuk duhet ta vonojë dorëheqjen pas zhvillimeve të fundit dhe t’i lërë provokimet e talljet e tij me qytetarët dhe durimin e tyre.
“Nga këto protesta duhet të dalë një organizim politik që të konkurrojë për të ardhur në pushtet me një politikë të re, e cila të mos mbartë mbi supe zullumet, korrupsionin dhe atë që autori e konsideron tradhti kombëtare të politikës së vjetër të tranzicionit. Kryeministri shqiptar nuk duhet ta vonojë dorëheqjen, sepse pasojat dhe përgjegjësitë e arrogancës së tij politike jo vetëm që do ta përkeqësojnë situatën, por mund edhe ta çojnë atë drejt një gjendjeje mosbindjeje civile apo edhe më tej.
Ai nuk duhet të provokojë, as të tallet dhe as të luajë me durimin dhe kulturën qytetare të rinisë dhe të elitës qytetare që protestojnë paqësisht”.
Ndër të tjera, ai përmendi faktin se protestat kanë bërë jehonë ndërkombëtare dhe se ky është një sinjal që shqiptarët nuk e falin politikën e tradhtisë dhe as politikën e pazareve me territorin e vendit.
“Këto protesta rinore dhe patriotike tashmë janë bërë temë edhe në politikën ndërkombëtare të shteteve demokratike e mike të shqiptarëve. Sipas këtij këndvështrimi, ato janë protesta në të mirë të interesit kombëtar shqiptar dhe i tregojnë Europës se Shqipëria kërkon ndryshim, ndërsa Europa nuk duhet të mjaftohet vetëm me ruajtjen e stabilitetit politik në Shqipëri, pa marrë parasysh problematikat që lidhen me qeverisjen dhe korrupsionin gjatë dekadave të fundit.
Shqiptarët nuk e falin politikën e tradhtisë dhe as politikën e pazareve me territorin e vendit. Sipas autorit, Rama dhe politika e vjetër e kanë të kotë, pasi askush nuk mund ta pengojë rininë dhe popullin shqiptar për të realizuar të mirën e madhe: TRIUMFIN E KOMBIT”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.
Ndoj: Protestat aktuale në Shqipëri i kanë të gjitha ngjyrat
Kurse publicisti nga Shqipëria, Llesh Ndoj, mbështeti protestat masive që po zhvillohen së fundmi.
Ai, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, u shpreh se qytetarët kanë shumë arsye për të protestuar dhe se qëllimi i tyre është i mirë.
“Protestat aktuale në Shqipëri, parë nga këndvështrimi im, i kanë të gjitha ngjyrat. Pa asnjë dyshim, dominon qëllimi i mirë dhe ato i shërbejnë shëndoshjes së sistemit tonë politik, gjithsesi akoma jo plotësisht demokratik. Le të shpjegohem: ka arsye plot për të protestuar në shesh edhe nga më shumë shqiptarë se ata që dalin, por pikëpyetje ngrihen natyrshëm mbi kohën, mënyrën e shpërthimit dhe mbi të gjitha mbi produktin e tyre”.
Sipas Ndojit, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama përballet me faktin se ndryshimet politike nuk mund të realizohen vetëm përmes protestave, por kërkojnë mekanizma institucionalë dhe përfaqësim politik.
\Ai vlerëson se, pa një forcë që të kanalizojë pakënaqësinë qytetare në një alternativë konkrete, protestat mund të sjellin vetëm ndryshime të pjesshme dhe jo një transformim të thellë të qeverisjes.
“Kërkesa kryesore tashmë është dorëheqja e Ramës. Ndoshta e drejtë kjo, por kryeministrin nuk e zgjedh rruga, e zgjedh parlamenti. Protesta, formalisht antidetashment, është e ngopur me politikë, por nuk po nxjerr përfaqësim politik, forcë që t’i kanalizojë energjitë e saj pozitive në ndryshimin e qeverisjes së vendit. Atëherë si do të realizohen kërkesat e saj? Mazhoranca, edhe në rastin më të mirë hipotetik, zgjedh kryeministër tjetër dhe luhet e njëjta muzikë, por me muzikantë të rinj!
Në rënien e qeverisë nga rruga çojnë greva të mëdha që paralizojnë punën e jetën publike, të udhëhequra nga sindikatat, ose parti të reja që lindin prej tyre, kujtoj 5 Yjet në Itali, dhe marrin votëbesim në zgjedhje. Shkurt: ndryshimi drastik i pretenduar nuk projektohet askund në horizont, ndonëse pretendohet, ndërkohë që ndryshime pozitive të vogla priten në vijim. Për shembull, qeveria duket se është vënë në lëvizje për disa hapa ekonomikë në vijimësi, ashtu si edhe mund të ketë rikompozime të kabinetit qeveritar, me ose pa Ramën kryeministër”.
Në fund, ai potencoi se protesta ka arritur një nivel të lartë politizimi, por mungesa e një drejtimi dhe artikulimi të qartë politik e kufizon mundësinë e saj për të sjellë ndryshime të thella.
Ai vlerëson se protesta mund të ketë ndikim pozitiv duke ushtruar presion mbi sistemin politik, por paralajmëron se rritja e tensioneve dhe përshkallëzimi i akteve të dhunës mund ta dëmtojnë qëllimin e saj.
“Protesta tashmë është tërësisht politike, por pa artikulim politik e udhëheqje politike, gjë që nuk është premisë për të arritur ndryshimet e pretenduara, ndonëse e shkund sistemin politik në vend.
A sjell dëm apo dobi?
Padyshim dobi. Çështja shtrohet: sa? Dhe e dyta, lodhja e dyanshme mund të bëjë që aktet e dhunës (të pranishme) të shtohen dhe kjo s’i bën dobi askujt, ashtu si disa sjellje tribale, me të shara rruge, me arkivola, me artikulime për vdekje e burg që nuk i takojnë rrugës.
Drejtësia duhet të ishte kërkesa kryesore e protestës dhe zgjedhjet e parakohshme, për të parë se ku është harta elektorale aktuale.
Nga ana tjetër, në vende si i yni, qëndrimi i faktorëve relevantë ndërkombëtarë është jetik për protestën dhe jetën e vendit. Deri më sot nuk ka një qëndrim politik ndaj saj, veç shprehjeve klishe që dënojnë dhunën. Besoj se edhe ky reagim do të vijë.
Ndryshimet vijnë nga institucionet, rruga i përshpejton ato.
Le të shpresojmë që energjitë e protestës të drejtohen kah institucionalizimi”, përmbylli Llesh Ndoj për “Bota sot”.

