Lajme nga vendi
I maskoi targat me kuq si të makinave zyrtare, ndalohet 56-vjeçari nga Tetova
Një 56-vjepar nga Tetova i kishte lyer me ngjyrë të kuqe targat e regjistrimit që të dukeshin si të automjeteve zyrtare dhe kishte vendosur edhe drita sinjalizuese – flesherë. R.L. u ndalua nga policia në Tearcë gjersa drejtonte një “Mercedes” me targa të ndryshuara dhe pajisje të paligjshme ndriçuese. Punonjësit e policisë ia morën marrë shenjat e regjistrimit dhe dritat sinjalizuese, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit kundër tij do të paraqiten kallëzime për kundërvajtje nga Ligji për automjete dhe Ligji për siguri të trafikut rrugor.
Lajme nga vendi
E hëna ditë pushimi, fundjavë e zgjatur për qytetarët
Meqë 2 Gushti bie të dielën, në përputhje me Ligjin për Festat, e hëna, 3 gusht, do të jetë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Kështu, të punësuarit do të kenë tri ditë radhazi pushim – të shtunën, të dielën dhe të hënën, që për shumë prej tyre do të jetë mundësi për një pushim të shkurtër ose udhëtim.
Ilindeni është një nga festat më të rëndësishme shtetërore, me të cilën shënohen Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe Mbledhja e Parë e ASNOM-it në vitin 1944, dy ngjarje historike me rëndësi të veçantë në historinë maqedonase.
Lajme nga vendi
Ministria e Energjisë: Subvencione prej 30.000 denarësh për kyçje në gaz
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para vazhdon me zbatimin e masave që sigurojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për qytetarët dhe nxisin investimet në mënyra më ekonomike, më efikase dhe më të pastra të ngrohjes.
Aktualisht është i hapur thirrja publike për ndarjen e subvencioneve për kyçje në gaz natyror dhe për blerjen e kaldajës me gaz, përmes së cilës amvisëritë mund të përfitojnë mbështetje financiare deri në 30.000 denarë, respektivisht deri në 70% të shpenzimeve të kryera.
Ministria rikujton se afati për dorëzimin e kërkesave është 31 tetor 2026, dhe të gjithë qytetarët e interesuar që i plotësojnë kushtet kanë mjaftueshëm kohë për ta shfrytëzuar këtë mundësi.
Me këtë masë, shteti jo vetëm që u ndihmon familjeve të ulin shpenzimet e investimit, por kontribuon edhe në rritjen e efikasitetit energjetik, përdorimin e energjensave më të pastër dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor.
Të drejtë për mbështetje financiare kanë amvisëritë që gjatë vitit 2026 do të realizojnë kyçje shtëpiake në sistemin e shpërndarjes së gazit natyror, si dhe amvisëritë që do të blejnë kaldajë me gaz natyror për objekt që ka qenë i kyçur në sistem deri më 1 janar 2026. Për një amvisëri mund të dorëzohet vetëm një kërkesë.
Për këtë masë janë siguruar 3 milionë denarë, ndërsa mjetet do të ndahen sipas kushteve të përcaktuara në thirrjen publike. Ndarja e mjeteve do të bëhet sipas parimit “i pari vjen – i pari shërbehet”, deri në shterimin e buxhetit të paraparë.
Më shumë informacione janë të disponueshme në faqen zyrtare të ministrisë:
energy.gov.mk/mk-MK/odnosi-so-javnost/javni-oglasi/javen-oglas-za-nadomestuvanje-na-del-od-trosocite-za-izvedba-na-priklucok-na-sistemot-za-distribucija-na-gas-vo-rsm-ili-za-nabavka-na-kotel-na-gas-na-izvrsen-priklucok-na-sistemot-za-distribucija-na-gas-oktomvri
Pas përfundimit të afatit, komisioni i formuar nga Ministria do t’i shqyrtojë aplikimet e dorëzuara, ndërsa mbështetja financiare do t’u paguhet të gjithë përfituesve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara.
Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që planifikojnë kyçje në gaz natyror ose blerje të kaldajës me gaz të mos e humbin mundësinë për mbështetje shtetërore dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në kohë.
Mbështetja e qytetarëve mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para. Përmes masave konkrete dhe subvencioneve, Ministria vazhdon të zbatojë politika që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për amvisëritë, ulin kostot e energjisë dhe përshpejtojnë kalimin drejt zgjidhjeve më efikase dhe më të qëndrueshme të ngrohjes.
Lajme nga vendi
Kolona në kufi: Më kritike në pikën kufitare “Bogorodicë”
Raportet e mëngjesit për gjendjen në rrugë tregojnë qarkullim të shtuar të automjeteve në të gjithë rrjetin rrugor të vendit, ndërsa migrimi veror drejt destinacioneve turistike ka arritur kulmin. Pritjet më të mëdha dhe kolonat këtë mëngjes janë regjistruar në kufirin jugor, ku udhëtarët që dalin nga vendi përballen me pritje më të gjata.
Nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM) njoftojnë se intensiteti i komunikacionit jashtë zonave urbane është rritur ndjeshëm, gjë që është e zakonshme për këtë periudhë të vitit, kur shumë qytetarë udhëtojnë drejt pushimoreve.
Pika më kritike aktualisht është vendkalimi kufitar Bogorodicë, ku ka pritje për dalje nga vendi.
Nga LAMM kanë bërë të ditura të dhënat për pritjet në vendkalimet kufitare:
“Frekuenca më e madhe e automjeteve është regjistruar në vendkalimin kufitar Bogorodicë, ndërsa në vendkalimet e tjera kufitare nga ana e Maqedonisë, për momentin nuk ka pritje më të gjata, as për hyrje dhe as për dalje nga vendi”, njoftojnë nga LAMM.
Për shkak të numrit të shtuar të automjeteve në drejtimet rrugore drejt jugut, shërbimet kompetente u bëjnë apel të gjithë shoferëve për kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjetit.
Nga LAMM rikujtojnë rëndësinë e respektimit të rregullave të komunikacionit dhe u bëjnë thirrje shoferëve të ndjekin gjendjen aktuale në rrugë dhe ta përshtatin mënyrën e drejtimit me kushtet në trafik.

