Lajme nga vendi
Durmshi: Kapitali njerëzor është burimi më i rëndësishëm – Qeveria dhe UNFPA me program të përbashkët pesëvjeçar për zhvillim demografik
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmshi, mbajti sot fjalim në ngjarjen kushtuar trendeve demografike dhe prezantimit të programit të përbashkët pesëvjeçar të Qeverisë dhe Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).
“Njerëzit janë burimi më i rëndësishëm i një shoqërie. Njohuritë, shkathtësitë dhe kreativiteti i qytetarëve tanë janë forcë shtytëse për çdo zhvillim. Detyra jonë është ruajtja dhe avancimi i këtij kapitali”, theksoi ministri Durmshi.
Në fjalimin e tij, ai vuri në dukje se shteti po përballet me sfida serioze – ulja e natalitetit, emigrimi i të rinjve dhe plakja e popullsisë, gjë që prek drejtpërdrejt shërbimet publike dhe sistemet sociale.
Me Planin operartiv për vitin 2025, me vlerë 40 milionë euro, kemi hedhur tashmë themelet. Plani përfshin mbi 16.000 persona, nga të cilët 65% janë të rinj. Mbështesim vetëpunësimin me grante deri në 10.000 euro, trajnim dhe mentorim, si dhe programe riedukimi dhe rikualifikimi. Vëmendje të veçantë i kushtojmë gjithëpërfshirjes – grave nga zonat rurale, personave me aftësi të kufizuara, përdoruesve të ndihmës minimale të garantuar dhe grave rome”, theksoi ministri.
Ai shtoi se programi me UNFPA është vizion dhe strategji për të ardhmen – jo vetëm dokument formal, por plan me aktivitete konkrete. “Mbështetja financiare duhet të përmirësohet me infrastrukturë, lidhje digjitale dhe mbështetje për startap-ekosistemin. Në të njëjtën kohë, duhet të vlerësojmë përvojën e punëtorëve të moshuar dhe të sigurohemi që ata të mbeten pjesë e procesit produktiv”, tha Durmshi.
Ministri shprehu falënderim për Kombet e Bashkuara, drejtoreshën rajonale të UNFPA-së Florens Bauer dhe koordinatoren e përhershme të OKB-së Rita Kolumbia për mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm.
“E ardhmja jonë matet në njerëz — në çdo të ri, në çdo talent, në çdo qytetar që dëshiron të krijojë këtu, në shtëpi. Ne nuk duhet t’i shohim trendet demografike si kërcënim, por si një nxitje për politikat bashkëkohore që do të forcojnë ekonominë tonë”, përfundoi ministri Durmishi.
Lajme nga vendi
VLEN: Premtimi për stadiumin e KF Bashkimi po bëhet realitet
Sporti është një nga fushat ku investimi në infrastrukturë krijon drejtpërdrejt mundësi të reja për fëmijët dhe të rinjtë.
Në këtë drejtim, në Kumanovë kanë nisur zyrtarisht punimet për rikonstruksionin e plotë të stadiumit ndihmës të KF Bashkimi, një projekt i premtuar për dy dekada, por që deri më tani kishte mbetur vetëm në letër.
Me nisjen e punimeve, ky premtim po shndërrohet në një investim konkret. Pas përfundimit të projektit, fëmijët dhe futbollistët e rinj të Kumanovës do të kenë në dispozicion një hapësirë moderne dhe të sigurt për stërvitje dhe përgatitje.
Në realizimin e këtij projekti një rol të rëndësishëm ka pasur zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, përmes angazhimit institucional për avancimin e projektit dhe krijimin e kushteve më të mira për sportistët e rinj.
Ky investim është dëshmi se infrastruktura sportive mund të shndërrohet në mundësi konkrete për talentet e reja dhe në hapësira ku fëmijët mund të zhvillojnë potencialin e tyre përmes sportit.
Për VLEN-in, puna në sport vazhdon përmes projekteve konkrete që krijojnë kushte më të mira dhe mundësi të reja për brezat e rinj.
Premtimi u bë projekt. Projekti po bëhet vepër. VLEN në punë.
Lajme nga vendi
8 viktima, 65 të infektuar – Shkupi mbetet epiqendra e virusit të Nilit Perëndimor
Tetë persona kanë humbur jetën nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, ndërsa numri i rasteve të regjistruara ka arritur në 65, sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik deri më 15 shtator.
Shkupi mbetet zona më e prekur, me 60 raste. Numri më i madh i infeksioneve është regjistruar në komunën e Kisella Vodës, veçanërisht në Draçevë, si dhe në territorin e komunës së Gazi Babës.
Jashtë Shkupit janë konfirmuar nga dy raste në Veles, ndërsa nga një rast në Kumanovë, Sveti Nikollë dhe Kavadar.
Nga 65 rastet, 60 janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa pesë konsiderohen të mundshme. Në 64 raste infeksioni është transmetuar lokalisht, ndërsa një person kishte qëndruar në Greqi gjatë periudhës së inkubacionit.
Shumica e të infektuarve janë meshkuj – 51 raste, ndërsa 14 janë gra.
Në 63 pacientë është zhvilluar forma neuroinvazive e sëmundjes, duke kërkuar trajtim spitalor. Tetë prej tyre kanë ndërruar jetë.
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave, ndërsa në Shkup po zhvillohet edhe dezinsektimi kundër mushkonjave të rritura. Spërkatja është planifikuar nga 16 deri më 19 shtator, gjatë orëve të natës, nëse kushtet atmosferike e lejojnë.
Lajme nga vendi
Ndërroi jetë i riu nga Studeniçani i Shkupit, dyshohet se e goditi rryma derisa po lante veturën me pajisje për larje me presion të lartë
Një 35-vjeçar nga fshati Studeniçan i Shkupit ka ndërruar jetë pasi, sipas informacioneve fillestare, dyshohet se është goditur nga rryma elektrike derisa po përdorte një makinë me presion për larjen e automjetit.
Siç njofton MPB-ja, më 16 shtator, rreth orës 11:40, në SPB Shkup është raportuar se në oborrin e një shtëpie në Studeniçan, në pronësi të A.S. (56), kishte ardhur H.B. (35) nga i njëjti fshat dhe kishte marrë makinën me presion për të larë automjetin.
Në një moment, ai është rrëzuar, me shumë gjasë si pasojë e një goditjeje elektrike.
Me automjet të Ndihmës së Shpejtë, H.B. është dërguar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku ka ndërruar jetë.
Mjeku ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion në Mjekësinë Ligjore.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

