Lajme nga vendi
MASH-i rrit mbështetjen për nxënësit e talentuar, do të financoj pjesëmarrjen e tyre në garat ndërkombëtare
Sukseset e të rinjve tanë gjithmonë ngjallin emocione të fuqishme dhe inkurajojnë besimin se kemi duar të sigurta ku mund ta lëmë Maqedoninë dhe të besojmë në një të ardhme më të mirë. Prandaj, e rritëm mbështetjen ndaj të talentuarve, në mënyrë që ata të ndiejnë kujdes të mjaftueshëm nga shteti, të qëndrojnë këtu dhe të kontribuojnë në zhvillimin e tij.
Kështu deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në konferencën e organizuar nga Instituti i Kimisë pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup, ku u prezantuan sukseset e nxënësve dhe mentorëve të tyre të arritur në olimpiadat ndërkombëtare shkencore në fushën e kimisë gjatë këtij viti kalendarik.
“I ndjek pjesëmarrjet e të gjithë të rinjve tanë në garat ndërkombëtare, dhe e udhëhequr nga sukseset tuaja dhe të gjeneratave para jush, ndjeva detyrë të angazhohem. Ndërsa Qeveria më dha mbështetje dhe së bashku e zgjidhëm sfidën që zvarritej nga e kaluara dhe që e vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e përfaqësuesve maqedonas në gara të mëdha ndërkombëtare për nxënës. Nga ky vit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbulon plotësisht shpenzimet për udhëtim dhe regjistrim të nxënësve dhe mentorëve të cilët do të kualifikohen në olimpiadat ose garat ndërkombëtare shkencore. Krijuam zgjidhje sistematike dhe askush më nuk do të ketë sfida financiare për të udhëtuar dhe për të përfaqësuar vendin e vet“, tha Janevska.
Në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë që u mbajt këtë vit në Dubai, nxënësit nga Maqedonia fituan nga një medalje të argjendtë dhe të bronztë, si dhe një mirënjohje , ndërsa në olimpiadën ndërkombëtare “Mendeleev” në Belo Horizonte të Brazilit fituan dy medalje të bronzta.
“Këta fëmijë janë pjesë e atij brezi që ne besojmë se mund të sjellin kohë më të mira. Sepse e vlerësojnë diturinë, për t’u avancuar vazhdimisht, ata e dinë se shkenca është shtyllë e prosperitetit”, tha Janevska.
Lajme nga vendi
ESHR: Kontestet e punës i kushtojnë Maqedonisë mbi 64 milionë euro
Kontestet e punës i kushtuan shtetit më shumë se 64 milionë euro në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2025, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Revizionit.
Sipas ESHR-së, një total prej 3.97 miliardë denarë, ose rreth 64.37 milionë euro, u paguan në bazë të procedurave gjyqësore të mosmarrëveshjeve të punës, përcjell “Faktor”.
Nga kjo shumë, rreth 33.2 milionë euro lidhen me borxhin kryesor, ndërsa 31.15 milionë euro u shpenzuan për interesa, shpenzime gjyqësore dhe zbatim. Kjo përfaqëson 48.39 përqind të totalit të fondeve të paguara.
Revizioni gjeti gjithashtu një rritje të konsiderueshme të numrit të mosmarrëveshjeve të punës. Numri i rasteve në pritje u rrit nga 9.361 në vitin 2021 në 24.556 në vitin 2025.
Plot 95.36 përqind e totalit të fondeve u paguan përmes urdhrave të ekzekutimit, ndërsa vetëm 4.64 përqind përmes pagesave vullnetare.
ESHR thekson se institucionet nuk kanë krijuar një qasje mjaftueshëm efikase dhe sistematike për menaxhimin e mosmarrëveshjeve të punës. Revizioni gjithashtu tregon pasaktësi në rregullore, interpretime të ndryshme të dispozitave ligjore dhe zbatim të kufizuar të metodave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
Nga 85 institucionet nga të cilat u kërkuan të dhëna, 69 u përgjigjën dhe 12 prej tyre deklaruan se nuk kishin bërë asnjë pagesë në bazë të mosmarrëveshjeve të punës në periudhën e analizuar.
Lajme nga vendi
Mot stabil deri të shtunën, reshje dhe bubullima nga e diela
Në vend sot pritet mot me diell, me vranësira të pakta deri mesatare lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi juglindor. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 16 gradë, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 26 deri në 32 gradë.
Në Shkup do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta. Do të fryjë erë e dobët nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të zbresë deri në 13 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 31 gradë.
Deri të shtunën do të mbajë mot kryesisht stabil. Të dielën dhe të hënën do të ketë reshje të herëpashershme shiu dhe kushte për mot të paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të përforcuar. Nga e marta, për shkak të depërtimit të ajrit më të ftohtë nga veriu, do të ketë ulje të temperaturave ditore.
Lajme nga vendi
VLEN: Premtimi për stadiumin e KF Bashkimi po bëhet realitet
Sporti është një nga fushat ku investimi në infrastrukturë krijon drejtpërdrejt mundësi të reja për fëmijët dhe të rinjtë.
Në këtë drejtim, në Kumanovë kanë nisur zyrtarisht punimet për rikonstruksionin e plotë të stadiumit ndihmës të KF Bashkimi, një projekt i premtuar për dy dekada, por që deri më tani kishte mbetur vetëm në letër.
Me nisjen e punimeve, ky premtim po shndërrohet në një investim konkret. Pas përfundimit të projektit, fëmijët dhe futbollistët e rinj të Kumanovës do të kenë në dispozicion një hapësirë moderne dhe të sigurt për stërvitje dhe përgatitje.
Në realizimin e këtij projekti një rol të rëndësishëm ka pasur zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, përmes angazhimit institucional për avancimin e projektit dhe krijimin e kushteve më të mira për sportistët e rinj.
Ky investim është dëshmi se infrastruktura sportive mund të shndërrohet në mundësi konkrete për talentet e reja dhe në hapësira ku fëmijët mund të zhvillojnë potencialin e tyre përmes sportit.
Për VLEN-in, puna në sport vazhdon përmes projekteve konkrete që krijojnë kushte më të mira dhe mundësi të reja për brezat e rinj.
Premtimi u bë projekt. Projekti po bëhet vepër. VLEN në punë.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

