Lajme nga vendi
Dita e tretë e fushatës për Zgjedhjet lokale 2025
Kandidatët për zgjedhjet lokale edhe sot në ditën e tretë të fushatës do t’i paraqesin programet e tyre në tubime dhe takime me qytetarët.
VMRO-DPMNE-ja do të mbajnë tubime në Konçe (16:30), Demir Kapi (17:30), Negotinë (18:30) dhe Kavadar (20:30).
Karvani i LSDM-së dhe Koalicionit do të jetë mes qytetarëve në Konçe (17:30), Kërçovë (18:30) dhe Makedonski Brod (20:00).
Kandidati nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Bujar Osmani, në orën 11 e 30 në selinë e BDI-së në Shkup, do të mbajë konferencë për media.
Lëvizja ZNAM do të ketë konventë promovuese në Sheshin e qytetit në Kumanovë (19:00).
Kandidatja për kryetare të Qytetit të Shkupit nga radhët e LSDM-së Kaja Shukova do të japë deklaratë për mediume në Aerodrom.
Fushata zgjedhore, e cila filloi të hënën, do të zgjat deri më 17 tetor në mesnatë, pas çka vijon heshtje 24-orëshe para votimit më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.
Siç parashikon Kodi zgjedhor (neni 69a), për fushatë zgjedhore konsiderohet një tubim publik dhe ngjarje të tjera publike të organizuara nga një pjesëmarrës në fushatën zgjedhore, shfaqja publike e bilbordeve, video prezantime në vende publike, prezantimi zgjedhor në media dhe internet, shpërndarje e materialeve të shtypura dhe prezantimi publik i kandidatëve të konfirmuar nga autoritetet kompetente zgjedhore dhe programet e tyre.
Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor.
Sipas Kodit zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet në gjysmën e dytë të tetorit. Vetëqeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale. Brenda Qytetit të Shkupit funksionojnë 10 komuna, të cilat kanë kompetenca të përbashkëta me Qytetin. Zgjedhjet i shpall kryetari i Kuvendit duke miratuar një akt të publikuar në Gazetën Zyrtare. Zgjedhjet mbahen jo më herët se 70 dhe jo më vonë se 90 ditë nga data e shpalljes së zgjedhjeve.
Zgjedhje lokale në Maqedoni janë mbajtur në 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.
Lajme nga vendi
VLEN: Premtimi për stadiumin e KF Bashkimi po bëhet realitet
Sporti është një nga fushat ku investimi në infrastrukturë krijon drejtpërdrejt mundësi të reja për fëmijët dhe të rinjtë.
Në këtë drejtim, në Kumanovë kanë nisur zyrtarisht punimet për rikonstruksionin e plotë të stadiumit ndihmës të KF Bashkimi, një projekt i premtuar për dy dekada, por që deri më tani kishte mbetur vetëm në letër.
Me nisjen e punimeve, ky premtim po shndërrohet në një investim konkret. Pas përfundimit të projektit, fëmijët dhe futbollistët e rinj të Kumanovës do të kenë në dispozicion një hapësirë moderne dhe të sigurt për stërvitje dhe përgatitje.
Në realizimin e këtij projekti një rol të rëndësishëm ka pasur zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, përmes angazhimit institucional për avancimin e projektit dhe krijimin e kushteve më të mira për sportistët e rinj.
Ky investim është dëshmi se infrastruktura sportive mund të shndërrohet në mundësi konkrete për talentet e reja dhe në hapësira ku fëmijët mund të zhvillojnë potencialin e tyre përmes sportit.
Për VLEN-in, puna në sport vazhdon përmes projekteve konkrete që krijojnë kushte më të mira dhe mundësi të reja për brezat e rinj.
Premtimi u bë projekt. Projekti po bëhet vepër. VLEN në punë.
Lajme nga vendi
8 viktima, 65 të infektuar – Shkupi mbetet epiqendra e virusit të Nilit Perëndimor
Tetë persona kanë humbur jetën nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, ndërsa numri i rasteve të regjistruara ka arritur në 65, sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik deri më 15 shtator.
Shkupi mbetet zona më e prekur, me 60 raste. Numri më i madh i infeksioneve është regjistruar në komunën e Kisella Vodës, veçanërisht në Draçevë, si dhe në territorin e komunës së Gazi Babës.
Jashtë Shkupit janë konfirmuar nga dy raste në Veles, ndërsa nga një rast në Kumanovë, Sveti Nikollë dhe Kavadar.
Nga 65 rastet, 60 janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa pesë konsiderohen të mundshme. Në 64 raste infeksioni është transmetuar lokalisht, ndërsa një person kishte qëndruar në Greqi gjatë periudhës së inkubacionit.
Shumica e të infektuarve janë meshkuj – 51 raste, ndërsa 14 janë gra.
Në 63 pacientë është zhvilluar forma neuroinvazive e sëmundjes, duke kërkuar trajtim spitalor. Tetë prej tyre kanë ndërruar jetë.
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave, ndërsa në Shkup po zhvillohet edhe dezinsektimi kundër mushkonjave të rritura. Spërkatja është planifikuar nga 16 deri më 19 shtator, gjatë orëve të natës, nëse kushtet atmosferike e lejojnë.
Lajme nga vendi
Ndërroi jetë i riu nga Studeniçani i Shkupit, dyshohet se e goditi rryma derisa po lante veturën me pajisje për larje me presion të lartë
Një 35-vjeçar nga fshati Studeniçan i Shkupit ka ndërruar jetë pasi, sipas informacioneve fillestare, dyshohet se është goditur nga rryma elektrike derisa po përdorte një makinë me presion për larjen e automjetit.
Siç njofton MPB-ja, më 16 shtator, rreth orës 11:40, në SPB Shkup është raportuar se në oborrin e një shtëpie në Studeniçan, në pronësi të A.S. (56), kishte ardhur H.B. (35) nga i njëjti fshat dhe kishte marrë makinën me presion për të larë automjetin.
Në një moment, ai është rrëzuar, me shumë gjasë si pasojë e një goditjeje elektrike.
Me automjet të Ndihmës së Shpejtë, H.B. është dërguar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku ka ndërruar jetë.
Mjeku ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion në Mjekësinë Ligjore.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

