Lajme nga vendi
Shifra shqetësues me kancerin e gjirit, vetëm këtë vit janë regjistruar mbi 1 mijë pacientë

Mbi 75 për qind e pacientëve me kancer të gjirit analizat e tyre i bëjnë në klinikat private. Kjo përqindje ka dalë nga anketat e bëra nga Shoqata e Pacientëve me Kancer “Hema Onko”, me çka sipas tyre, vendi ka ngecur në shumë sektorë të sistemit shëndetësor, ku diagnostikimi i vonshëm vazhdon të mbetet sfida kryesore e pacientëve. Ndërkaq, pas diagnostikimit, dërgimin e menjëhershëm të pacientëve në kirurgji e konsiderojnë tejet të dëmshme.
“Më shumë se 75 për qind e pacinetëve të diagnostikuar herët analizat e tyre i bëjnë në klinika private. Pse është kjo kështu? Përgjigja është shumë e qartë, shumë gjatë pritet për terminë për biopsi dhe patologji në institucionet shtetërore. Ndërsa, ajo që është më tronditëse për ne si pacientë onkologjikë është se këto 75 për qind të pacientëve që janë të diagnostikuar, pa dallim se në cilin stadium të parë apo të katërtin, ato fillimisht dërgohen në kirurg. Kjo praktikë duhet të hiqet në këtë shtet”, tha Ana Marjanoviq, përfaqësuese e Shoqatës Hema Onko.
Vazhdon të rritet numri i pacientëve të rinj me kancer të gjirit. Këtë vit janë regjistruar mbi 1 mijë pacientë.
“Ne me anketat e tona që i bëjmë shpresojmë të kemi numrin e saktë të diagnostikimit, megjithatë sipas të dhënave që i ka Klinika e Onkologjisë, këtë vit kemi 1200 pacientë të rinj me kacer të gjirit. Që për fat të keq është numër i madh dhe akoma më keq është se nga viti në vit rritet ky numër”, deklaroi Milica Kuzmanovska, përfaqësuese e Hema Onko.
Mungesa e personelit mjekësor në Klinikën e Onkologjisë vazhdon të mbetet problematike për pacientët me çka radhët e gjata të tyre assesi të shkurtohen. Ndërkaq, shpesh herë pacientët me kancer përballen edhe me mungesë të terapive. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Shtekli pësoi sulm epileptik dhe u rrëzua në sallën e gjyqit, shtyhet seanca gjyqësore

Seanca gjyqësore për rastin “Shtekli”, ku disa persona akuzohen për shitje të organizuar të drogës, është shtyrë për më 9 tetor, me kërkesë të avokatit të të pandehurit të parë, Rade Trajkovski – i njohur si Shtekli.
Para fillimit të seancës së sotme, Shtekli pësoi një krizë epileptike dhe u rrëzua në sallën e gjyqit. Pas ndihmës së mjekëve të urgjencës, ai refuzoi të marrë terapinë e ofruar, duke deklaruar se është duke marrë trajtim tjetër në burg. Në vijim, Gjykata vendosi që ai ta ndjekë seancën nga një hapësirë tjetër brenda gjykatës.
“E kontrolluam dhe ishte i kontaktueshëm, por vetë tha se nuk e dinte ku ndodhej. Refuzoi të marrë terapi sepse po përdor trajtim tjetër në burg. Nuk dëshironte as të nënshkruajë deklaratë për refuzimin e terapisë.”
“Që nga fillimi i seancës, Rade Trajkovski nuk ka fyer dhe nuk ka prishur rendin. Menjëherë para nisjes së saj ai pati një krizë epileptike. I pandehuri është ekzaminuar dje dhe ka marrë terapi nga psikiatri, pasi kishte ide vetëvrasëse. Është e rëndësishme të dihet nëse ai e mori terapinë sot, pasi mungesa e saj mund të sjellë pasoja të tilla,” tha Dukovski, duke shtuar se mbrojtja nuk ka interes në zvarritjen e procesit.
Nga ana tjetër, gjyqtari Ilija Tërpkov theksoi se gjykata ka për detyrë ta zhvillojë procesin në mënyrë efikase, duke respektuar të drejtat e të pandehurve dhe gjendjen e tyre shëndetësore.
“Këtu nuk është vetëm Rade, por edhe të pandehur të tjerë. Duke qenë se tashmë është ora 14:00 dhe mbeten shumë pyetje për t’u bërë, seanca shtyhet për më 9 tetor. Por, dua të theksoj se çdo përpjekje për vonesa do të sanksionohet,” deklaroi gjyqtari Tërpkov.
Aktakuza dhe struktura e grupit
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar përfshin gjithsej 10 persona, pas një hetimi gati njëvjeçar, ku janë përdorur masa të posaçme hetimore. Fillimisht ishin përfshirë 16 të dyshuar, por shtatë prej tyre kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burg nga 3 deri në 3.5 vjet.
Katër të pandehur të tjerë – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branislav Zajkov – gjithashtu kanë pranuar fajësinë, ndaj Gjykata vendosi ndarjen e procedurës penale për ta.
Sipas Prokurorisë, grupi kriminal ishte i organizuar mirë dhe me role të përcaktuara qartë – nga sigurimi deri te shpërndarja e kokainës dhe marihuanës. Droga ruhej në apartamente me qira dhe shitej me çmime prej 4,500 deri 6,000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi mes anëtarëve bëhej përmes aplikacionit Snapchat, ndërsa provat kryesore u siguruan përmes sistemit amerikan të analizës së telefonave celularë “Cellebrite”, i dhuruar nga SHBA.
Lajme nga vendi
VLEN MBAJTI KONVENTËN PROMOVUESE NË SHKUP

Mbrëmë VLEN në sallën“Boris Trajkovski” në Shkup mbajti konventën promovuese tw kandidatwve pwr kryetar komune. Kryetari I komunës së Tetovës, Bilall Kasami, foli për projektet e realizuara gjatë katër viteve të fundit si kryetar komune. Ai tha se Tetova është shndërruar në letërnjoftim të VLEN-it dhe se është bërë shembull për të gjitha komunat tjera”. BILALL KASAMI – VLEN “Fola për Tetovën jo vetëm për shkak se unë rikandidoj për të shërbyer në këtë komunë, por edhe për shkakun se Tetova sot është letërnjoftimi ynë. Tetova është shembulli që ua ofrojmë ne shqiptarëve, nga Likova deri në Strugë. Tetova është kontrasti mes neve dhe atyre, mes të kaluarës dhe të ardhmes në menaxhimin e komunave. Kështu qeveris VLEN-i, kështu punon VLEN-i, kështu e mbajmë ne amanetin kur e marrim besimin e popullit. Nga ne nuk dëgjoni sharje për shqiptarët, por punë dhe përkushtim.” Në Konventën për prezantimin e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këshilltarë komunalë të koalicionit VLEN, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit Izet Mexhiti, e akuzoi ashpër BDI-në se është bërë simbol dhe garant i hyrjes së bankave serbe, kompanive dhe interesave kriminale në mjediset ku jetojnë shqiptarët. IZET MEXHITI – VLEN “Jo, ne nuk jemi tradhëtarë – nuk e mbështesim open balkan-in, nuk e njohim daka davidoviqin, nuk i kemi shitë aksione bankës sërbe, nuk i kemi sjellë kazinot serbo- ruse në mesin e shqiptarëve, nuk i kemi legalizuar kreditë e shpejta të millan radojçiqit!” tha mexhiti, duke aluduar se pikërisht bdi qëndron pas këtyre proceseve që rrezikojnë të ardhmen e shqiptarëve në maqedoni. A ishte ky çmimi që shqiptarët duhej ta paguanin që ju te beheni bashkëpronarë ne biznesin e kazinove me nëntoken serbe? A ishte ky çmimi që shqiptarët duhej ta paguanin që ju te beheni aksionar në bankën serbe? Shqiptaret kane pasur lloj lloj liderësh. Por liderë që tregtojnë me kauzën kombëtare për biznes interese të Serbisë, kjo nuk mbahet mend!” – ishte mesazhi që Mexhiti ua dërgoi drejtuesve të BDI-së. Në tubimin e mbrëmshëm, fjalime mbajtën edhe krerët e tjerë të koalicionit VLEN.
Lajme nga vendi
Filloi viti i ri akademik në Universitetin e Tetovës

Në mënyrë solemne në Universitetin e Tetovës ka filluar viti i ri akademik 2025/2026. Pritja për studentët e rinj është bërë në amfiteatrot e këtij universiteti nga stafi akademik i Universitetit të Tetovës. Me këtë rast, mirëseardhje në këtë universitet u uroi rektori Jusuf Zejneli. Ai falënderoi studentët të cilët kanë zgjedhur që formimin e tyre akademik t’ia besojnë Universitetit të Tetovës. Rektori Zejneli tha më tej se Universiteti i Tetovës, është një institucion serioz i cili ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e studentëve.
“Ky është vetëm hapi i parë drejt ndjekjes së ëndrrave dhe arritjes së qëllimeve tuaja. Ndërsa të gjithë ju nisni këtë udhëtim të ri është e rëndësishme të mbani mend se nuk jeni vetëm. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur dhe për t’ju udhëhequr në çdo hap të këtij rrugëtimi. Ky institucion është më shumë se sa thjesht një vend për të studiuar, është vendi që do ju përkrah dhe do i gëzohet çdo suksesi tuaj. Ne do të përpiqemi vazhdimisht që të krijojmë për ju një mjedis më të mire arsimor dhe t’ju ndihmojmë juve të arrini qëllimet tuaja akademike. Universiteti i Tetovës, është një institucion serioz, i cili ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e studentëve”, deklaroi rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli.
Nëpërmjet gamës së gjerë të programeve studimore, infrastrukturës si dhe resurseve, ne do t’ju ofrojmë juve mundësitë shumta zhvillimi profesional, shtoi më tej rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli. “Ju inkurajoj shumë të bëheni pjesëmarrës aktive në diskutime, klube dhe aktivitete të ndryshme të cilat organizohen në numër të lartë nga fakultetet e ndryshme të universitetit tonë. Këto aktivitete do të pasurojnë përvojën tuaj, do të zgjerojnë horizontet tuaja dhe do t’ju ndihmojnë të krijoni miq si dhe bashkëpunime të vlefshme. Këtu në Universitetin e Tetovës, përveç se ju do të zgjeroni njohuritë tuaja, dhe të eksploroni fusha të reja ju do të takoni profesorë dhe studentë të tjerë që do t’ju inkurajojnë të shfrytëzoni potencialin tuaj dhe të arrini qëllimet përkatëse. Jeni të hapur ndaj ideve të reja, qasuni studimeve tuaja me pasion dhe përkushtim dhe përpiquni për rritje dhe përmirësim të vazhdueshëm”, tha mes tjerash rektori Zejneli.
Ndryshe, sipas njoftimeve të deritanishme, këtë vit në Universitetin e Tetovës ka rritje të numrit të studentëve të cilët janë regjistruar në vitin e parë. Sikurse viteve të kaluara, edhe këtë vit nuk mungojnë studentët nga Kosova, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës. Në ndërkohë, në mënyrë solemne janë ndarë edhe indekset e para për disa nga studentët e rinj të Fakultetit të Mjekësisë.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve