Connect with us

Lajme nga vendi

Shtekli pësoi sulm epileptik dhe u rrëzua në sallën e gjyqit, shtyhet seanca gjyqësore

Published

on

Seanca gjyqësore për rastin “Shtekli”, ku disa persona akuzohen për shitje të organizuar të drogës, është shtyrë për më 9 tetor, me kërkesë të avokatit të të pandehurit të parë, Rade Trajkovski – i njohur si Shtekli.

Para fillimit të seancës së sotme, Shtekli pësoi një krizë epileptike dhe u rrëzua në sallën e gjyqit. Pas ndihmës së mjekëve të urgjencës, ai refuzoi të marrë terapinë e ofruar, duke deklaruar se është duke marrë trajtim tjetër në burg. Në vijim, Gjykata vendosi që ai ta ndjekë seancën nga një hapësirë tjetër brenda gjykatës.

Mjekja e urgjencës deklaroi:

“E kontrolluam dhe ishte i kontaktueshëm, por vetë tha se nuk e dinte ku ndodhej. Refuzoi të marrë terapi sepse po përdor trajtim tjetër në burg. Nuk dëshironte as të nënshkruajë deklaratë për refuzimin e terapisë.”

Avokati i tij, Sashko Dukovski, reagoi duke theksuar se një krizë epileptike tek një person i diagnostikuar me këtë sëmundje nuk mund të konsiderohet prishje e rendit në sallën gjyqësore.

“Që nga fillimi i seancës, Rade Trajkovski nuk ka fyer dhe nuk ka prishur rendin. Menjëherë para nisjes së saj ai pati një krizë epileptike. I pandehuri është ekzaminuar dje dhe ka marrë terapi nga psikiatri, pasi kishte ide vetëvrasëse. Është e rëndësishme të dihet nëse ai e mori terapinë sot, pasi mungesa e saj mund të sjellë pasoja të tilla,” tha Dukovski, duke shtuar se mbrojtja nuk ka interes në zvarritjen e procesit.

Advertisement
Ai nënvizoi se refuzimi i një doze diazepami nuk mund të trajtohet si sjellje që prish rendin e seancës dhe kërkoi që Gjykata të caktojë një datë të re, duke urdhëruar mjekun e burgut të verifikojë nëse Shtekli ka marrë trajtimin e nevojshëm.

Nga ana tjetër, gjyqtari Ilija Tërpkov theksoi se gjykata ka për detyrë ta zhvillojë procesin në mënyrë efikase, duke respektuar të drejtat e të pandehurve dhe gjendjen e tyre shëndetësore.

“Këtu nuk është vetëm Rade, por edhe të pandehur të tjerë. Duke qenë se tashmë është ora 14:00 dhe mbeten shumë pyetje për t’u bërë, seanca shtyhet për më 9 tetor. Por, dua të theksoj se çdo përpjekje për vonesa do të sanksionohet,” deklaroi gjyqtari Tërpkov.

Aktakuza dhe struktura e grupit

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar përfshin gjithsej 10 persona, pas një hetimi gati njëvjeçar, ku janë përdorur masa të posaçme hetimore. Fillimisht ishin përfshirë 16 të dyshuar, por shtatë prej tyre kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burg nga 3 deri në 3.5 vjet.

Katër të pandehur të tjerë – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branislav Zajkov – gjithashtu kanë pranuar fajësinë, ndaj Gjykata vendosi ndarjen e procedurës penale për ta.

Sipas Prokurorisë, grupi kriminal ishte i organizuar mirë dhe me role të përcaktuara qartë – nga sigurimi deri te shpërndarja e kokainës dhe marihuanës. Droga ruhej në apartamente me qira dhe shitej me çmime prej 4,500 deri 6,000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi mes anëtarëve bëhej përmes aplikacionit Snapchat, ndërsa provat kryesore u siguruan përmes sistemit amerikan të analizës së telefonave celularë “Cellebrite”, i dhuruar nga SHBA.

Advertisement

Lajme nga vendi

Besnik Xhemaili zgjidhet zëvendëskryetar i Antikorrupsionit

Published

on

Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Besnik Xhemaili, është zgjedhur zëvendëskryetar i KSHPK-së, funksion që do ta kryejë gjashtë muaj.

Zgjedhja e zëvendëskryetarit të KSHPK-së është kryer sipas parimit të rotacionit, dhe renditja u përcaktua sipas rendit alfabetik të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së, shpjegoi kryetari Adem Çuçuli.

“Mandati i zëvendëskryetares aktuale të KSHPK-së, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, ndërsa mandati i zëvendëskryetarit të ri, Besnik Xhemaili, do të fillojë më 19 gusht të këtij viti”, theksoi Çuçul, propozimi i të cilit u pranua unanimisht.

Në seancën e sotme të KSHPK-së, kryetari Çuçul informoi se Komisioni ka evidentuar 30 persona të zgjedhur, të emëruar ose mandati i të cilëve ka përfunduar në prill, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën e gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesit brenda afatit ligjor. Për të gjithë personat, theksoi Çuçul, do të iniciohen procedura kundërvajtëse dhe shqiptohen gjoba.

Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot morën 51 vendime për të njëjtin numër rastesh nga ankues të njohur ose të panjohur në KSHPK.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Uji në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik, nuk lejohet për pirje

Published

on

Uji nga ujësjellësi në Gostivar mbetet vetëm për përdorim teknik dhe ende nuk ka rekomandim që të përdoret për pirje ose gatim, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Sipas tij, arsyeja është paraqitja e një bakteri rezidual në instalimet e ujësjellësit, për shkak të të cilit uji vazhdon të jetë i ndaluar për konsum.

Duke komentuar akuzat ndaj Qeverisë se nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar ndotjen e ujit në Gostivar, Mickoski tha se në vitin 2021, kur lideri i SDSM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, ishin regjistruar mbi 400 ankesa për cilësinë e ujit në Gostivar.

Kryeministri i bëri thirrje Prokurorisë që t’i verifikojë këto pretendime, të hapë procedurë dhe të kryejë kontrolle në Institutin e Shëndetit Publik dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Sipas Mickoskit, institucionet kompetente duhet të sqarojnë pse, edhe pse kanë pasur mundësi të reagojnë, nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Gostivarit.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Skandal me provimin e Stomatologjisë: Studentja i pagoi ryshfet profesorëve, policia kapi mijëra euro

Published

on

Njësia për Krim Financiar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë korruptive lidhur me përfitimin e paligjshëm të certifikatës për provimin profesional në stomatologji.

Gjatë kontrolleve te dy prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.

Sipas MPB-së, A.T. (27) nga Manastiri, studente e stomatologjisë, gjatë dhjetorit 2025 ka komunikuar disa herë përmes aplikacionit Viber me S.Ç. (56) nga Gostivari, profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.

Siç njofton MPB-ja, pasi arritën marrëveshje, studentja i ka transferuar para në llogarinë bankare profesorit, me qëllim që ai të përdorte ndikimin e tij për t’i mundësuar marrjen e certifikatës si punëtore shëndetësore, edhe pse nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.

Sipas kallëzimit penal, profesori më pas ka ndërhyrë te S.E. (63) nga Shkupi, i cili në atë periudhë ishte kryetar i Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Advertisement

Më 17 dhjetor 2025, studentja është paraqitur para komisionit, ka kaluar provimin dhe më pas ka marrë certifikatën shtetërore.

Gjatë aksionit, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë kanë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve të dytë dhe të tretë, ku janë sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.

“Në bazë të provave të siguruara, A.T. dyshohet për veprën penale dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, S.Ç. për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa S.E. për marrje ryshfeti”, njoftoi MPB.

Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me skemën e dyshuar korruptive.

Advertisement
Continue Reading

Më të lexuarat