Lajme nga vendi
Maqedoni Takim për sëmundjet e rralla të EJL-së në Ohër

Takimi jubilar i dhjetë për sëmundjet e rralla të Evropës Juglindore fillon sot në Ohër dhe do të zgjasë deri më 4 tetor.
Në takim do të marrin pjesë ekspertë, mjekë, shkencëtarë, organizata pacientësh dhe përfaqësues nga institucionet e kujdesit shëndetësor nga Evropa Juglindore dhe më gjerë. Do të diskutohen arritjet më të fundit në diagnostikë dhe terapi, do të shkëmbehen përvoja dhe do të përcaktohen strategji për përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve me sëmundje të rralla, informon këshilli organizativ.
Këtë vit, potencojnë, shënojmë një jubilej të rëndësishëm – dhjetë vite përkushtim, bashkëpunim dhe progres në adresimin e sfidave të sëmundjeve të rralla në rajon.
Lajme nga vendi
Kasami: Epoka e Tetovës me gropa ka marrë fund, investime prej 7 milionë euro në infrastrukturë

Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, vizitoi lagjen Bllok 70 në Tetovë ku janë kryer disa punë infrastrukturore. Kasami me këtë rast tha se Tetovën e gjetëm të rrënuar, sinonim i gropave dhe infrastrukturës së shkatërruar, një qytet në kolaps. “Sot, lagje pas lagje, Tetova po transformohet dhe po merr pamje tjetër. Sot erdha të shoh punimet në Bllok 70, një lagje e harruar nga pushteti i mëparshëm, me shumë probleme infrastrukturore. Në bashkëpunim me Qeverinë, me një investim prej 15 milionë denarë arritëm në transformimin e plotë të Bllokut Urban 70. Në kuadër të këtyre projekteve për transformimin total të infrastrukturës rrugore të qytetit tonë, po ndërtojmë shumicën e rrugëve në lagjen Drenovec, lagjen Teqe, lagjen Potok, lagjen Kolltuk, lagjen Jashtë Vardari, lagjen tek Xhamia e Rinisë, lagjen Tetovarja, lagjen Cetinskë, bllokun urban përballë Tregut të Gjelbërt apo siç njihet lagjeja Hajduçka”, deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami.
Kasami nënvizoi se edhe në vendbanimet rurale janë duke u bërë investime infrastrukturore. “Edhe në Reçicë të Vogël, Reçicë të Madhe, Xhepçisht, Sellcë, Shipkovicë, Llacë, Saraqinë dhe në shumë lagje dhe fshatra tjerë ndërtuam dhe po ndërtojmë infrastrukturën rrugore, duke i transformuar në fshatra dhe lagje evropiane”, theksoi Kasami.
Ai më tej tha se rreth 7 milionë euro po investohen për infrastrukturën bazë dhe për ndërtimin e rrugëve të reja moderne për lagjet dhe fshatrat e Tetovës. “Nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Gjithsej rreth 430 milionë denarë, ose rreth 7 milionë euro po investohen për infrastrukturën bazë dhe për ndërtimin e rrugëve të reja moderne për lagjet dhe fshatrat e Tetovës. Hap pas hapi po e transformojmë Tetovën në një qytet modern dhe urban, duke mbyllur shumicën e problemeve infrastrukturore. Epoka e kaosit, papërgjegjësisë, Tetovës së rrënuar dhe me gropa ka marrë fund. Progresi që kemi arritur në këto 4 vjet nuk guxon të ndalet. Tetova nuk guxon të kthehet prapa. Tetova vazhdon përpara me Kapitullin e dytë të zhvillimit. Edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm”, tha Kasami.
Ai është shprehur se ka filluar pastrimi i kanalit në Reçicë të Vogël. “Ky aktivitet është pjesë e angazhimeve të Komunës së Tetovës për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e një mjedisi më të pastër e më të sigurt për qytetarët”, nënvizoi ai. Bilall Kasami është në garë për mandatin e dytë në krye të Komunës së Tetovës.
Lajme nga vendi
Janevska: Po i intensifikojmë aktivitetet parandaluese në shkolla për të penguar të rinjtë të përdorin duhan dhe cigare elektronike

Nën organizimin e Analitika Tink Tenk, sot në Shkup u mbajt punëtori rajonale me temën „Përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet medieve, ekspertëve dhe institucioneve për politika më të mira të kontrollit të duhanit dhe mbrojtje të shëndetit publik në Ballkanin Perëndimor“. Në diskutim mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila theksoi se arsimi është mekanizmi më i mirë për rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë për zakonet e shëndetshme dhe kujdesin ndaj shëndetit personal.
„Sistemi ynë edukativo-arsimor është strukturuar në mënyrë që njohuritë shëndetësore të përfaqësohen në të gjitha klasat në lëndët e rregullta, veçanërisht në “Shkencat natyrore”, dhe nga ky vit shkollor kemi futur një lëndë të re zgjedhore në klasën e 7-të „Mësoj për shëndetin tim“dhe me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë përgatitëm udhëzues për mësimdhënësitpër mënyrën e mësimdhënies së materies, e cila përfshin edhe aspekte të dedikuara pasojave shëndetësore nga përdorimi i duhanit dhe cigareve elektronike“, theksoi Janevska.
Duke folur për masat që po zbatohen në nivel kombëtar si pjesë e politikave parandaluese, ministrja theksoi se këtë vit, me ndryshimet ligjore, shkollat fillore dhe të mesme janë të detyruara, krahas programeve për mbrojtje nga dhuna, abuzimi dhe neglizhimi i nxënësve, parandalimin e diskriminimit, delikuencës së të miturve dhe të ngjashme, të zbatojnë edhe programe për parandalimin e abuzimit me alkoolin dhe duhanin, abuzimit me droga dhe substanca të tjera psikotrope.
„Në vitin e ri shkollor, MASH-i dhe BZHA së bashku me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin dhe Federatën Ndërkombëtare të Lions Club, do të trajnojnë 50 bashkëpunëtorë profesionalë dhe 150 mësimdhënës në 50 shkolla fillore për të realizuar programin parandalues „Aftësi për Adoleshencën“. Bëhet fjalë për program i strukturuar, i cili bazohet në prova, për parandalimin e përdorimit të cigareve, drogës dhe alkoolit, dhe i cili deri më tani është zbatuar me sukses në 105 vende në mbarë botën“, shtoi ministrja.
Ajo theksoi se gjithmonë ka hapësirë për avancimin e edukimit shëndetësor në shkolla dhe se institucionet po punojnë në atë drejtim.
„Arsimi është materie e gjallë dhe përshtatet me kohën dhe trendet. Kam pritshmëri që pikërisht nga kjo punëtori, përvojat dhe praktikat e ndryshme të ndara do të na ndihmojnë të gjithëve që t’i avancojmë politikat kombëtare“u shpreh Janevska.
Në punëtorinë që ka për qëllim të lidhë përfaqësues të mediеve, studiuesve, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, të inkurajojë bashkëpunim më të fortë dhe të theksojë rëndësinë e masave për kontrollin e duhanit të bazuara në dëshmi, në përputhje me prioritetet për integrim në BE, përveç përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe sektorit civil në vendet e rajonit, morën pjesë edhe profesorë nga Fakulteti i Shëndetit Publik pranë Universitetit Amerikan “Xhons Hopkins”.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Lajme nga vendi
Nxënësit e shkollave fillore në RMV konsumojnë pije energjike, si rezultat përjetojnë takikardi dhe presion të lartë të gjakut

Çmimet e ulëta, dhe rrjedhimisht disponueshmëria më e lehtë, kanë kontribuar në rritjen e ndjeshme të përdorimit të pijeve energjike midis nxënësve në vitet e fundit. Edhe pse ka ligj që ndalon shitjen e tyre fëmijëve nën 18 vjeç, rrallë mund të jetë problem që një i mitur të shkojë në një dyqan lokal dhe të blejë një kanaçe pije energjike, çmimi i së cilës varion nga 40 denarë e lart, transmeton Portalb.mk.
Kohët e fundit, punonjësit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë folën me nxënësit në Shkollën e Mesme Josip Broz Tito rreth efekteve të dëmshme të këtyre pijeve.
“Kur i konsumoni, keni më shumë energji dhe kjo përmirëson përqendrimin tuaj për momentin, por në planin afatgjatë këto pije mund të shkaktojnë pasoja serioze shëndetësore. Pijet energjike përmbajnë nivele të larta të kafeinës dhe stimuluesve taurinë dhe guarana, të cilat kur konsumohen mund të çojnë në: rritje të presionit të gjakut, pagjumësi, nervozizëm dhe ankth, rrahje të shpejta të zemrës, varësi dhe sëmundje serioze kardiovaskulare”, iu tha nxënësve.
AUV foli për rreziqet e kombinimit të pijeve energjike me alkoolin, dhe gjithashtu u theksua se kur blihet ushqim, është shumë e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje etiketimit të produkteve.
“Pretendimet shëndetësore dhe ushqyese të produkteve ushqimore duhet të mbështeten dhe miratohen shkencërisht paraprakisht. Prioriteti ynë është të ofrojmë informacion të saktë, të qartë dhe të verifikuar mbi deklaratat, në mënyrë që qytetarët të mund të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të jenë të informuar kur blejnë ushqim”, tha Zhaneta Mijoska nga AUV.
Meta.mk shkroi se mjekët paralajmërojnë gjithashtu për efektet e dëmshme në trupin e fëmijëve për shkak të përbërësve taurinë dhe kafeinë. Klinika e Toksikologjisë ka vazhdimisht pacientë të rinj, por edhe të rritur, të cilët kërkojnë ndihmë pasi kanë pirë sasi të madhe pijesh energjike.
Toksikologu Dr. Niko Beqarovski nga kjo klinikë thotë se nuk është e pazakontë që pacientët, pasi kanë pirë dy pije energjike, të kenë takikardi të tmerrshme dhe presion të lartë të gjakut.
“Të gjitha këto pije energjike, nëse kombinohen me droga psikostimuluese si ekstazia, marihuana ose kanabinoide të tjera (diçka që ndodh shpesh), në ato raste efekti si i pijes energjike ashtu edhe i drogës rritet. Kjo do të thotë që nëse keni edhe një psikostimulues brenda jush, pulsi juaj do të shkojë deri në 140. Të rinjtë që kërkojnë ndihmë në klinikë rrallë pranojnë se çfarë kanë konsumuar. Ata thonë se kanë pirë një pije energjike, por fshehin se kanë konsumuar edhe drogë. Por analiza e urinës i zbulon ato”, thotë mjeku, i cili thotë se po të vendoste ai, do të ndalonte pijet energjike.
“Të rinjtë pinë gjithnjë e më shumë sasi të mëdha kafeje gjithsesi, kështu që keni kafe nga njëra anë, plus një pije energjike, e cila përmban taurinë dhe kafeinë. Në këtë mënyrë merrni një dozë të dyfishtë kafeine. Këto janë stimulues ekstremë dhe papritmas e stresojnë organizmin e ri”, shpjegon mjeku.
Mjekët prej kohësh ngrenë alarmin se numri i fëmijëve me probleme kardiake si pasojë e konsumimit të pijeve energjike po rritet çdo ditë.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve