Lajme nga vendi
Gjykata miratoi ktakuzën për zjarrin në Koçan, procedura kundër 37 të pandehurve do të zhvillohet në Shkup
Aktakuza për zjarrin në diskotekën e Koçanit “Puls” është miratuar plotësisht, njoftoi Gjykata Themelore Penale në Shkup. Këshilli për vlerësimin e aktakuzës ka nxjerrë vendim me të cilin miratohet aktakuza, pas së cilës është formuar lëndë penale, e cila i është caktuar një gjyqtari kompetent për procedura të mëtejshme përmes sistemit AKMIS, transmeton Portalb.mk.
Ky është një rast me 37 të pandehur dhe 33 avokatë mbrojtës, të cilin Gjykata Supreme vendosi më 25 qershor ta zhvendosë nga Koçani në Shkup. Shpjegimi ishte se çështja duhet të trajtohet nga “gjyqtarë me përvojë dhe njohuri të fituara për çështjet penale të cilët do të mundësojnë procedura efikase, profesionale dhe ligjore, dhe në të njëjtën kohë do të kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit publik”.
Gjykata Penale thotë se pas marrjes së aktit, ata u përballën me një sërë problemesh, kryesisht me dorëzimin e aktakuzës te të gjitha palët. Siç shpjegojnë ata, ishte jashtëzakonisht e vështirë të gjendeshin të gjithë të pandehurit, sepse urdhri i paraburgimit për shumë prej tyre ishte zëvendësuar, dhe kishte edhe vështirësi në gjetjen e disa prej avokatëve mbrojtës në zyrat e tyre.
Një problem shtesë, sipas gjykatës, ishte se aktakuza fillestare e ngritur nga Gjykata Themelore e Koçanit nuk i kishte renditur plotësisht të dhënat personale të të pandehurve, si dhe adresat ku po vuhet masa e arrestit shtëpiak.
Ndërkohë, dy gjyqtarë duhej të përjashtoheshin nga këshilli i vlerësimit të aktakuzës. Gjyqtarja Biljana Kocevska kërkoi përjashtim sepse vajza e saj është avokate mbrojtëse për disa nga të dyshuarit, dhe gjyqtarja Branka Naumovska për shkak të një marrëdhënieje familjare me njërën nga viktimat. Për shkak të konfliktit të interesit, gjyqtari Ivica Stefanovski u përjashtua gjithashtu nga veprimi në këshillin penal.
Gjykata thotë se pavarësisht të gjitha këtyre sfidave, ata vepruan në mënyrë sa më efikase që mundën, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e procedurës, interesin publik dhe ndjeshmërinë e mbi 250 palëve të dëmtuara dhe familjeve të atyre që vdiqën në zjarr.
Gjykata thotë se palët dhe publiku do të informohen më tej për të gjitha hapat e mëtejshëm në procedurë.
Aktakuza për zjarrin në kabarenë e ashtuquajtur “Pulse” në Koçani u ngrit pothuajse tre muaj pas tragjedisë, më 13 qershor. Janë akuzuar gjithsej 34 individë dhe tre persona juridikë.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 62 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

