Lajme nga vendi
Dauti: Vendoset tabela shqip edhe në vendkalimin kufitar Bellanocë – Stançiq
Zëvëndësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti në profilin e tij ka sjellë në kujtesë vendosjen e tabelës edhe në gjuhën shqipe në pikën kufitare Bellanocë – Stançiq.
Sipas Dautit atë që nuk është bërë më herët, vetëm për një vit qeverisje të VLEN-it u vendos gjuha shqipe aty ku ka munguar.
„Prej 31 janarit 2020, kur u hap pika kufitare Bellanoc – Stançiq, një turp i madh qëndronte në mes të dy vendbanimeve me popullatë 100% shqiptare, tabela vetëm në gjuhën shqipe nuk ishte, veprim që krijonte ndjenjën se këta shqiptarë të këtyre dy zonave janë të padëshiruar. E shpërfillën gjuhën tonë, talleshin me të, merreshin me “çështje madhore”, e tani janë zgjuar dhe po interesohen e po rrahin gjoks për gjuhën shqipe. Për ata është vonë, e për ne tani është koha. E ne këtë kohë po e përdorim për të mbuluar edhe gabimet e së kaluarës“, ka shkruar zëvëndësdrejtori, Mustafa Dauti.
Ai tutje ka shtuar që populli ka vendosur që VLEN të jetë në qeveri dhe kjo ka ndikuar që gjuha shqipe të merr jehonë dhe dinjitet, dhe sipas tij kanë akoma shumë punë për të bërë por vlerëson se epoka e dinjitetit tani ka filluar.
„Populli vendosi të vijmë ne, e me ne erdhi edhe gjuha shqipe. E sollëm aty ku nuk guxuan ta vendosin të tjerët dhe këto janë fakte që s’mund t’i mohojë askush. Gjuha shqipe është në tabelë dimër e verë nuk mund ta ndryshojë, ndalojë e pengojë më askush, po punojmë pa ndalë që gjuha shqipe të jetë gjithkund ku duhet të jetë. Kemi akoma shumë punë. Por, një gjë është e sigurt që epoka e mohimit dhe shpërfilljes ka mbaruar, epoka e dinjitetit ka nisur“, ka përfunduar zëvëndësdrejtori Dauti.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

