Lajme nga vendi
Kontrolle në kuzhinat e kopshteve dhe shkollave në RMV, inspektorët lëshuan nëntë vendime për parregullsi
Në 91 kuzhina kopshtesh për fëmijë dhe 23 shkolla, muajin e kaluar u krye inspektim i jashtëzakonshëm për të kontrolluar kushtet në të cilat përgatitet dhe shërbehet ushqimi, transmeton Portalb.mk.
Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë lëshuan nëntë vendime me urdhra për të eliminuar parregullsitë e identifikuara.
Gjatë inspektimeve, u përcaktua se në dy kopshte, higjiena në kuzhina nuk ishte e kënaqshme, ndërsa në një kopsht stafi i punësuar në kuzhina nuk i ishte nënshtruar një kontrolli të detyrueshëm shëndetësor.
Inspektorët vendosën gjoba për tre kopshte sepse u përcaktua se ushqimi ishte ruajtur në mënyrë të papërshtatshme. AUV thotë se u asgjësuan 24 kilogramë ushqim.
Gjatë inspektimeve të shkollave, u përcaktuan kushte të pakënaqshme vetëm në një kuzhinë. Në dy kuzhina, u përcaktuan devijime në aspektin e prodhimit të mirë dhe praktikave të mira të higjienës.
Për shkak të deklarimit të pasaktë, AUV thotë se 59 kilogramë ushqim u asgjësuan nga shkollat.
Për mospërputhjet e identifikuara në kuzhinat e shkollave, inspektorët e AUV vendosën gjobë, dhe u lëshuan pesë vendime që urdhëronin largimin e tyre.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 28 Korrik
Më 29.07.2026 në orën 01:30, zyrtarët policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria personat G.J.(44) nga fshati Toplicë dhe A.A.(46) nga fshati Çegran, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “muandim i kafshëve”. Ditën e mëparshme, rreth orës 23:45, në hyrje të fshatit Toplicë, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Galatë kanë ndeshur një grup qytetarësh dhe qen me lëndime të dukshme dhe gjakderdhje nga organizimi ilegal i garave luftarake me qen. Sipas denoncimit, personat paraprakisht ishin merrë vesh për të organizuar ndeshjet e qenve. Është kryer këqyrje në vendin e ngjarjes, me ç’rast një qen i lënduar është gjetur në automjetin e udhëtarëve “Fiat”. Personat janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Më 28.07.2026 në orën 19:50 në fshatin Raven të Gostivarit, zyrtarët policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria personin E.O.(29) nga fshati Raven. Paraprakisht, rreth orës 18:35, përpara një objekti hotelerik në fshat, pas një mosmarrëveshjeje të shkurtër, ka pasur një përleshje fizike mes tij dhe personit T.M.(21) nga i njëjti fshat, me ç’rast ai i ka shkaktuar lëndime personit T.M. me një mjet të mprehtë. Për ngjarjen është njoftuar prokurori publik, ndërsa këqyrjen në vendin e ngjarjes e ka kryer ekipi i DPB Gostivar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë kallëzimi përkatës.
……Më 28.07.2026 në orën 09:50, zyrtarët policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria personin G.K.(39) nga Gostivari. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “vjedhje” të një kulete ditën e mëparshme në rrugën “Mlladen Grueski” në Gostivar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të dorëzohet parashtresa përkatëse.
…….Më 28.07.2026 në orën 21:30 në fshatin Urviç, në bazë të urdhëresës gjyqësore, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Kamjan kanë arrestuar personin A.N.(43) nga i njëjti fshat. Ai kërkohej për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 202 lidhur me nenin 45 të Kodit Penal. Personi është shoqëruar dhe dorëzuar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
…….Më 29.07.2026 në orën 01:25 në fshatin Bogovinë të Tetovës, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Kamjan kanë privuar nga liria personin Sh.K.(56) nga fshati Kalisht, Komuna e Vrapçishtit. Gjatë kontrollit në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Skoda” me targa të Gostivarit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte automjetin pa leje drejtimi, gjegjësishtë pa patentë shoferi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….Më 28.07.2026 në orën 21:20 në Qendrën Klinike në Tetovë, R.R.(45) nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 20:10 përpara ndërtesës ku banon në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, pas një mosmarrëveshjeje të shkurtër rreth parkimit të një automjeti, është sulmuar fizikisht nga G.S.. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
…….Më 28.07.2026 në orën 22:10, zyrtarët policorë që nuk ishin të angazhuar në detyrë zyrtare, në afërsi të Sheshit të Qytetit në Tetovë kanë vërejtur prishje të rendit dhe qetësisë publike me përleshje fizike mes disa personave të rinj. Pas urdhrit të dhënë për ndërprerje dhe legitimim, një pjesë e personave janë arratisur, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur tre të mitur, një 16-vjeçar dhe dy 17-vjeçarë nga Tetova, me ç’rast njëri nga 17-vjeçarët është sjellë në mënyrë agresive dhe ka drejtuar ofendime ndaj zyrtarëve policorë. Ai është ndaluar dhe mbajtur në stacionin policor, me ç’rast tek ai është gjetur dhe konfiskuar një boks metalik. Ndërsa, pas alkooltestit të kryer, i janë matur 0.51 promilë alkool në gjak. Në prani të prindit, me të është kryer një bisedë zyrtare dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Më 29.07.2026 në orën 01:10 në SPB Tetovë, një grua 32-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 përpara ndërtesës ku banon në Bllokun 70 është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj B.I. nga Tetova. Këtë mëngjes, ai vetë është paraqitur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Më 28.07.2026 në orën 17:55 në DPB Gostivar, nga Qendra Urgjente Gostivar është denoncuar se tek ata me lëndime të rënda është sjellë R.S.(62) nga Gostivari. Sipas denoncimit, ai i ka marrë lëndimet gjatë kryerjes së detyrave të punës në deponinë “Rusino”, përkatësisht ka rënë gjatë përpjekjes për t’u ngjitur në Eskavator. Këqyrjen në vendin e ngjarjes e ka kryer ekipi i DPB Gostivar.
…….Më 29.07.2026 në orën 01:40 në SPB Tetovë është denoncuar se në rrugën “Jasht Vardarit” në Tetovë ka shpërthyer zjarr në një objekt në ndërtim e sipër brenda rrethit të ish-fabrikës “Teteks”, ku janë djegur dërrasa. Zjarri është fikur nga ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit Tetovë, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrjen e ka kryer ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
E hëna ditë pushimi, fundjavë e zgjatur për qytetarët
Meqë 2 Gushti bie të dielën, në përputhje me Ligjin për Festat, e hëna, 3 gusht, do të jetë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Kështu, të punësuarit do të kenë tri ditë radhazi pushim – të shtunën, të dielën dhe të hënën, që për shumë prej tyre do të jetë mundësi për një pushim të shkurtër ose udhëtim.
Ilindeni është një nga festat më të rëndësishme shtetërore, me të cilën shënohen Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe Mbledhja e Parë e ASNOM-it në vitin 1944, dy ngjarje historike me rëndësi të veçantë në historinë maqedonase.
Lajme nga vendi
Ministria e Energjisë: Subvencione prej 30.000 denarësh për kyçje në gaz
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para vazhdon me zbatimin e masave që sigurojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për qytetarët dhe nxisin investimet në mënyra më ekonomike, më efikase dhe më të pastra të ngrohjes.
Aktualisht është i hapur thirrja publike për ndarjen e subvencioneve për kyçje në gaz natyror dhe për blerjen e kaldajës me gaz, përmes së cilës amvisëritë mund të përfitojnë mbështetje financiare deri në 30.000 denarë, respektivisht deri në 70% të shpenzimeve të kryera.
Ministria rikujton se afati për dorëzimin e kërkesave është 31 tetor 2026, dhe të gjithë qytetarët e interesuar që i plotësojnë kushtet kanë mjaftueshëm kohë për ta shfrytëzuar këtë mundësi.
Me këtë masë, shteti jo vetëm që u ndihmon familjeve të ulin shpenzimet e investimit, por kontribuon edhe në rritjen e efikasitetit energjetik, përdorimin e energjensave më të pastër dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor.
Të drejtë për mbështetje financiare kanë amvisëritë që gjatë vitit 2026 do të realizojnë kyçje shtëpiake në sistemin e shpërndarjes së gazit natyror, si dhe amvisëritë që do të blejnë kaldajë me gaz natyror për objekt që ka qenë i kyçur në sistem deri më 1 janar 2026. Për një amvisëri mund të dorëzohet vetëm një kërkesë.
Për këtë masë janë siguruar 3 milionë denarë, ndërsa mjetet do të ndahen sipas kushteve të përcaktuara në thirrjen publike. Ndarja e mjeteve do të bëhet sipas parimit “i pari vjen – i pari shërbehet”, deri në shterimin e buxhetit të paraparë.
Më shumë informacione janë të disponueshme në faqen zyrtare të ministrisë:
energy.gov.mk/mk-MK/odnosi-so-javnost/javni-oglasi/javen-oglas-za-nadomestuvanje-na-del-od-trosocite-za-izvedba-na-priklucok-na-sistemot-za-distribucija-na-gas-vo-rsm-ili-za-nabavka-na-kotel-na-gas-na-izvrsen-priklucok-na-sistemot-za-distribucija-na-gas-oktomvri
Pas përfundimit të afatit, komisioni i formuar nga Ministria do t’i shqyrtojë aplikimet e dorëzuara, ndërsa mbështetja financiare do t’u paguhet të gjithë përfituesve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara.
Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që planifikojnë kyçje në gaz natyror ose blerje të kaldajës me gaz të mos e humbin mundësinë për mbështetje shtetërore dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në kohë.
Mbështetja e qytetarëve mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para. Përmes masave konkrete dhe subvencioneve, Ministria vazhdon të zbatojë politika që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për amvisëritë, ulin kostot e energjisë dhe përshpejtojnë kalimin drejt zgjidhjeve më efikase dhe më të qëndrueshme të ngrohjes.

