Lajme nga vendi
*Fetai: Taravari asnjëherë s’u përplas me VMRO-në derisa ishte në Qeveri!*
Në emisionin “Rishtaz” të gazetës Koha, zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe një nga liderët e VLEN-it, Arben Fetai, reagoi ndaj deklaratave të Arben Taravarit për “fuqinë e VLEN-it në Qeveri”, duke theksuar se Taravari gjatë gjithë kohës sa ishte pjesë e pushtetit nuk ka pasur asnjë përplasje apo mospajtim me VMRO-DPMNE-në.
“Nuk ekziston asnjë pikë me të cilën Arben Taravari, derisa ishte në Qeveri, është mospajtuar me VMRO-DPMNE-në. Unë e di se jemi marrë vesh me kryeministrin Mickoski për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, si në kuadër të programit të Qeverisë ashtu edhe në zbatim praktik. E mbaj mend qartë, në praninë time, Taravari, me kërkesën time, e ka marrë në telefon Mickoskin dhe i ka thënë se ‘tash duhet të fillojmë punën për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat’, dhe aty jemi pajtuar me një telefonatë”, tha Fetai.
Ai sqaroi se hartimin e këtij ligji e kishte bërë që para tre apo katër vitesh me një grup ekspertësh, dokument që ia kishte dorëzuar aso kohe Zijadin Selës.
“I thashë merre Ligjin, procesoje e ke ministrin e Drejtësisë, ke deputetët si pjesë e shumicës parlamentare por nuk e ka bërë asnjëherë. As Arben Taravari nuk e ka bërë asnjëherë. Unë e kam çuar përpara atë punë nga janari deri në qershor”, shtoi Fetai.
Sipas tij, tashmë është sjellë projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili ka shkuar në Komisionin e Venecias, në përputhje me marrëveshjen e arritur më nga Taravari.
Fetai theksoi se ky ligj është një nga katër shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.
Lajme nga vendi
VLEN: Premtimi për stadiumin e KF Bashkimi po bëhet realitet
Sporti është një nga fushat ku investimi në infrastrukturë krijon drejtpërdrejt mundësi të reja për fëmijët dhe të rinjtë.
Në këtë drejtim, në Kumanovë kanë nisur zyrtarisht punimet për rikonstruksionin e plotë të stadiumit ndihmës të KF Bashkimi, një projekt i premtuar për dy dekada, por që deri më tani kishte mbetur vetëm në letër.
Me nisjen e punimeve, ky premtim po shndërrohet në një investim konkret. Pas përfundimit të projektit, fëmijët dhe futbollistët e rinj të Kumanovës do të kenë në dispozicion një hapësirë moderne dhe të sigurt për stërvitje dhe përgatitje.
Në realizimin e këtij projekti një rol të rëndësishëm ka pasur zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini, përmes angazhimit institucional për avancimin e projektit dhe krijimin e kushteve më të mira për sportistët e rinj.
Ky investim është dëshmi se infrastruktura sportive mund të shndërrohet në mundësi konkrete për talentet e reja dhe në hapësira ku fëmijët mund të zhvillojnë potencialin e tyre përmes sportit.
Për VLEN-in, puna në sport vazhdon përmes projekteve konkrete që krijojnë kushte më të mira dhe mundësi të reja për brezat e rinj.
Premtimi u bë projekt. Projekti po bëhet vepër. VLEN në punë.
Lajme nga vendi
8 viktima, 65 të infektuar – Shkupi mbetet epiqendra e virusit të Nilit Perëndimor
Tetë persona kanë humbur jetën nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, ndërsa numri i rasteve të regjistruara ka arritur në 65, sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik deri më 15 shtator.
Shkupi mbetet zona më e prekur, me 60 raste. Numri më i madh i infeksioneve është regjistruar në komunën e Kisella Vodës, veçanërisht në Draçevë, si dhe në territorin e komunës së Gazi Babës.
Jashtë Shkupit janë konfirmuar nga dy raste në Veles, ndërsa nga një rast në Kumanovë, Sveti Nikollë dhe Kavadar.
Nga 65 rastet, 60 janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa pesë konsiderohen të mundshme. Në 64 raste infeksioni është transmetuar lokalisht, ndërsa një person kishte qëndruar në Greqi gjatë periudhës së inkubacionit.
Shumica e të infektuarve janë meshkuj – 51 raste, ndërsa 14 janë gra.
Në 63 pacientë është zhvilluar forma neuroinvazive e sëmundjes, duke kërkuar trajtim spitalor. Tetë prej tyre kanë ndërruar jetë.
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave, ndërsa në Shkup po zhvillohet edhe dezinsektimi kundër mushkonjave të rritura. Spërkatja është planifikuar nga 16 deri më 19 shtator, gjatë orëve të natës, nëse kushtet atmosferike e lejojnë.
Lajme nga vendi
Ndërroi jetë i riu nga Studeniçani i Shkupit, dyshohet se e goditi rryma derisa po lante veturën me pajisje për larje me presion të lartë
Një 35-vjeçar nga fshati Studeniçan i Shkupit ka ndërruar jetë pasi, sipas informacioneve fillestare, dyshohet se është goditur nga rryma elektrike derisa po përdorte një makinë me presion për larjen e automjetit.
Siç njofton MPB-ja, më 16 shtator, rreth orës 11:40, në SPB Shkup është raportuar se në oborrin e një shtëpie në Studeniçan, në pronësi të A.S. (56), kishte ardhur H.B. (35) nga i njëjti fshat dhe kishte marrë makinën me presion për të larë automjetin.
Në një moment, ai është rrëzuar, me shumë gjasë si pasojë e një goditjeje elektrike.
Me automjet të Ndihmës së Shpejtë, H.B. është dërguar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku ka ndërruar jetë.
Mjeku ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion në Mjekësinë Ligjore.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

