Lajme nga vendi
Mexhiti: Çairi do të bëhet komunë lidere në shfrytëzimin e fondeve evropiane
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti në konferencën e sotme për media theksoi rëndësinë e zgjerimit të burimeve buxhetore përmes fondeve evropiane, me theks të veçantë në programin Horizon Europe, si një mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm dhe modernizim të komunës.
Mexhiti, i shoqëruar nga këshilltari i tij për financa dhe buxhet, Bujamin Bela, tha se prioritet i ekipit të tij është krijimi i një
diversiteti në strukturën buxhetore dhe sigurimi i burimeve të reja të financimit për të shtuar investimet kapitale dhe projektet afatgjata zhvillimore.
“Ne si prioritet e kemi të krijomë një diversitet në strukturën buxhetore dhe burrimet e financimit për ta shtuar masën dhe hapsirën për investime kapitale dhe projekte zhvillimore afatgjata. Në këtë drejtim në vazhdimësi po hulumtojmë mënyra të ndyshme të financimit për ta bërë një Çair më të zhvilluar, inovativ dhe konkurrues, Sipas informacioneve deri më tani, Maqedonia e Veriut ka përfituar vetëm rreth 12 milionë euro neto nga programet e Horizon-it që përbën vetëm 0.03% të shumës së përgjithshme të fondeve të disponueshme. Ky është një tregues i qartë se kemi hapësirë të madhe për rritje, dhe është koha që komunat tona, e sidomos Çairi, të marrin më shumë rol në këtë drejtim”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se Çairi do të ndjekë një qasje të re zhvillimore, duke aplikuar për projekte që sjellin më shumë investime, vende pune dhe shërbime cilësore për qytetarët, përmes fondeve evropiane dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Në fjalimin e tij, Mexhiti prezantoi katër prioritete të programit të tij për zhvillimin e komunës:
1.Energjia dhe efikasiteti energjetik,
2.Tranzicioni i gjelbër dhe menaxhimi i mbeturinave,
3.Digjitalizimi dhe teknologjitë e informacionit,
4.Inovacioni dhe kërkimi shkencor.
Këshilltari për financa dhe buxhet i Izet Mexhitit, Bujamin Bela theksoi se programi Horizon Europe nuk përfaqëson vetëm një burim financiar, por edhe një mundësi të gjerë për integrim dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
“Me një buxhet total prej 95.5 miliardë euro për periudhën 2021–2027, me zgjatje deri më 2035, ky program hap potenciale të mëdha për reforma lokale, zhvillim të qëndrueshëm dhe forcim të lidhjeve me Bashkimin Evropian”, potencoi Bela
-
Ai prezantoi gjithashtu disa nga projektet konkrete me të cilat Çairi ka aplikuar dhe që presin implementimin praktik:
-“Sfidat Urbane dhe Rezistenca Klimatike”, projekt me vlerë totale prej 10 milionë euro, në të cilin Çairi do të marrë pjesë si replikator krahas qyteteve si Barcelona, Berlini, Milano, Lisbona, Porto, Bukureshti dhe Athina;
-“Co4RES”, një nismë evropiane që integron burimet e rinovueshme në rrjetin energjetik, me mbi 39 partnerë nga 15 vende, që përdor mekanizma digjitalë dhe analiza të avancuara të të dhënave për të rritur efikasitetin dhe qëndrueshmërinë energjetike;
-“Qyteti i qëndrueshëm dhe rezistent ndaj ndryshimeve klimatike”, që përfshin gjelbërim urban, menaxhim të nxehtësisë, instalim të sistemeve solare (PV) në shkolla e spitale, si dhe promovim të transportit elektrik dhe eficiencës energjetike.
“Duke parë këto mundësi, ne kemi filluar punën konkrete: Në komunën e Çairit jemi duke krijuar grupe punuese të specializuara për fondet evropiane, të përbëra nga profesionistë të fushave të ndryshme, që do të
përgatisin dhe aplikojnë për projekte konkrete në kuadër të Horizon Europe dhe programeve të tjera të BE-së” theksoi kandidati i koalicionit VLEN për kryetar komune në Çair, Izet Mexhiti.
Në përmbyllje, ai nënvizoi se synimi i tij dhe i ekipit të VLEN-it në Çair është i qartë dhe ambicioz:
“Synimi ynë është i qartë dhe ambicioz: Çairi të bëhet komuna lidere në shfrytëzimin e fondeve evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Së bashku, me përkushtim, transparencë dhe dije, do ta ndërtojmë Çairin e së ardhmes, të gjelbër, digjital dhe inovativ!”, deklaroi Mexhiti.
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

