Lajme nga vendi
2 mijë tonë grurë ose 780 mijë euro u “avulluan” nga Rezervat shtetërore, arrestohen ish-funksionarët
Bastisje, kontrolle dhe kallëzime penale, kundër zyrtarëve të lartë dhe një ish-zëvendësministri…
Në aksion janë përfshirë të paktën 5 zyrtarë dhe menaxherë në Agjencinë e Rezervave të Mallrave, Agro-berza, si dhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave.
Policia, me urdhër të prokurorit, ka realizuar një sërë kontrollesh në shtëpi dhe ambiente të tjera në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, me qëllim mbledhjen e provave për abuzime me rezervat shtetërore të mallrave.
Pesë persona, përfshirë një zëvendësministër, dyshohen se gjatë viteve 2021 dhe 2022 kanë abuzuar me pozicionin dhe autoritetin e tyre zyrtar, duke ndikuar në shlyerjen e 1.500 tonëve grurë komercial dhe 500 tonëve elb, nga rezervat shtetërore të mallrave, ndersa ne këtë mënyre e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 780 mijë euro.
Aksioni po kryhet nga Departamenti për Parandalimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë (OSOSK) në Ministrinë e Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike të Shkupit, dhe përfshin zyrtarë në Agjencinë e Rezervave të Mallrave, Agroberza, dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave.
Deri më tani, 5 persona dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i Pozicionit dhe Autorizimit Zyrtar sipas Nenit 353 të Kodit Penal”, përkatësisht: N.R. dhe T.K., menaxherë në Agjencinë e Rezervave të Mallrave të Shkupit, R.A. – Drejtor i Agjencisë së Rezervave të Mallrave të Shkupit, pastaj M.P. – ekspert në Byronë për Vlerësim në fushën e bujqësisë, si dhe T. D. – ish-zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave. (Plusinfo)
Lajme nga vendi
NASER ZIBERI: “KARPALLAKU” NDËRPREU NEGOCIATAT, “OHRI” MBETI ME ÇËSHTJE TË PAMBYLLURA!
Vonesat në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë si pasojë e mungesës së një mekanizmi të posaçëm që do të monitoronte dhe kontrollonte procesin e implementimit të saj. Kështu vlerëson Naser Ziberi, një nga figurat politike që ka qenë aktiv në procesin e hartimit të kësaj marrëveshjeje.
Në një prononcim për TV Koha, Ziberi përgjegjësinë për vonesat ua atribuon partive politike që gjatë këtyre viteve kanë qenë pjesë e pushtetit. Sipas tij, Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e nënshkruar pas konfliktit të vitit 2001, është dashur të zbatohet në tërësi brenda një periudhe katërvjeçare nga nënshkrimi i saj.
Marrëveshja e Ohrit është larg asaj që shqiptarët së bashku kishin si kërkesë dhe si pritshmëri. Mendoj se gjatë procesit negociues nuk u arritën synimet të cilat, unë së paku vlerësoj se ishte e domosdoshme. Për disa çështje problematike dhe problemi i dytë i Marrëveshjes së Ohrit është prolongimi i tejskajshëm i implementimit të saj në praktikë.
Por, sipas Ziberit, vonesat nuk janë e vetmja problematikë që e ka shoqëruar procesin e zbatimit të marrëveshjes. Ai tregon se vetëm pak ditë para nënshkrimit të saj, negociatat mes dy palëve ishin ndërprerë si pasojë e ngjarjeve në Karpallak. Sipas tij, bisedimet u ndërprenë pikërisht në një moment kur po diskutoheshin disa nga çështjet më të rëndësishme të marrëveshjes, të cilat edhe sot mbeten pjesë e debatit politik.
Defekti i madh i Marrëveshjes së Ohrit është ajo që kjo marrëveshje nuk ka përfunduar me marëveshje. Ajo është nënshkruar, por process negociues i cili përfundon me marrëveshje të dy palëve, nuk ka. Për arsye se bisedat, negociatat në Ohër nuk kanë përfunduar. Janë ndërprerë si rezultat i ngjarjeve të karpallakut dhe kjo për pasojë pat që në M.O të mos mbyllen tre çështje kyçe, siç është çështja e tekstit të preambulës, çështja e përdorimit të gjuhës dhe çështja e arsimit sipëror, universitar, dhe sot në kushtetutë, që është derivat i M.O nuk e kemi të garantuar në gjuhën shqipe arsimin sipëror.
Më 13 gusht shënohen 25 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Pavarësisht mangësive dhe vonesave në zbatimin e saj, Ziberi vlerëson se marrëveshja ka pasur rol të rëndësishëm në avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, më 12 dhe 13 gusht, nën moton “25 përtej”, Qeveria do të organizojë një seri panelesh dhe debatesh. Në fokus do të jenë rëndësia e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, zhvillimet pas nënshkrimit të saj, avancimi i marrëdhënieve ndëretnike, si dhe rruga e vendit drejt integrimit evropian./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Driton Kuçi ambasador edhe për një mandat, Jusufi në Stokholm, Todorovska në Prishtinë
Qeveria ka bërë gati listën e ambasadorëve të rinj që do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në disa prej misioneve diplomatike jashtë vendit. Në mesin e emrave të propozuar janë diplomatë karriere, por edhe persona nga fusha të tjera profesionale, ndërsa disa prej tyre do të marrin mandat të dytë në postet ku tashmë shërbejnë, transmeton portali zyrtare.net.
Në seancë qeveritare ka kaluar emri i Driton Kuçit, për ambasador në Oslo të Norvegjisë, dhe Elma Altorok, për ambasadore në Kajro të Egjiptit.
Ndërkohë, Kuçi tashmë është ambasador në Oslo dhe ky do të jetë mandati i tij i dytë, ndërsa Altorok është aktualisht ushtruese e detyrës në ambasadën në Kajro.
Sipas informacioneve jozyrtare nga burime qeveritare për „Sloboden Peçat“, Filip Pashu është zgjedhur ambasador i Maqedonisë në Athinë. Më 31 dhjetor 2021, ai ishte emëruar ushtrues detyre i drejtorit të NP „Parkingjet e Qytetit“, ku më herët kishte punuar edhe si zëvendësdrejtor dhe kryetar i Bordit Drejtues.
Në Budapest, Maqedoninë do ta përfaqësojë Tatjana Loparski, ish-gazetare dhe tash pronare dhe drejtoreshë ekzekutive e një prej agjencive kryesore të PR-së në Maqedoni, „Element PR“. Ajo konsiderohet eksperte për marrëdhëniet me publikun.
Avokati Jasmin Kalaç është zgjedhja e Qeverisë për ambasador në Sarajevë. Kalaç nuk është ndër avokatët më të njohur që janë angazhuar në raste të bujshme, përveç faktit se është i angazhuar në rastin „Puls“ për tragjedinë në Koçan, si mbrojtës i ish-drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Xhevat Selami.
Më herët janë zgjedhur edhe katër ambasadorë të tjerë, të cilët presin mbrojtjen e tezave në Kuvend. Në Bullgari do të shkojë Krum Efremov, diplomat karriere, i cili më parë ka qenë ambasador në Ukrainë.
Gabriel Atanasov do të jetë ambasador në Rumani, ku më parë kishte shërbyer gjithashtu.
Muharem Jusufi, i punësuar në Ministrinë e punëve të Jashtme do të jetë ambasador në Stokholm, Suedi, ndërsa në Prishtinë do të na përfaqësojë Katerina Todorovska.
Lajme nga vendi
DOGANA SEKUESTROI MBI 3.000 GJILPËRA PËR TATUAZH
Në pikën kufitare Bllatë është parandaluar një tentativë për kontrabandimin e mbi 3 mijë gjilpërave dhe pajisjeve të tjera për tatuazh.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Doganave, zyrtarët doganorë gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti transportues, në hyrje të vendit, kanë zbuluar mallrat që shoferi tentoi t’i fuste ilegalisht në shtet.
“Gjatë kontrollit, përveç gjilpërave, janë zbuluar edhe 60 paketime me gjithsej 7,2 litra ngjyrë për tatuazh, 150 copë pomadë dhe mjete ndihmëse për tatuazh”, njofton Drejtoria e Doganave.
Mallrat janë sekuestruar, ndërsa rasti do të procedohet më tej në përputhje me ligjin.

