Lajme nga vendi
Ndotja e ajrit në Shkup vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve
Ndotja e ajrit në Shkup vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve. Ditët e fundit, niveli i lartë i ndotjes ka ndikuar negativisht ndaj shëndetin e banorëve.
Në një nga rrugët e Shkupit takuam një qytetar me maskë në fytyrë, që mezi merrte frymë teksa ishte ulur të pushonte pak. Tha se sot ishte i detyruar të dalë për disa punë të domosdoshme, megjithëse çdo frymëmarrje e thellë i shkakton djegie në fyt.
“Ndotja, veçanërisht në Shkup, është e jashtëzakonshme, jo vetëm unë…unë jam tashmë një burrë i moshuar dhe vuaj nga HOBB e cila shkaktohet nga ajri i keq ambiental në këtë qytet, presim që të fryjë era ose të bjerë shi ose që bora ta pastrojë dhe kaq”, tha një qytetar.
“Ndihem sikur kam shtypje në fyt, sikur po më mbyt fyti këto dy ose tre ditë në veçanti. Çdo vit ndotet gjithnjë e më shumë. Nuk janë drutë për ngrohje që ndotin, nuk do të pajtohesha që drutë ndotin qytetin, por më shumë nga papastërtia, nga shumë makina, nga ato gazra që nxirren çdo ditë, ka shumë makina në qytet, mendoj se kjo është ajo që shkakton ndotjen”, u shpreh një qytetar.
Disa qytetarë të tjerë vlerësojnë se situata nuk do të përmirësohet vetvetiu. Sipas tyre, nevojitet qasje e qëndrueshme dhe zbatim masash të bazuara në të dhëna shkencore, jo vetëm aktivitete të shpërndara online.
“Ky projekt duhet të ngrihet sistematikisht bazuar në metoda shkencore deterministe që do ta trajtojnë këtë problem, të gjitha aktivitetet e tjera janë aktivitete online”, theksoi një qytetar.
Ndërkohë, shpresa për pastrim të ajrit mbetet te ndryshimi i motit. Reshjet dhe erërat që priten ditëve në vijim mund të sjellin një pastrim të përkohshëm të ajrit, por jo një zgjidhje afatgjatë.
“Presim të shohim mbi 25 litra për metër katror reshje brenda 24 orëve. Gjithashtu të enjten do të kemi reshje më të bollshme, por ato do të jenë më të përhapura në pjesët lindore të vendit. Nga e enjtja do të kemi një masë ajri më të ftohtë që zbret nga veriu ku temperaturat ditore do të ulen me 4 deri në 5 gradë dhe në male reshjet do të jenë nga bora, në malet më të larta mendohet. Ky lloj moti do të zgjasë deri të shtunën dhe të shtunën do të ketë reshje lokale mjaft të lehta, megjithatë, do të jetë ende mot i ndryshueshëm dhe presim stabilizim”, theksoi Lençe Rizova, sinoptike.
Sipas matjeve të fundit nga stacionet monitoruese, sot ndotja e ajrit në Shkup ka rezultuar mesatarisht e lartë, posaçërisht në Qendër të Shkupit, Lisiçe dhe Karposh. Ndotje më e lartë është regjistruar në Kërçovë dhe Gjevgjeli./ Alsat
Lajme nga vendi
Mashtrohet tetovari, mbetet pa veturë e pa para
Më 06.08.2026 në ora 13:40 në SPB Tetovë, një 59-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar se është mashtruar nga personi S.B. nga rajoni i Shkupit. Sipas denoncimit, në prill të vitit 2026 ai me S.B. është marrë vesh që t’i shesë një automjet motorik transportues me targa të Shkupit, pronë e një personi juridik nga Shkupi, për një shumë prej 11.000 eurove me marrëveshje për pagesë me këste. Mirëpo, deri në ditën e denoncimit, shuma e rënë dakord nuk është paguar dhe as automjeti nuk është kthyer. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
Lajme nga vendi
Gjykata Kushtetuese për herë të parë denoncon një gjyqtar
Gjykata Kushtetuese për herë të parë ka kallëzuar një gjyqtar të Gjykatës Themelore Civile Shkup në Prokurorinë Publike dhe në Këshillin Gjyqësor për shkak të moszbatimit të një vendimi të saj, transmeton TV21.
Bëhet fjalë për rastin e gazetares Natasha Stojanovska, lidhur me ngjarjet e 27 prillit 2017.
Gjykata Kushtetuese më herët kishte konstatuar shkelje të së drejtës së saj për lirinë e shprehjes publike dhe kishte urdhëruar rishqyrtimin e rastit.
Megjithatë, Gjykata Themelore Civile e kishte hedhur poshtë kërkesën për përsëritjen e procedurës, duke vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbënte bazë për një gjë të tillë.
Nga Gjykata Kushtetuese thonë se me një veprim të tillë nuk janë respektuar vendimi final.
Për këtë arsye, për herë të parë është aktivizuar mekanizmi i ri për zbatimin e vendimeve, i paraparë me Aktin e Gjykatës, i cili është në fuqi që nga shtatori i vitit 2024.
Lajme nga vendi
DAP: “TURIZËM I DREJTË” – QYTETARËT QË JAPIN ME QIRA AKOMODIME DUHET TË DEKLAROJNË TË ARDHURAT
Me vizita në destinacionet turistike vendase, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) po vazhdon fushatën për një sezon turistik të drejtë, me qëllim që të nxisë pagesën e barabartë të tatimeve nga të gjithë qytetarët që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e kapaciteteve të akomodimit të çdo lloji. Në kulmin e sezonit turistik, nga DAP thonë se shumë pronarë privatë presin mijëra turistë dhe realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave të tyre, pa i deklaruar ato për qëllime tatimore, duke mos përmbushur detyrimet ligjore.
Përfaqësuesit e DAP informuan se janë vazhdimisht në terren për t’u ofruar qytetarëve udhëzime praktike për deklarimin e të ardhurave që personat fizikë realizojnë nga dhënia me qira e apartamenteve, banesave, shtëpive, uikend-shtwpive, dhomave dhe kapaciteteve të tjera të akomodimit, si dhe nga veprimtari të tjera sezonale të lidhura me turizmin.
Deklarimi i të ardhurave nga qiraja ose nënqiraja bëhet në mënyrë elektronike përmes sistemit e-Shërbime Tatimore. Qytetarët që janë të punësuar ose që tashmë kanë përdorur sistemin për skanimin e kuponëve fiskalë kanë profil të krijuar, ndërsa ata që nuk kanë profil duhet ta hapin një të tillë për të deklaruar të ardhurat në kohë.
FIKRET ZENUNI – Në rastet kur qiraja zgjat më pak se 31 ditë gjatë një muaji, deklarimi duhet të bëhet deri më 10 të muajit pasues. Kur pagesa realizohet përmes platformave të huaja, afati është gjithashtu deri më 10 të muajit pasues pas pagesës. Tatimi i miratuar duhet të paguhet jo më vonë se data 15 e muajit për muajin paraprak.
Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet mbi të ardhurat bruto, pra mbi shumën totale të paguar nga mysafiri.
Nga kjo shumë zbriten 10% shpenzime të njohura, nëse objekti jepet i pamobiluar ose 15%, nëse objekti është i mobiluar.
DAP vë theks të veçantë edhe te dhënia me qira përmes platformave digjitale si Airbnb, Booking, Facebook, Kajak dhe platforma të tjera.
Nëse qytetarët nuk i përmbushin detyrimet tatimore, Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat Personale parashikon gjobë prej 50 deri në 250 euro, në kundërvlerë në denarë, për personat fizikë që nuk paraqesin deklarimin për të ardhurat nga qiraja ose nënqiraja./Tv Koha/

