Lajme nga vendi
Aliu për vdekjen e foshnjës në Klinikën E Gjinekologjisë: Presim rezultatet nga Komisioni i Ekspertëve
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, sot është pyetur në lidhje me rastin e vdekjes së foshnjës në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup, për të cili tha se është formuar komision ekspertësh dhe priten rezultatet e raportit.
“Inspektorati Shëndetësor dhe Sanitar ka përfunduar tashmë procedurat dhe kishte edhe konferencë për shtyp. Nuk janë konstatuar procedura administrative që nuk janë zbatuar. Komisioni është formuar dhe sot është në terren. Të presim rezultatet edhe nga obduksioni për të përmbledhur të gjitha gjetjet dhe më pas do të japim informacion”, tha Aliu.
I pyetur se pse Inspektorati nuk kishte marrë parasysh në raportin e tij një njoftim nga shefja e repartit të Klinikës së Gjinekologjisë që tregonte trajtim të pa kujdesshëm të të porsalindurit, ministri shpjegoi se ai ishte në një udhëtim zyrtar dhe nuk kishte mundur të shihte dokumentin.
“Realisht, nuk isha këtu. Dokumenti është në zyrën time dhe nuk arrita ta lexoj. Në komunikim me drejtorin e ISHS-së, më tha se nga ana e tyre rasti është i pastër dhe kështu më dha informacionin. Do të kontrolloj analizat që janë bërë dhe do t’ju informoj”, tha Aliu.
Pas lajmit për vdekjen e të porsalindurit, Inspektorati Shëndetësor Sanitar ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme, duke konstatuar se shkaku i vdekjes ishte pneumotoraks masiv dhe edemë cerebrale. Megjithatë, priten rezultatet e obduksionit që do të tregojnë saktësisht shkakun e vdekjes.
Lajme nga vendi
Mashtrohet tetovari, mbetet pa veturë e pa para
Më 06.08.2026 në ora 13:40 në SPB Tetovë, një 59-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar se është mashtruar nga personi S.B. nga rajoni i Shkupit. Sipas denoncimit, në prill të vitit 2026 ai me S.B. është marrë vesh që t’i shesë një automjet motorik transportues me targa të Shkupit, pronë e një personi juridik nga Shkupi, për një shumë prej 11.000 eurove me marrëveshje për pagesë me këste. Mirëpo, deri në ditën e denoncimit, shuma e rënë dakord nuk është paguar dhe as automjeti nuk është kthyer. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
Lajme nga vendi
Gjykata Kushtetuese për herë të parë denoncon një gjyqtar
Gjykata Kushtetuese për herë të parë ka kallëzuar një gjyqtar të Gjykatës Themelore Civile Shkup në Prokurorinë Publike dhe në Këshillin Gjyqësor për shkak të moszbatimit të një vendimi të saj, transmeton TV21.
Bëhet fjalë për rastin e gazetares Natasha Stojanovska, lidhur me ngjarjet e 27 prillit 2017.
Gjykata Kushtetuese më herët kishte konstatuar shkelje të së drejtës së saj për lirinë e shprehjes publike dhe kishte urdhëruar rishqyrtimin e rastit.
Megjithatë, Gjykata Themelore Civile e kishte hedhur poshtë kërkesën për përsëritjen e procedurës, duke vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbënte bazë për një gjë të tillë.
Nga Gjykata Kushtetuese thonë se me një veprim të tillë nuk janë respektuar vendimi final.
Për këtë arsye, për herë të parë është aktivizuar mekanizmi i ri për zbatimin e vendimeve, i paraparë me Aktin e Gjykatës, i cili është në fuqi që nga shtatori i vitit 2024.
Lajme nga vendi
DAP: “TURIZËM I DREJTË” – QYTETARËT QË JAPIN ME QIRA AKOMODIME DUHET TË DEKLAROJNË TË ARDHURAT
Me vizita në destinacionet turistike vendase, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) po vazhdon fushatën për një sezon turistik të drejtë, me qëllim që të nxisë pagesën e barabartë të tatimeve nga të gjithë qytetarët që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e kapaciteteve të akomodimit të çdo lloji. Në kulmin e sezonit turistik, nga DAP thonë se shumë pronarë privatë presin mijëra turistë dhe realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave të tyre, pa i deklaruar ato për qëllime tatimore, duke mos përmbushur detyrimet ligjore.
Përfaqësuesit e DAP informuan se janë vazhdimisht në terren për t’u ofruar qytetarëve udhëzime praktike për deklarimin e të ardhurave që personat fizikë realizojnë nga dhënia me qira e apartamenteve, banesave, shtëpive, uikend-shtwpive, dhomave dhe kapaciteteve të tjera të akomodimit, si dhe nga veprimtari të tjera sezonale të lidhura me turizmin.
Deklarimi i të ardhurave nga qiraja ose nënqiraja bëhet në mënyrë elektronike përmes sistemit e-Shërbime Tatimore. Qytetarët që janë të punësuar ose që tashmë kanë përdorur sistemin për skanimin e kuponëve fiskalë kanë profil të krijuar, ndërsa ata që nuk kanë profil duhet ta hapin një të tillë për të deklaruar të ardhurat në kohë.
FIKRET ZENUNI – Në rastet kur qiraja zgjat më pak se 31 ditë gjatë një muaji, deklarimi duhet të bëhet deri më 10 të muajit pasues. Kur pagesa realizohet përmes platformave të huaja, afati është gjithashtu deri më 10 të muajit pasues pas pagesës. Tatimi i miratuar duhet të paguhet jo më vonë se data 15 e muajit për muajin paraprak.
Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet mbi të ardhurat bruto, pra mbi shumën totale të paguar nga mysafiri.
Nga kjo shumë zbriten 10% shpenzime të njohura, nëse objekti jepet i pamobiluar ose 15%, nëse objekti është i mobiluar.
DAP vë theks të veçantë edhe te dhënia me qira përmes platformave digjitale si Airbnb, Booking, Facebook, Kajak dhe platforma të tjera.
Nëse qytetarët nuk i përmbushin detyrimet tatimore, Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat Personale parashikon gjobë prej 50 deri në 250 euro, në kundërvlerë në denarë, për personat fizikë që nuk paraqesin deklarimin për të ardhurat nga qiraja ose nënqiraja./Tv Koha/

