Lajme nga vendi
“Qyteti i Sigurt”: Çfarë ndryshon nga shkurti për shoferët në Maqedoninë e Veriut?
Maqedonia e Veriut po ndërmerr hapa drejt rritjes së sigurisë në komunikacion, duke vendosur një sistem të avancuar të mbikëqyrjes me kamera. Përmes projektit “Qyteti i Sigurt”, autoritetet synojnë t’i zvogëlojnë shkeljet rrugore, t’i parandalojnë aksidentet dhe ta ulin numrin e të lënduarve dhe viktimave në trafik.
Gjatë një periudhe testimi, kamerat kanë regjistruar katër shkelje rrugore. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton se diapazoni do të zgjerohet dhe se projekti “Qyteti i Sigurt” do të zbatohet në të gjithë territorin e shtetit.
Sipas statistikave dhe pohimeve të policisë, kamerat tashmë po i “edukojnë” shoferët, pasi në Shkup është ulur si numri i shkeljeve dhe i të lënduarve në komunikacion.
Çfarë dihet deri tani para se të nisë zbatimi i projektit më 1 shkurt?
Periudha testuese filloi më 1 dhjetor 2025 dhe do të përfundojë në fund të janarit. Gjatë periudhës testuese, shoferët do të marrin vetëm vërejtje, ndërsa nga 1 shkurti 2026 do të shqiptohen gjoba për shkeljet që do t’i regjistrojnë kamerat.
Përveç kryeqytetit Shkup, sistemi do të jetë aktiv edhe në Kumanovë dhe Tetovë. Pajisje janë vendosur edhe në korridoret 8 dhe 10.
Ministria e Brendshme thotë se synimi është që gjatë vitit 2026 projekti të zbatohet në të gjithë territorin e shtetit.
Në fazën fillestare, kamerat regjistrojnë katër shkelje: parkim të parregullt, kalim në dritë të kuqe, drejtim të automjetit me regjistrim të skaduar dhe tejkalim shpejtësie.
Për tejkalimin e shpejtësisë, është paralajmëruar një prag tolerance që do të jetë: 6 kilometra në orë për vendet ku shpejtësia maksimale është deri në 100 kmh; 8 kmh për shpejtësi mbi 100 kmh dhe 12 kmh për vendet ku shpejtësia maksimale e lejuar është mbi 200 kmh.
“Kjo nuk do të thotë se nëse dikush bën ndonjë shkelje gjatë drejtimit të automjetit dhe vozit me 52 kmh, për të nuk do të vlejnë dispozitat e Kodit Penal, nëse kemi lëndim trupor ose lëndim të rëndë trupor të ndonjë pjesëmarrësi në komunikacion”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Përveç kamerave në rrugë, Ministria paralajmëron se do të vihen në përdorim edhe automjete policore, të cilat, gjithashtu përmes kamerave të integruara në sistemin “Qyteti i Sigurt”, do të regjistrojnë shkelje dhe do të dërgojnë vërejtje.
Në të ardhmen, përveç shtrirjes së sistemit në të gjithë shtetin, Ministria planifikon të zgjerojë edhe gamën e shkeljeve që do të detektohen nga kamerat. Megjithatë, për momentin nuk ka afat të saktë.
“Zgjerimi i diapazonit të shkeljeve që do t’i detektojë sistemi ka për qëllim të ulim shkaqet dhe jo vetëm pasojat. Qëllimi përfundimtar është siguria në të gjithë territorin dhe ulja e numrit alarmant të viktimave në komunikacion”, tha Ministria për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Si funksionon sistemi “Qyteti i Sigurt”?
Kur bëhet një shkelje në komunikacion, përmes një mesazhi në numrin e telefonit dhe në adresën e emailit që pronari i automjetit ka lënë gjatë regjistrimit, mbërrin një vërejtje. Në mesazh ka një lidhje (link) që çon drejtpërdrejt te procesverbali i shkeljes. Në ka të dhëna se me cilin automjet është kryer shkelja, në cilën orë, në cilin vend dhe gjoba që duhet të paguhet.
Gjoba i dërgohet në emër të pronarit të automjetit, pavarësisht se kush e ka drejtuar atë.
Gjatë periudhës testuese, një pjesë e qytetarëve kishin edhe vërejtje për dobësitë e sistemit, të cilat institucionet përgjegjëse duhet t’i zgjidhin.
Për parregullsi, ndryshim të të dhënave dhe çështje të tjera që kanë shoferët, Ministria ka hapur një sportel në ndërtesën e vet në Shkup. Ekziston edhe mundësia për dërgimin elektronik të vërejtjeve në adresën e emailit.
Ministria paralajmëron se do të vihet në përdorim edhe një platformë digjitale përmes së cilës qytetarët do të mund t’i përditësojnë të dhënat dhe të marrin informacione nga sistemi “Qyteti i Sigurt”.
Që sistemi të mund të zbatohet, institucionet përkatëse kanë përgatitur edhe ndryshime në një sërë zgjidhjesh ligjore, si ligjet për automjetet, për ekzekutimin e sanksioneve, për kundërvajtjet dhe Kodin Penal. Një pjesë e ndryshimeve tashmë janë miratuar në Kuvend, ndërsa një pjesë janë në procedurë dhe ende duhet të marrin dritën jeshile nga deputetët.
Shumica e qytetarëve e mbështesin projektin
Po çfarë mendojnë qytetarët – a është futja e projektit “Qyteti i Sigurt” një gjë e mirë apo e keqe dhe a do ta përmirësojë sigurinë në komunikacion – ishte edhe pyetja që REL-i ua parashtroi qytetarëve në një video-anketë nëpër kryeqytet. Shumica e tyre e mbështetën projektin.
“Është një punë e shkëlqyer. Duhet të zgjidhet ky kaos në komunikacion. Mendoj se kjo do të jetë parandaluese. Por, ne jemi të tillë – vetëm ndëshkimi funksionon. Politikë ndëshkuese, pa mëshirë për askënd, jo selektive, për disa kështu e për disa ashtu. Për të gjithë njësoj dhe do të vendoset rregulli”, thotë Sllobodan Danevski.
“Është mirë për të vendosur rregull, sepse vozitet shumë shpejt”, theksoi një qytetare nga Shkupi, Dragana.
Megjithatë, ajo shtoi se çështja e privatësisë duhet të rregullohet me ligj.
“Eh, do të përmirësohet”, komentoi me skepticizëm një tjetër qytetar nga Shkupi, duke shtuar: “Do të mbledhin para për Qeverinë”.
Toshkovski: Është ulur numri i të lënduarve
Nga ana tjetër, institucionet përgjegjëse pohojnë se rezultate tashmë ka edhe gjatë rreth një muaji të kaluar – sa zgjat periudha testuese në Shkup – kur bëhet fjalë për sigurinë në komunikacion.
“Me qetësimin e komunikacionit në Shkup, qytetarët kontribuuan drejtpërdrejt në uljen e numrit të të lënduarve që trajtohen në Qendrën e Traumës pranë Qendrës Klinike. Me respektimin e rregullave, që është dukshëm më i madh krahasuar me fillimin e projektit, janë ulur ndjeshëm vërejtjet dhe kemi një ulje konkrete të numrit të personave të lënduar që dërgohen në Klinikën e Traumës”, deklaroi Toshkovski më 26 dhjetor.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria, ditën e parë të fillimit të periudhës testuese – më 1 dhjetor – kamerat në Shkup regjistruan plot 110.000 shkelje. Prej tyre, rreth 90% ishin për tejkalim shpejtësie. Vetëm një ditë më pas, më 2 dhjetor, shifra ra ndjeshëm në 50.652 shkelje për 24 orë.
Pasojat fatale nga aksidentet e komunikacionit në Maqedoninë e Veriut janë mbi mesataren evropiane, e cila është 45 viktima në vit për një milion banorë. Bilanci i zi në rrugët maqedonase është 65 viktima në vit për një milion banorë, ose një të katërtën më shumë se vendet evropiane.
Në tetë muajt e parë të vitit 2025, në aksidente komunikacioni në vend kanë humbur jetën 91 persona, ose mesatarisht 11.3 persona në muaj.
Në vitin 2024, numri i viktimave në rrugë ishte 142 persona, ose mesatarisht 11.8 jetë të humbura në muaj./REL
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

