Lajme nga vendi
Kërkohet paraburgim për shtetaset e Bullgarisë, dyshohen për vjedhje të kartelave bankare dhe portofolëve në Shkup
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë kundër dy shtetaseve të Republikës së Bullgarisë, për të cilat ekziston dyshimi se kanë kryer disa vjedhje, përcjell TV21. Për shtetaset bullgare Prokuroria ka propozuar masën e paraburgimit.
“E dyshuara e parë, në pesë raste, prej të cilave herën e fundit së bashku me të dyshuarën e dytë, nga persona të ndryshëm ka vjedhur portofolë që përmbanin para të gatshme dhe kartela bankare, nga të cilat më pas janë përpjekur të tërheqin shuma shtesë parash. Kështu, më 04.04.2025, në autobusin nr. 7 të NQP-Shkup, në linjën nga Poliklinika “Bukuresht” deri te “Rekordi”, e dyshuara ka vjedhur një portofol që përmbante 2.600 denarë, kartelë bankare dhe dokumente të tjera. Kur i dëmtuari telefonoi bankën për të bllokuar llogarinë, iu tha se nga bankomati tashmë ishin tërhequr 30.000 denarë. Gjatë muajit gusht 2025, në një qendër tregtare në Shkup, ajo ka kryer tri herë vjedhje portofolësh që përmbanin dokumente, kartela, para dhe sende të tjera me vlerë, duke përfituar fillimisht një dobi pasurore të kundërligjshme prej 39.000 denarësh. Më pas, nga kartelat është përpjekur të nxjerrë edhe para të tjera, çka në rastin e një të dëmtuareje ka pasur sukses, dhe nga bankomati në dy herë ka tërhequr gjithsej 60.000 denarë. Herën e fundit, më 04.01.2026, të dyshuarat së bashku, sërish në një objekt shitës të një qendre tregtare, kanë vjedhur një portofol nga një e dëmtuar dhe sende të tjera me vlerë të përgjithshme prej 3.000 denarësh, dhe më pas dy herë pa sukses janë përpjekur të tërheqin para nga bankomati nga llogaria e saj. Meqë në rastin konkret ekzistojnë indikacione se në dy rastet e suksesshme të tërheqjes së parave nga kartelat e vjedhura, të dyshuarat kanë përdorur kode PIN që viktimat, persona të moshuar, i mbanin të shkruara në portofolët e tyre, prokurori publik po ndërmerr veprime për të hetuar nëse të dyshuarat kanë përmbushur edhe elemente të veprës penale – Dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistem kompjuterik”, thonë nga Prokuroria.
Lajme nga vendi
Rritja e çmimeve s’ka të ndalur!
Agjencia e statistikave tha gjatë muajit dhjetor më së shumti u shtrenjtuan, energjia elektrike me 8.7% në krahasim me muajin nëntor, produktet ushqimore u shtrenjtuan me një mesatare prej 8.5%, mishi u shtrenjtua për 1.1%. Shtrenjtim në dhjetor krahasuar me nëntorin patën edhe produktet e qumështit dhe vezët të cilat brenda një muaji u shtrenjtuan për 0.7%. Sipas shënimeve statistikore: një kilogram mish mesatarisht shitet me 12 euro, ndërsa 30 kokrra vezë mbi 5.5 euro.
Agjencia e statistikave tha gjatë muajit nëntor, energjia elektrike u shtrenjtua për 15.5%, produktet ushqimore me një mesatare prej 8.5%, mishi për 13.7%, pemët për 16.1%. Produktet e qumështit dhe vezët për 10.5%.
Por, në krahasim vjetor, të gjitha produktet konsumuese patën shtrenjtim dyshifrore në përqindje, gjë që nxiti një inflacion prej 5.3. Në vitin 2025, pemët u shtrenjtuan për 19 %, energjia elektrike u shtrenjtua për 18.3%. mishi u shtrenjtua për 14.4% duke shënuar gjithsej një rritje të inflacionit prej rreth 4% më shumë se sa në vitin 2024.
Ekspertë të ekonomisë, në vazhdimësi kanë folur për nevojat që ka Kosova në ndryshimin e politikave ekonomike, meqë, sipas tyre kur inflacioni mbërrin shkallën prej mbi 5%, është tejet e vështirë që i njëjti të frenohet. Kosova përveç shkallës së lartë të inflacionit, vitin 2025 e ka mbyllur edhe me një bilanc tejet negativ në tregtar, meqë, në vitin 2025 Kosova ka thyer rekord në produkte të importuara, produkte të cilat vlerësohet se janë shkaktari kryesor i inflacionit të lartë në vendin tonë./21Media
Lajme nga vendi
Raporti vjetor i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Komisionit për Sistem Politik
Komisioni i Kuvendit për Sistem politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive sot në kuadër të seancës së 29-të do ta shqyrtojë Raportin vjetor për punën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2024.
Siç theksohet në Raport, sfidë e Agjencisë edhe më tutje mbetet mungesa e kuadrit profesional me fokus trë veçantë të ekspertëve nga fusha e mbrojtjes së të dhënave personale dhe shkencave të informatikës, të cilët janë të rëndësishëm për zbatimin efektiv të ligjvënies pët mbrojtjen e të dhënave personale.
Agjencia do të vazhdojë të punojë në përforcimin e statusit të saj të pavarur, veçanërisht në pjesën e menaxhimit me resurset njerëzore dhe sigurimin e mjeteve të pavarura buxhetore, përmes krijimit të kornizës adekuate rregullatore. Në këtë drejtim, vazhdon procesi i miratimit të Propozim-ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, me të cilën do të sigurohen resurset e nevojshme për kryerje efektive të funksioneve dhe autorizimeve të Agjencisë.
Me qëllim të avancimit plotësues të mbrojtjes së të dhënave personale në vitin 2024 u miratua edhe Strategjia për zbatimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale për periudhën 2025-2030, e cila do të fillojë të zbatohet në periudhën në vijim. Kjo strategji paraqet një dokument kyç për zhvillim afatgjatë dhe avancim të mekanizmave për mbrojtjen e të dhënave personave në vend, duke siguruar vazhdimësi dhe harmonizim me standardet evropiane.
Në këtë mënyrë, Agjencia do të vazhdojë të punojë në sigurimin e funksionimit të pavarur dhe të paanshëm, sipas parimeve të Rregullores së përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave.
Lajme nga vendi
Aliu: Situata është alarmante, gjithnjë e më shumë të rinj po bëhen të varur nga cigaret
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se rreth 50% e popullsisë në vend janë të varur nga pirja e duhanit.
“Ligjet vetë nuk mund të jenë cilësorë dhe të japin rezultate nëse nuk ekziston një ekosistem i tërë. Ligji përcakton një kornizë dhe rregulla të rrepta për përmirësimin e ekosistemit në një segment të caktuar. Por nëse nuk kemi indikatorë shtesë për matjen dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit, atëherë do të kemi vetëm një ligj në letër.
Prandaj, fatkeqësisht, ligjet ekzistuese deri më tani nuk kanë dhënë rezultate. Ne fillimisht bëmë një analizë të thellë të gjendjes aktuale, e cila tregoi se rreth 50% e popullsisë tek ne janë të varur nga cigaret dhe pinë rreth 18–22 cigare në ditë, që do të thotë se në vendin tonë ka dyfish më shumë duhanpirës krahasuar me standardet evropiane.
Kjo është alarmante, sidomos duke pasur parasysh se ka duhanpirës të moshave shumë të reja: në moshën 13–14 vjeç ka 7.7% duhanpirës aktivë, në moshën 15–16 vjeç rreth 37%, ndërsa përdorues të cigareve elektronike janë rreth 40%”, theksoi ministri Aliu në emisionin “24 Analiza”.
Ai nënvizoi se ligji nuk është kundër duhanpirësve, por qëllimi i tij është t’i mbrojë ata, të cilët përbëjnë rreth 50% të popullsisë, dhe t’i ndihmojë që të heqin dorë nga pirja e duhanit. -Imagjinoni një qytetar që punon në një lokal ku lejohet pirja e duhanit brenda.
Ai, pavarësisht nëse dëshiron apo jo, është i ekspozuar pasivisht ndaj tymit të cigareve tetë orë në ditë dhe në fund të ditës është një duhanpirës pasiv. Kam biseduar me mjekë që thonë se shpesh ka raste të sëmundjeve kardiovaskulare kur pacientët deklarojnë se vetë nuk janë duhanpirës, por në shtëpi kanë anëtarë të familjes që pinë duhan në ambiente të mbyllura.

