Lajme nga vendi
100€ gjobë nëse kapeni duke pirë duhan në vende të ndaluara
Ministria e Shëndetësisë njofton se propozim ligji për mbrojtje nga duhani është publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (REKRr/ ENER), ku të gjithë qytetarët dhe organizatat e interesuara mund të marrin pjesë në debatin publik para miratimit të tij.
“Me këtë ligj hapim një çështje thelbësore që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Faktet janë të qarta dhe të pakontestueshme – duhani dhe nikotina mbeten shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme, ekspozimi ndaj tymit dhe aerosoleve dëmton edhe ata që nuk kanë zgjedhur të pinë duhan, ndërsa produktet e reja të nikotinës, aromat, marketingu agresiv dhe promovimi digjital janë të drejtuara pikërisht ndaj të rinjve. Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur një Ligj të ri për mbrojtje nga duhani, qëllimi i të cilit nuk është ndëshkimi, por parandalimi, shëndeti publik dhe mbrojtja e kategorive më të cenueshme të qytetarëve”, vlerëson Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Sipas pr/ligjit, nëse ju kapin me cigare në dorë në vende ku është e ndaluar të pini, nëse paguani menjëherë gjobën, do t’ju kushtojë 100 euro. Brenda 8 ditëve, shuma rritet nga 150 deri në 300 euro, ndërsa me vendim gjyqësor, gjoba për shkeljen është tri herë më e lartë.
Në vend të parave, mund të kryeni edhe punë të dobishme për komunitetin. Për personat juridikë, në varësi të madhësisë së kompanisë, gjobat luhaten nga 2000 deri në 5000 euro.
Nuk do të lejohen të ndizni cigare as në stacione deri sa prisni autobus. Duhani do të jetë i ndaluar edhe në banesa dhe objekte të përbashkëta banimi. Para institucioneve shtetërore, spitaleve, çerdheve, shkollave dhe konvikteve studentore. Në dyqane, cigaret nuk duhet të jenë të dukshme, por të shiten sipas listës, ndërsa është i ndaluar shfaqja dhe reklamimi i cigareve, jo vetëm në televizion, por edhe në internet dhe podcast-e. Policia ka të drejtë t’ju gjobisë edhe nëse pini cigare në makinë ku ndodhet një fëmijë i mitur./tv21.tv
Lajme nga vendi
BOZHINOVSKA: SIGUROHET ZBRITJE SHTESË PËR NAFTËN!
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon opinionin publik se masat e ndërmarra nga Qeveria, në kombinim me hapa konkretë nga operatorët ekonomikë, po japin rezultate – çmimet e karburanteve janë stabilizuar, ndërsa presioni i çmimeve është zbutur ndjeshëm.
Në këtë drejtim, OKTA e vazhdon iniciativën për zbritje të karburanteve edhe pas afatit fillestar të paraparë në fund të marsit, ndërsa masa do të zgjasë deri më 6 prill. Si pjesë e këtij vazhdimi, zbritja për naftën rritet nga 2 në 3 denarë për litër, duke siguruar mbështetje shtesë për konsumatorët dhe duke kontribuar në stabilizimin e tregut.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, përmes komunikimit intensiv dhe të drejtpërdrejtë me kompaninë OKTA, inicioi dhe siguroi përmirësimin e kushteve për zbritje të derivateve të naftës, me qëllim të qartë uljen e mëtejshme të presionit të çmimeve mbi qytetarët dhe ekonominë.
Është e rëndësishme të informohet se OKTA e ka rritur më tej zbritjen për naftën nga 2 në 3 denarë për litër, përkatësisht ka vendosur një zbritje shtesë prej 1 denarë, me vazhdimin e masës deri më 6 prill. Ky është një rezultat konkret i qasjes së partneritetit dhe koordinimit të vazhdueshëm, me qëllim përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë.
Paralelisht, duke ulur TVSH-në nga 18% në 10%, kemi siguruar një ulje shtesë të çmimit prej 6 deri në 7 denarë për litër dhe kemi parandaluar një goditje çmimi në treg.
Kjo është një qasje që jep rezultate, me rol aktiv të shtetit dhe me përgjegjësi të përbashkët me sektorin privat për të arritur mbrojtjen e standardit jetësor dhe stabilitetin e ekonomisë.
Lajme nga vendi
RRITET NUMRI I PLEQVE TË VETMUAR! Azili, nevojë që nuk plotësohet
Nga viti në vit dukshëm rritet numri i pleqve të vetmuar në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Migrimi i popullatës, i cili nuk ka të ndalur, ka shkaktuar probleme të shumta në familjet dibrane, sidomos kur bëhet fjalë për pleqtë, të cilët pas migrimit të të rinjve mbeten të vetmuar. Si në komunën e Dibrës, ashtu edhe në komunën rurale Qendër Zhupë, e cila më parë ka qenë pjesë e komunës Dibër, aktualisht mbi 250 pleq jetojnë të vetmuar. Në një situatë të këtillë, gjendjen e përkeqëson edhe mungesa e një azili, që tashmë është bërë nevojë e kohës.
Në Shoqatën e Pensionistëve në Dibër thonë se problemi i pleqve të vetmuar është një problem jetik për moshën e tretë në të dy komunat. Nga viti në vit shtohet numri i pleqve të vetmuar, thonë në Shoqatën e Pensionistëve në Dibër, e cila me aktivitetet e saj mbulon pensionistët në Dibër, por edhe në Qendër Zhupë.
“Migrimi është ai që shkakton edhe një plagë për moshën e tretë. Ne si shoqatë kemi aktivitete të shumta për të ndihmuar pleqtë, por tani numri i pleqve të vetmuar është rritur dukshëm. Shoqata e Pensionistëve në Dibër ka mbi 2500 pensionistë, nga të cilët mbi 450 janë në komunën rurale Qendër Zhupë. Informatat flasin se ka një rritje të pleqve që jetojnë të vetmuar, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Pikërisht për këtë shkak jemi të mendimit se Dibrës i duhet një azil për pleq, ashtu siç e kanë disa qytete të vendit. Tani institucioni i azilit është nevojë, meqë edhe vetë pleqtë kërkojnë strehim në institucione të tilla”, thotë për gazetën KOHA kryetari i Shoqatës së Pensionistëve në Dibër, Petrit Imami.
Sipas tij, në situata ekstreme, kur disa pleq nuk kanë rrugëdalje tjetër, shoqata ka disa dhoma në objektin e saj që mundësojnë akomodimin e disa pensionistëve të vetmuar. Tani për tani nuk ka informata për themelimin e një azili, edhe pse ka kërkesa në adresë të institucioneve qendrore. Deri tani pati edhe dy raste kur investitorë privatë tentuan të hapin azile, por ato përpjekje dështuan për shkaqe të panjohura.
Kur jemi te personat e moshës së tretë në komunën rurale Qendër Zhupë, duhet theksuar se edhe atje ka shumë pleq të vetmuar. Në këtë komunë migracioni është mbi 70 për qind dhe numri i pleqve që jetojnë vetëm është afër 100. Pensionisti Afrim Beqiroski nga Shoqata e Pensionistëve ka informuar se me një projekt të Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale, para disa viteve janë angazhuar 22 përkujdesës të cilët marrin edhe paga mujore për të ndihmuar pleqtë. Kjo është një ndihmë shumë e nevojshme, por përsëri numri i pleqve të vetmuar mbetet i madh.
Kryqi i Kuq komunal në Dibër është një organizatë që shpesh organizon projekte për të ndihmuar pleqtë në nevojë. Në të kaluarën është bërë edhe trajnim për mënyrën se si duhet punuar me pleqtë, për personat që u angazhuan si përkujdesës në Zhupë. Sekretari Isni Telqiu për gazetën KOHA thotë se projekti për angazhimin e përkujdesësve do të ishte mirë të realizohej edhe në Dibër. Sipas tij, themelimi i një azili do të ishte në dobi jo vetëm për pleqtë e vetmuar, por edhe për shoqërinë në përgjithësi. Aktualisht ka rreth dhjetë pleq dibranë të cilët janë akomoduar në disa azile në qytete të ndryshme të vendit.
Lajme nga vendi
Arrestohen 7 persona për organizimin e përleshjeve me qenë
Aksioni policor është realizuar në qytetin e Kumanovës, ndërsa të arrestuarit janë nga Gostivari, Tetova dhe nga fshati Çerkez i Kumanovës.
Një aksion i policisë së Kumanovës, ka rezultuar me arrestimin e 7 personave, që dyshohen për organizimin e “përleshjeve me qenë”.
Sipas informacioneve të parë të Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë, me datën 23 mars rreth orës 23:00, policia i ka arrestuar personat me iniciale S.R. (34), A.M. (31), A.M. (27), J.K. (38) të gjithë nga Tetova, pastaj S.A. (40) nga fshati Çerkez i Kumanovës, si dhe N.M. (62) nga Gostivari.
Ata janë kapur në momentin që po organizonin aktivitetet për përleshjeve mes qenëve.
Të dyshuarit menjëherë janë dërguar në Stacionin policor, ndërsa SPB-ja (Sektori per Pune te Brendshme) thotë se pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojnë masat adekuate ligjore.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

