Lajme nga vendi
Raporti vjetor i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Komisionit për Sistem Politik
Komisioni i Kuvendit për Sistem politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive sot në kuadër të seancës së 29-të do ta shqyrtojë Raportin vjetor për punën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2024.
Siç theksohet në Raport, sfidë e Agjencisë edhe më tutje mbetet mungesa e kuadrit profesional me fokus trë veçantë të ekspertëve nga fusha e mbrojtjes së të dhënave personale dhe shkencave të informatikës, të cilët janë të rëndësishëm për zbatimin efektiv të ligjvënies pët mbrojtjen e të dhënave personale.
Agjencia do të vazhdojë të punojë në përforcimin e statusit të saj të pavarur, veçanërisht në pjesën e menaxhimit me resurset njerëzore dhe sigurimin e mjeteve të pavarura buxhetore, përmes krijimit të kornizës adekuate rregullatore. Në këtë drejtim, vazhdon procesi i miratimit të Propozim-ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, me të cilën do të sigurohen resurset e nevojshme për kryerje efektive të funksioneve dhe autorizimeve të Agjencisë.
Me qëllim të avancimit plotësues të mbrojtjes së të dhënave personale në vitin 2024 u miratua edhe Strategjia për zbatimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale për periudhën 2025-2030, e cila do të fillojë të zbatohet në periudhën në vijim. Kjo strategji paraqet një dokument kyç për zhvillim afatgjatë dhe avancim të mekanizmave për mbrojtjen e të dhënave personave në vend, duke siguruar vazhdimësi dhe harmonizim me standardet evropiane.
Në këtë mënyrë, Agjencia do të vazhdojë të punojë në sigurimin e funksionimit të pavarur dhe të paanshëm, sipas parimeve të Rregullores së përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave.
Lajme nga vendi
UJI I TETOVËS I SIGURTË PËR PIJE – ZEQIRI: TË MOS LEJOJMË “GOSTIVAR 2”
Pas epidemisë në Gostivar si pasojë e ndotjes së ujësjellësit, Drejtori i NPK Sharrit Valon Zeqiri thotë se në Tetovë së bashku me Institutin e shëndetit publik do të vazhdojë që të testojë ujin në baza ditore. Sipas tij, e gjitha kjo bëhet me qëllim që të preventohet çdo lloj përsëritje e ngjarjeve si në Gostivar. Zeqiri thotë se cilësia e ujit në Tetovë i plotëson të gjitha standardet dhe se uji është i pijshëm.
Zeqiri u bën apel të gjithë kolegëve të tij drejtor të ujësjellësve në komunat tjera anë e mbanë Maqedonisë së Veriut që të marrin shembullin e Tetovës dhe që kryejnë analiza çdo ditë, me qëllim që të shmanget çdo lloj rreziku për paraqitje të helmimeve apo epidemive sikurse në Gostiva.
Meqë gradualisht mërgimtarët filluan që të kthehen në vendet ku punojnë, drejtori Valon Zeqiri thotë se sasia e ujit në rezervuare është e lartë dhe se nuk pret që të ketë mungesa të ujit gjatë muajve në vijim.
Lajme nga vendi
Saranda Imeri-Stafai: VLEN-i ballafaqohet me probleme të trashëguara, kemi sjellë revolucion në skenën politike shqiptare
Deputetja e VLEN-it Saranda Imeri-Stafai është e ftuara e radhës në emisionin PodGo, me të cilën kemi diskutuar për Qeverinë, kohën e saj në BDI, VLEN-in, si dhe Komunën e Gostivarit, vend prej nga ajo vjen.
“VLEN-i bllafaqohet me probleme të trashëguara. Kemi shumë çështje që ndryshe janë të rregulluara me ligj dhe ndryshe në praktik. Dhe me ardhjen në pushtet të OBRM-PDUKM-së ato e shfrytëzojnë këtë edhe kjo na bie në supe neve. 2020 ka qenë viti kur unë u distancova nga BDI për shkak të keqkuptimeve të brendshme. Jam njeri i hapur dhe që komunikoj me njerëzit. Deri tani jam krenare me punën time edhe në Kuvend edhe jashtë Kuvendit. Kur kemi të bëjmë me shërbimet ndaj qytetarëve, nuk bëj dallime partiake”.
“OBRM-PDUKM është e fuqishme, mirëpo kjo nuk do të thotë se ata nuk sillen me ne si partner të koalicionit. Deri tani kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe shpresoj që deri në fund do ta çojmë kështu. Në kohën e BDI – OBRM-PDUKM janë sjellë ligje pa u konsultuar fare”, tha deputetja.
Për menaxhimin me Komunën e Gostvarit, ajo tha se komuna për momentin është në gjendje të rëndë dhe e zhytur në borxhe.
“Komuna e Gostivarit është në gjendje të rëndë. E zhytur në borxhe. Për punë të vogla janë lidhur kontrata trefish më të shtrenjta. Unë kohën e fundit jam duke i publikuar këto kontrata. Kemi shumë probleme”, tha deputetja Imeri-Stafai.
Sa i përket VLEN-it, ajo tha se kanë sjellë revolucion në skenën politike shqiptare, duke përmendur edhe bashkëpunimin e Izet Mexhitit me Bilall Kasamin.
“Funksionojmë në mënyrë të shkëlqyer. Nëse ka ndonjë model se si duhet të funksionojë VLEN-i, është grupi parlamentar. Kryetar Izet Mexhiti dhe kryetari Bilall Kasami kanë komunikim të shkëlqyer, i shoh shpesh duke komunikuar. Nuk duhet që çdo herë të ndjekim shembullin e të tjerëve. VLEN-i ka sjellë revolucion në skenën politike me bashkëkryetarët”, tha deputetja.
Ndërsa sa i përket asaj se ku e sheh Maqedoninë e Veriut pas disa viteve, ajo theksoi se shtetin e sheh më afër BE-së.
“Maqedonia e Veriut është shtet problematik, fillimisht kishte probleme me emrin, tani me historinë, kishën. Në vitin 2030 unë e shoh Maqedoninë e Veriut më afër BE-së. Por në vitin 2030 dua ta shoh Maqedoninë me institucione të forta, zhvillim ekonomik dhe krijim të kushteve për rininë tonë”, theksoi deputetja Saranda Imeri-Stafai.
Lajme nga vendi
Zgjedhjet e parakohshme, Ahmeti: Janë zgjidhja më e mirë, do të jenë vitin e ardhshëm
I ftuar në Click Plus në RTV21, lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se zgjidhja më e mirë për vendin janë zgjedhjet e parakohshme, pasi siç shtoi, “duhet të ketë klimë të re dhe situata në vend nuk duhet të përkeqësohet më tepër”, shkruan TV21. Ahmeti tha se zgjedhjet e parakoshme nuk parashihen të mbahen këtë vit, por vitin tjetër, që siç deklaroi, janë të gatshëm kurdo që do të mbahen.
“Duhet të ndryshohet klima, sigurisht ma merr mendja që edhe partia shumicë maqedone e ka kuptuar se gjërat nuk shkojnë mirë. Duhet patur kujdes në përzgjedhjen dhe respektim të shumicës së shqiptarëve dhe zgjidhja më e mirë do të ishte zgjedhjet e parakohshme. Nesër me u mbajtë ne jemi gati”, tha Ali Ahmeti.
Ai kritikoi VLEN-in për hyrjen në Qeveri, siç thotë Ahmeti pa legjitimitet. Ahmeti tha se ky le të jetë gabimi i fundit që partitë shqiptare hyjnë në Qeveri pa legjitimitet. Ahmeti tha se VLEN-i e shiti lëkurën shumë lirë. Mes tjerash Ahmeti theksoi se si BDI ka udhëhequr një dekadë me VMRO-në dhe një dekadë me LSDM, por siç tha pa marrëveshje nuk ka hyrë në Qeveri.

