Lajme nga vendi
Shqipëria ndalon 52 vjeçarin B.Sh nga Maqedonia e Veriut, dyshohet për tri vrasje
Policia e Shqipërisë njofton se ka kryer një operacion të koduar si “Operacionalja”, më çrrastë është ndaluar një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili kërkohej nga Interpoli i Shkupit.
“I kërkuar për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut, lokalizohet dhe kapet në Tiranë. 52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova. Lokalizimi i tij u bë pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. 52-vjeçari me masë sigurie “Arrest në burg”, akuzohet për vrasje (maksimumi i dënimit për këtë vepër në Kodin Penal të RMV, burgim i përjetshëm). Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara gjatë një kohe të gjatë hetimi dhe gjurmimi, për lokalizimin dhe kapjen e një të kërkuari për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut, është zhvilluar dhe finalizuar faza e 80-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”.
Në kuadër të kësaj faze, shërbimet operacionale lokalizuan në zonën e Liqenit të Thatë, kapën dhe shoqëruan shtetasin e dyshuar për tri vrasje. Nga verifikimi i thelluar rezultoi se shtetasi i shoqëruar, i cili përdorte dokumente identifikimi dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me emër të një shtetasi nga Kosova, ishte person i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit B.SH., 52 vjeç, banues në fshatin Kopanicë, Saraj, Maqedoni e Veriut. Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi Interpol Shkupi e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, vepër për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm. Ky shtetas dyshohet se më datë 05.10.2007, në fshatin Kopanicë, Shkup, Maqedoni e Veriut, ka vrarë me armë zjarri, 3 shtetas. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 1 pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me të dhënat e një shtetasi nga Kosova. Materialet procedurale, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Shkupin, do të vijojë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e policisë së Shtetit të Shqipërisë.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

