Connect with us

Lajme nga vendi

Mbi 45% e popullsisë janë duhanpirës të rregullt në vend

Published

on

Evropa është rajoni me shkallën më të lartë të duhanpirjes në botë, ku mesatarisht 25.9 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç përdor produkte duhani, tregojnë të dhënat e platformës “Brilliant Maps” bazuar në raportin global të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për trendet e përdorimit të duhanit dhe nikotinës nga viti 2000 deri në 2022, me parashikime deri në vitin 2030.

Vendet e Ballkanit janë ndër shtetet evropiane me shkallën më të lartë të duhanit. Numri më i madh i duhanpirësve aktivë është regjistruar në Bullgari dhe Serbi, ku 39.5 për qind e popullsisë përdor duhan. Më pas vijnë Kroacia me 37 për qind, Greqia me 32.8 për qind, Sllovakia me 32.4 për qind, Hungaria me 32.2 për qind dhe Rumania me 30 për qind, që është dukshëm mbi mesataren evropiane.

Në Evropën Perëndimore shkalla e duhanpirjes është më e ulët, por me diferenca të konsiderueshme ndërmjet vendeve. Përqindja më e lartë është regjistruar në Francë, me 34.6 për qind, që është mbi mesataren evropiane dhe afër niveleve të vendeve ballkanike. Të dhënat për të rinjtë janë shqetësuese, veçanërisht në lidhje me cigaret elektronike dhe produktet e reja të nikotinës. Më shumë se 100 milion njerëz në botë përdorin cigare elektronike, dhe në disa vende evropiane shkallët tek adoleshentët nga 13 deri 15 vjeç janë më të larta sesa tek të rriturit.

Raporti i OBSh tregon se, pavarësisht uljes globale të numrit të përdoruesve të duhanit, nga 1.38 miliardë në vitin 2000 në afërsisht 1.2 miliardë në vitin 2024, përdorimi i duhanit mbetet një kërcënim serioz për shëndetin publik. Rajoni evropian është i vetmi që nuk pritet të arrijë objektivin prej 30 për qind të parashikuar në Planin Global të Veprimit të OBSh-së dhe parashikohet që deri në vitin 2030 Evropa të mbetet me prevalencën më të lartë të duhanit, mbi 23 për qind.

Të dhënat tregojnë se 18 për qind e vdekjeve nga sëmundjet jo-infektive në Evropë në vitin 2019 lidhen me përdorimin e duhanit, që do të thotë se pothuajse çdo pesë vdekje të parakohshme mund të shmangeshin nëse duhani eliminohej.

Advertisement

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për Ditën Botërore Kundër Përdorimit të Duhanit, vitin e kaluar tregojnë se 45.4 për qind e popullsisë janë duhanpirës aktivë, që është dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian dhe vendosin vendin ndër shtetet me shkallë më të lartë të duhanit në botë.

Sipas ISHP-së, pjesëmarrja në këshillimet për lënien e duhanit, që funksionojnë në kuadër të qendrave të shëndetit publik, është shumë e vogël; në vitin 2023 vetëm 43 persona kanë kërkuar ndihmë.

Instituti thekson se përdorimi i duhanit kontribuon seriozisht në dëm të shëndetit të përgjithshëm të popullsisë, duke nënvizuar se si pasojë e përdorimit të rregullt të duhanit mund të shfaqen sëmundje kardiovaskulare, respiratore, riprodhuese, malinje, endokrine dhe shumë lloje të tjera sëmundjesh.

Industria e duhanit, sipas Institutit, me të gjitha burimet e saj, lufton me sukses përpjekjet për forcimin e legjislacionit, i cili në fakt është një nga kushtet për integrim në Bashkimin Evropian, prandaj nevojitet përshtatja e ligjeve me ato të BE-së për avancimin e vendit.

“Edhe pse Republika e Maqedonisë së Veriut në vitin 2006 ratifikoi Konventën Kornizë për Kontrollin e Duhanit të OBSh-së dhe gjatë viteve ka pasur përpjekje për të forcuar rregullat lidhur me përdorimin e duhanit, në vitet e fundit ka pasur stagnim në këtë fushë me heqjen e ndalimeve për duhanpirje në tarracat e lokaleve, dhe gjithashtu është lejuar përdorimi i pajisjeve elektronike që ngrohin, por nuk djegin duhanin në ambiente të mbyllura publike”, theksoi Instituti për Ditën Botërore të Duhanit të vitit të kaluar.

Advertisement

OBSh dhe institucione të tjera ndërkombëtare shëndetësore bëjnë thirrje për forcimin e politikave kombëtare dhe rajonale për kontrollin e duhanit, përmes rritjes së taksave, zbatimit strikt të ndalimeve për duhanpirje në vende publike, kufizimit të reklamimit dhe zgjerimit të programeve për mbështetje në lënien e duhanit.

Lajme nga vendi

Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria

Published

on

Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.

Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare

Published

on

Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.

Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Continue Reading

Më të lexuarat