Lajme nga vendi
Mexhiti: Këtë vit fillojmë me ndërtimin e rrugës Cvetan Dimov, rrugës së Jahja Pashës!
Projekti për ndërtimin e rrugës Cvetan Dimov, e njohur edhe si rruga e Jahja Pashës, tashmë ka hyrë në buxhetin e Qytetit të Shkupit dhe në planin e furnizimeve, duke hapur rrugën për fillimin e realizimit gjatë këtij viti. Kështu është shprehur kryetari i Komunës së Çairit dhe njëherësh njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti në emisionin Click Plus në TV21.
Sipas Mexhitit ka pasur disa vonesa për nisjen e këtij projekti për shkak të mungesës së dokumentacionit nga qeverisja e kaluar, por sipas tij, këto pengesa tashmë janë drejt finalizimit.
I pyetur nëse realizimi i projektit do të prekë bizneset përgjatë kësaj rruge, Mexhiti siguroi se nuk parashihet rrënim i dyqaneve dhe se bizneset nuk do të dëmtohen.
“Nuk ka dyqane që duhet të rrënohen. Pika më kritike është ndërtesa që ka mbetur prej kohës së komunizmit, përballë shkollës “Liria”. Të tjerët, edhe ata që kanë ndërtuar objekte të përkohshme, i dinë vijat e kuqe, ose janë tërhequr më brenda ose kanë lënë hapësirë që kur të vijë puna për realizimin e bulevardit, të rrënohen ato pjesë”, tha Mexhiti.
Mexhiti gjithashtu ka shtuar se në rast se ka rrënime të pjesshme të objekteve, qytetarët do të dëmshpërblehen nga Qyteti i Shkupit.
“Ka një buxhet prej 2 deri në 3 milionë euro për dëmshpërblim të qytetarëve. Nëse dikujt do i merren 2 metra, 5 apo 10, për aq sa merret, do të dëmshpërblehen. Këtu kompromis nuk ka, pasi që kjo është arteria kryesore e Çairit”, ka theksuar më tej Mexhiti.
Sipas kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti me realizimin e bulevardit “Cvetan Dimov”, Çairi do të marrë një dimension të ri zhvillimi, pasi që kjo rrugë lidh drejtpërdrejt lagjen me qarkoren e Shkupit, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe perspektivën urbane të zonës.
Lajme nga vendi
Ndërtimi i autostradës Tetovë Gostivar në kuadër të korridorit 8 ka ngritur një shqetësim tek banorët në territorin e Komunës së Bogovinës
Ndërtimi i autostradës Tetovë Gostivar në kuadër të korridorit 8 ka ngritur një shqetësim tek banorët që jetojnë në territorin e Komunës së Bogovinës.Bëhet fjalë për qasjen në austostradë të banorëve të fshatrave të kësaj komune. Sipas informacioneve të deritanishme nga Tetova deri në Gostivar do të ketë vetëm një kyçje kryesore edhe atë në fshatin Pirok mes territorit të komunës së Bogovinës dhe Vrapçishtit.Ndërsa, pothuajse të gjithë fshatrat do të kenë qasje në rrugën ndihmëse e cila do të lidhet me korridorin.Këto shqetësime të këtyre banorëve janë shprehur edhe në takimin e fundit të kryetarit të Komunës së Bogovinës Feti Abazi me përfaqësues të Bechtel Enka. Kryetari Abazi thotë se në këtë takim janë marrë informacione lidhur me projektin por pritet që të ketë edhe takime tjera. Krahas kësaj është kërkuar infrastrukturë edhe për bujqit që janë në pjesën e poshtme të korridorit.“Nga takimi që kishim, ne u furnizuam me disa informacione. Tani, nga takimi arritëm në përfundim se secili vendbanim do të ketë qasje në rrugën ndihmëse për në autostradë. Rrugë e cila do të ketë qasje direkte në korridorin 8 do të jetë në fshatin Pirok, ku edhe është kufiri ndërmjet Komunës së Bogovinës dhe Komunës së Vrapçishtit, ndërsa të gjithë fshatrat do të ketë qasje por përmes rrugës ndihmëse. Ne parashtruam kërkesa dhe do keto kërkesa do të dorëzohen edhe zyrtarisht” thotë kryetarit të Komunës së Bogovinës Feti Abazi.Ndërkaq, kërkesa e kahmotshme e banorëve të fshatit Zherovjan për nënkalimin mbetet çështje për diskutim, pohon kryetari Abazi. “Ne kemi kërkuar që të bëhet edhe drenazhimi i autostradës sepse kemi fshatin Zherovjan që ndodhet poshtë autostradës dhe aty kemi nënkalim. Poashtu, e kemi fshatin Sedllarcë që ndodhet shumë afër austostradës, ndërsa pronat bujqësore i kanë poshtë autostradës, ku ka edhe ferma të cilët faktikisht duhet të kenë edhe rrymë dhe infrastrukturë tjetër përcjellëse, që mos kemi probleme ndërkohë. Për Zherovjanin kemi kërkuar nënkalim me të gjitha parametrat dhe një trotuar për lëvizje të banorëve” thotë kryetari Abazi. Problem tjetër sipas tij janë edhe shpronësimet pasi që toka që u është marrë qytetarëve nuk u paguhet mirë. “Është fakt se banorët tonë janë të dëmtuar me kompenzimin e pronës.Shpresoj se do të ketë mirëkuptim, qytetarëve u bëj apel që të bëjnë ankimime dhe sa do të pranohen ankesat e tyre unë nuk e di, por do të jem në krah të qytetarëve”, tha kryetari Abazi. Edhe pse për këtë pjesë kryetari Abazi thotë komunat nuk kanë komptenca, por nënvzon se do të përkrah banorët.
Lajme nga vendi
Paraburgim për tre të arrestuarit nga Bervenica për armë dhe drogë
Për tre nga pesë të arrestuarit nga Bërvenica të cilët dyshohen për tregti me drogë dhe armë, gjykata ka caktuar masën e kujdesit afatshkurtër prej 48 orëve, përkatësisht mbajtjen në dobi të hetimit. Një i dyshuar tjetër është obliguar me paraqitje.
“Dy klientët e mijë, me inicialet SZ dhe IJ që dyshohen për vepër penale tregti me drogë dhe armë dhe lëshim të pa autorizuar në treg, të paraparë me Nenin 396 të KP të RMV dhe të Nenit 215 paragrafi një, të cilat hyjnë në kategorinë e veprave të rënda dhe serioze”, tha Qenan Ramani, avokat.
Një nga pesë të arrestuarit ditë më parë, tek i cili është gjetur sasia më e madhe e parave, është liruar nga akuza, sepse i njëjti ka dëshmuar me dokument prejardhjen e parave dhe ai nuk do të ndiqet penalisht. Grupi i arrestuar ditë më parë dyshohet të ketë lidhje të forta me pushtetin aktual dhe qendror. Policia është duke punuar për zgjerimin e hetimit dhe shpartallimin e plotë të grupit kriminal.
Lajme nga vendi
“Safe City”/ Presidentja dekretoi Kodin Penal
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dekretoi Kodin Penal. Thotë se ka vërejtje, por sipas saj është më i mirë se Kodi paraprak Penal. Siljanovska thotë se ndryshimet i pranon vetëm si tranzicion, pra deri në miratimin e Kodit tërësisht të ri në qershor.
“Unë e kam nënshkruar ligjin ja do të them përse. Kam menduar, por kam edhe unë vërejtje për disa zgjidhje por më së voni pres që ky tranzicion të tejkalohet në qershor, siç më kanë shpjeguar, sepse unë kërkova sqarime të detajuara. Do ta toleroj këtë vetëm në prag të pritjes së Kodit të ri Penal, për të cilin punohet gjatë kohë dhe sipas meje do të jetë kyç edhe për reformat në gjyqësor”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Siljanovska tha se e mbështet plotësisht edhe ligjin për kundërvajtje në trafik, respektivisht sistemin “Safe City”. Ajo thotë se iniciativat që e vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e sistemit janë të pabaza.
“Unë jam juriste dhe teza se sistemi ka të bëjë vetëm me disa qytete është tezë laike nuk është tezë e bazuar juridikisht sepse në Kumanovë, Shkup dhe Tetovë nuk drejtojnë automjetet vetëm banorët e atyre qyteteve por ka shoferë nga i gjithë shteti. Unë nuk shoh këtu diskriminim. Diskriminimi është i mundshëm vetëm nëse bëhet fjalë për dallime në baza gjinore, mbi baza të çfarëdolloj përkatësie”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
“Safe City” do të hyjë në fuqi të plotë më 1 shkurt, kur dhe do të nis zbatimi i gjobave ndaj shkeljeve të detektuara nga sistemi i kamerave. Gazetare: Ajnur Bafqari

