Lajme nga vendi
Rezolutë për mbylljen e dialogut të post-monitorimit me Maqedoninë e Veriut
Gjatë sesionit të janarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u miratua Rezoluta për mbylljen e dialogut të post-monitorimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Siç njofton shërbimi për shtyp i Kuvendit, në tekst thuhet se Asambleja Parlamentare e njeh progresin e qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut në demokraci, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimin me organet e Këshillit të Evropës, si dhe e njeh përkushtimin politik të autoriteteve për përmbushjen e obligimeve të marra me hapjen e dialogut të post-monitorimit në vitin 2000. Në bazë të kësaj, Asambleja vendosi ta mbyllë dialogun e post-monitorimit me Maqedoninë e Veriut dhe të vazhdojë ta ndjekë situatën përmes mekanizmit të saj të rregullt të shqyrtimit periodik.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 04 Gusht
Dje në ora 09:00 në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 21-vjeçar nga Tetova për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale „grabitje“ sipas nenit 237 të Kodit Penal. Sipas denoncimit, po këtë ditë në ora 04:00, duke e kërcënuar me thikë, i ka marrë para një 19-vjeçari nga Tetova. Ai është ndaluar në Stacionin Policor të Tetovës dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë parashtresë përkatëse.
…….Dje në ora 01:10 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në rrugën „Vëllezërit Milladinovi“ në Tetovë, në një objekt ndihmës në pronësi të një 38-vjeçari nga Tetova. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa zjarri është fikur nga vetë pronari. Këqyrje në vendin e ngjarjes ka kryer ekipi i SPB Tetovë.
…….Dje në ora 12:20 në DPB Gostivar, një grua 34-vjeçare nga Gostivari ka denoncuar se gjatë muajit qershor 2026 është mashtruar dhe vënë në lajthitje nga një avokat nga Gostivari për një shumë prej 800 eurosh. Sipas denoncimit, pas konsultimeve të mëparshme lidhur me një procedim zyrtar, avokati i ka kërkuar të paguajë për pretendim përfaqësimi në një lëndë, për të cilën pas verifikimeve të kryera ka konstatuar se nuk ekzistonte fare. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
……Dje në ora 15:45 në DPB Gostivar është denoncuar se në lagjen „Pitarnica“ në Gostivar ka ndodhur një aksident trafiku mes një automjeti të udhëtarëve „BMV“ me targa austriake, i drejtuar nga një 32-vjeçar nga fshati Forinë e Gostivarit, dhe një biçiklete të drejtuar nga një 43-vjeçar nga Gostivari. Në aksident, lëndime të rënda trupore ka pësuar biçiklisti, të konfirmuara në Qendrën Urgjente në Gostivar. Këqyrje në vendin e ngjarjes ka kryer ekipi hetimor i DPB Gostivar.
…….Dje në ora 21:40 në Stacionin Policor Tearcë, një 77-vjeçar nga fshati Përshevcë e Tetovës, ka denoncuar se rreth orës 18:45 përballë oborrit të tij, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme për një automjet të parkuar, është sulmuar fizikisht nga dy persona nga po i njëjti fshat. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
…….Dje në ora 21:15 në rrugën „Jane Sandanski“ në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 32-vjeçar nga Tetova pasi u soll në mënyrë agresive dhe nuk veproi sipas urdhrave të dhëna nga zyrtarët policorë që po kryenin detyrën zyrtare. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të pasojë parashtresë përkatëse.
……Dje në ora 16:30 në Stacionin Policor Tearcë, një person ka denoncuar se e dashura e tij 20-vjeçare dhe shoqja e saj 16-vjeçare, të dyja nga fshati Përshevcë e Tetovës, derisa ishin në një automjet taksi, shoferi ka filluar të sillet në mënyrë të papërshtatshme, nuk e ka ndalur automjetin dhe nuk i ka dërguar në lokacionin e kërkuar. Sipas denoncimit, ato kanë arritur të kërcejnë nga automjeti në lëvizje dhe kanë kërkuar ndihmë. Për rastin është njoftuar prokurori publik dhe Qendra për Punë Sociale në Tetovë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e ngjarjes.
Lajme nga vendi
LSDM: QEVERIA PËRGATIT TERRENIN PËR PRANIMIN E “PROPOZIMIT FRANCEZ”!
Qeveria e Mickoskit po përgatit terrenin për pranimin e Propozimit Francez, tha gjatë një press-konference para Qeverisë, Andrej Zhernovski nga LSDM-ja.
Sipas informacioneve të LSDM-së nga Brukseli, Qeveria tashmë e ka arritur këtë marrëveshje. Këto janë sinjale të qarta që kanë ardhur nga Brukseli, Berlini dhe Parisi”, theksoi Andrej Zhernovski.
Zhernovski tha se mesazhet dhe deklaratat e fundit të Qeverisë tregojnë qartë se kanë dështuar të gjitha përpjekjet për ta fshehur të vërtetën para qytetarëve.
Sipas tij, Qeveria tani po përpiqet ta paraqesë si fitore pikërisht atë që për vite me radhë e ka dënuar.
“E vetmja gjë që po bën tani Mickoski dhe të gjithë rreth tij është të gjejnë mënyrën se si këtë gënjeshtër, që ua shitën votuesve, ta paraqesin si fitore. Po përpiqen të krijojnë një strategji për ta paraqitur si sukses atë që deri dje për ta ishte gënjeshtër dhe tradhti e madhe. Ndryshimi i papritur i qëndrimeve të Qeverisë dhe i ministrit të Punëve të Jashtme nuk është rastësi, por pjesë e përgatitjes së opinionit për pranimin e politikave që më parë i kishin sulmuar ashpër”
Kundërpërgjigja erdhi nga Ministria e Jashtme. Sipas tyre, Konferenca e sotme për shtyp e LSDM-së është edhe një përpjekje për të krijuar histeri dhe për të dezinformuar opinionin publik.
Në vend që të marrë përgjegjësi dhe të kërkojë falje për dëmin që i ka shkaktuar pozitave kombëtare dhe atyre të politikës së jashtme të shtetit, LSDM-ja edhe një herë po plasojnë të pavërteta dhe konstruksione të rënda – thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), pasi partia opozitare akuzoi se Qeveria po përgatit terrenin për pranimin e “propozimit francez”.
Sipas MPJ-së, pretendimet për ekzistimin e një marrëveshjeje të fshehtë ose negociatave sekrete janë “vetëm një tjetër trillim në vargun e dezinformatave që LSDM-ja ia servon opinionit publik”.
“Fakt është se institucionet komunikojnë rregullisht me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, me institucionet evropiane, me Bullgarinë dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Këto bisedime zhvillohen në mënyrë transparente, ndërsa qëndrimi i Qeverisë është i qartë dhe është konfirmuar publikisht në disa raste. Nuk ka asnjë lëshim nga interesat kombëtare, identiteti, gjuha dhe historia. Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet përcaktim strategjik dhe objektivi përfundimtar i kësaj Qeverie”, thuhet në reagimin e Ministrisë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
“TETOVA N’FESTË”: ONE CABLE FITUES I TURNEUT NË STREET BASKET 3X3
Fitues i turneut të sivjetmë në Street Basket 3×3, që ishte edhe manifestimi i fundit në kuadër të verës tetovare v”Tetova n`festë”, doli ekipi “One Cable” , vendi i dytë i takoi ekipit “O1 Kosova” dhe vendi i tretë ekipit “Kino Vllae”.
Për dy netët me radhë në këtë turnir morën pjesë 12 ekipe nga Tetova, Shkupi, Struga dhe një ekip nga Kosova, ndërsa qytetarët e Tetovës dhe jo vetëm, në veçanti mërgimtarët, shijuan momente atraktive në Sheshin e Tetovës, me emocione nga lojat spektakolare , ngulitjet atraktive dhe gara në gjuajtjet për tre pikë.
Organizatori, Komuna e Tetovës për më të mirët ndau shpërblime, kupa dhe mirënjohje adekuate.
Me këtë aktivitet sportiv, pas 25 ditëve, u përmbyll vera tetovare “Tetova n`festë që dhuroi muzikë, argëtim, kulturë, sport dhe shoqërim të ndërsjellë në Sheshin e Tetovës por edhe në Bulevardin “Boris Kidriç”.
Lamtumirë këtij edicioni I ka dhënë edhe Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
‘’Me energjinë, emocionet dhe atmosferën fantastike të turneut të Streetball-it, e përmbyllëm me sukses edicionin e sivjetshëm të “Tetova n’Festë”! Gjatë këtyre javëve, Tetova u shndërrua në një skenë të hapur me muzikë, sport, art, kulturë dhe aktivitete për të gjitha moshat. Faleminderit të gjithë artistëve, sportistëve, organizatorëve, vullnetarëve dhe mijëra qytetarëve e mërgimtarëve që u bënë pjesë e kësaj vere të paharrueshme! Ju faleminderit” – ka shkruar Kasami në Facebook.

