Lajme nga vendi
Rreziku i fshehur i pijeve energjike: fëmijët në RMV përfundojnë në urgjencë nga teprimi
Shtohet numri i rasteve të fëmijëve dhe të miturve që kërkojnë ndihmë për shkak të komplikimeve shëndetësore nga konsumimi i pijeve energjike, njoftojnë nga Reparti i Ndihmës së Shpejtë.
Mjeku Sejfullah Ademi, tregon se përballet çdo ditë me raste të tilla dhe kërkon sensibilizim më të madh të shoqërisë, që jeta e fëmijëve të mos vihet në rrezik.
“Fatkeqësisht, edhe ne si Ndihmë e Shpejtë ballafaqohemi me raste të këtilla, ku shohim që fëmijët konsumojnë në mënyrë të pakontrolluar pije energjetike. Pijet e tilla energjetike nuk janë aspak të preferuara për fëmijët, duke pasur parasysh problemet që mund të ndodhin me takikardinë, gjë që, nëse nuk reagohet në mënyrë adekuate, e vendos në rrezik edhe vetë jetën e fëmijës. Ne, si Ndihmë e Shpejtë, kemi thirrje të tilla dhe dalim në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme në teren, që t’iu afrojmë ndihmën fëmijëve të tillë, por të bëjmë apel pasi komplikimet mund të bëhen të rënda dhe fatkeqësisht të përfundojnë letalisht edhe për fëmijën.” – tha Sejfullah Ademi, mjek i Ndihmës së Shpëjtë.
Ademi nënvizon se për të parandaluar këtë fenomen negativ, duhet vepruar edhe në aspektin ligjor dhe kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve shoqërorë.
“Duhet të ndikojmë si shoqëri këtu edhe në aspektin ligjor, të kërkohet që edhe me ligj të jetë rreptësisht e ndaluar shitja e pijeve energjetike te të miturit. Fatkeqësisht, njerëz të papërgjegjshëm, për arsye të pakta fitimprurëse, bëjnë një gjë të tillë – ju shesin fëmijëve pije energjetike, duke pasur parasysh rrezikun e madh që ndodh pastaj tek fëmijët. Ju bëjmë apel prindërve për kujdes të shtuar dhe të komunikojnë me fëmijët e tyre, duke u shpjeguar për rreziqet. Atyre të cilët merren me tregti, mos u shisni fëmijëve dhe të miturve pije të tilla, sepse rreziku është i madh për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, ku në mënyrë direkte e vendosin jetën e fëmijëve në rrezik.” – u shpreh Ademi.
Në Maqedoni, aktualisht shitja e pijeve energjike për fëmijët nuk është e ndaluar me ligj, prandaj mjeku Ademi propozon miratimin e një vendimi të tillë në Kuvend.
Ai thekson se në vendet e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, kjo është e rregulluar ligjërisht dhe jep rezultate në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. /RTM2/
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

