Lajme nga vendi
Aktakuzë ndaj disa personave për vepra penale lidhur me ndikim të paligjshëm në procedurën e ndarjes së mjeteve
Pas zhvillimit të procedurës hetimore, një prokuror publik nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPNKOK) sot ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup aktakuzë ndaj një personi të akuzuar për veprën penale Dhënie ryshfeti dhe veprën penale Dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm, ndaj tre personave për veprën penale Pranim shpërblimi për ndikim të paligjshëm, si dhe ndaj një personi tjetër për veprën penale Pranim ryshfeti.
I akuzuari kryesor, në cilësinë e tij si drejtues i një personi juridik penalisht përgjegjës, kishte aplikuar në një thirrje publike të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të RMV-së, duke paraqitur kërkesë për përfitim të mjeteve financiare nga programi IPARD. Meqë personi juridik nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara ligjore, aplikacioni ishte renditur më poshtë dhe nuk i përmbushte kriteret për përfitimin e mbështetjes financiare.
Me qëllim që aplikacioni të renditej padrejtësisht më lart dhe shuma e kërkuar e mbështetjes financiare të miratohej në tërësi, drejtuesi, në emër dhe për llogari të personit juridik, në disa raste kishte premtuar dhe dhënë para. Një zyrtari udhëheqës në Agjenci i ishte premtuar një dhuratë në vlerë prej 50.000 euro, ndërsa tre personave të tjerë u ishin dhënë 5.000 euro për të shfrytëzuar ndikimin e tyre real dhe pozitën zyrtare, me qëllim ushtrimin e presionit për marrjen e një vendimi që nuk duhej të merrej.
Gjatë procedurës hetimore, prokuroria ka konstatuar përgjegjësi penale edhe ndaj katër nëpunësve shtetërorë të punësuar në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të RMV-së, ndaj të cilëve është dorëzuar propozim-aktakuzë për veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar. Ndërkohë, ndaj personit juridik penalisht përgjegjës është ngritur akuzë për veprën penale Dhënie ryshfeti.
Të akuzuarit, duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, kanë mundësuar miratimin e paligjshëm të aplikacionit. Gjatë përpunimit dhe kontrollit të dokumentacionit, ata kanë kryer përllogaritje të pasakta të përmbushjes së kushteve dhe, mbi bazën e dokumentacionit jo të plotë, kanë përgatitur, kontrolluar dhe miratuar Formularin për kontrollin e kompletësisë së kontratës, si dhe Vendimin për miratimin e mbështetjes financiare. I akuzuari i dytë në aktakuzë, megjithëse ishte i vetëdijshëm se personi juridik nuk i përmbushte kushtet ligjore, e kishte nënshkruar vendimin me qëllim për të përfituar dhuratën e premtuar.
Meqë ende ekzistojnë bazat ligjore për masat e sigurisë të shqiptuara më parë, për katër nga të akuzuarit është propozuar vazhdimi i masës së paraburgimit, ndërsa për një person vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak. Për nëpunësit shtetërorë të akuzuar, me propozim të veçantë, janë kërkuar masa kujdesi, përfshirë ndalimin e ushtrimit të aktiviteteve zyrtare që lidhen me veprën penale, ndalimin e ushtrimit të funksioneve si zyrtarë në Agjencinë përkatëse, konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit dhe detyrimin për paraqitje periodike para organit kompetent.
Gjithashtu, me aktakuzën, prokurori publik ka propozuar konfiskimin e sendeve të përdorura për kryerjen e veprës penale, përfshirë telefona mobilë, media për ruajtjen e të dhënave digjitale dhe mjete financiare në vlerë prej 35.370 euro, 206.000 denarë dhe 200 franga zvicerane.
Nga materiali dëshmues i mbledhur gjatë kësaj procedure hetimore kanë dalë indicie edhe për mënyrën e veprimit me mjetet nga programet IPARD, për çka PPNKOK ka hapur një procedurë parahomore, e cila është ende në zhvillim.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

