Lajme nga bota
Clintonët pajtohen të dëshmojnë për Epsteinin
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, ish-sekretare e Shtetit, kanë pranuar të dëshmojnë në një hetim të Kongresit mbi financierin e ndjerë amerikan, Jeffrey Epstein, i akuzuar për abuzim seksual të vajzave të mitura.
Vendimi i tyre vjen para një votimi nëse çifti do të akuzohet për refuzimin e paraqitjes para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, pas një ngërçi disamujor.
Billi njihej me Epsteinin, i cili vdiq në burg më 2019, por ka mohuar të ketë qenë në dijeni të abuzimit seksual të tij dhe thotë se i ka ndërprerë kontaktet me të para dy dekadash.
Është e paqartë kur do të jepet dëshmia, por do të jetë e para herë që një ish-president del para një paneli hetues të Kongresit qëkur Gerald Fordi e bëri këtë më 1983.
Komiteti i Mbikëqyrjes, i udhëhequr nga republikanët, ka miratuar masa për t’i dënuar Clintonët “për përbuzje” muajin e shkuar, bashkë me mbështetjen e disa demokratëve.
Të hënën, zëvendësshefi i stafit të Bill Clintonit, Angel Urena, ka postuar në “X” duke konfirmuar se çifti do të paraqitet para panelit.
“Ata negociuan në mirëbesim”, ka shkruar ai drejtuar këtij Komiteti. “Ju jo”.
“Ua thanë nën betim atë që e dinë, por kjo juve nuk iu intereson. Por ish-presidenti dhe ish-sekretarja e shtetit do të vijnë. Ata mezi presin të krijojnë një precedent që vlen për të gjithë”, ka shkruar Urena.
Të dy Clintonët thonë se më herët kishin dhënë deklarata nën betim dhe se kanë ofruar informatat që kishin për Epsteinin.
Çifti e ka cilësuar thirrjen si “asgjë më shumë se një dredhi për t’i turpëruar rivalët politikë, siç ka udhëzuar presidenti Trump”.
Bill Clintoni nuk është akuzuar kurrë për ndonjë shkelje nga të mbijetuarit e abuzimit të Epsteinit dhe ka mohuar çfarëdo lidhje me veprat e tij. Megjithatë, ai u shfaq në disa dosje të Epsteinit, që u publikuan nga autoritetet amerikane.
Epstein, një milioner i njohur për lidhjet e tij me figura të shumta me ndikim dhe të famshme, u vetëvra në burg në vitin 2019 teksa priste padinë federale për trafikim qeniesh njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual.
Lajme nga bota
Spanja realizon transplantin e parë të fytyrës në botë
Spanja ka shënuar një moment historik në mjekësinë botërore, duke realizuar për herë të parë një transplant fytyre duke përdorur inde nga një dhurues, i cili kishte marrë ndihmë mjekësore gjatë vdekjes, procedurë e ligjshme në Spanjë që nga viti 2021.
Ky operacion u krye në Spitalin Universitar Vall d’Hebron në Barcelonë dhe konsiderohet një hap i madh përpara në fushën e transplantologjisë dhe kirurgjisë rindërtuese, raportoi “Euronews”.
Operacioni u krye nga një ekip prej rreth 100 profesionistësh shëndetësorë dhe u aplikua te një paciente që kishte pësuar dëmtime të rënda të indeve të fytyrës si pasojë e një infeksioni serioz.
Këto dëmtime kanë cenuar funksione jetike si frymëmarrja, ushqyerja dhe të folurit.
Operacioni u drejtua nga doktor Joan Pere Barret, shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Plastike dhe Djegieve në Vall d’Hebron.
Sipas Barretit, ky lloj transplanti përfshin transplantimin e lëkurës, muskujve, nervave dhe strukturave kockore, si dhe përdorimin e vazhdueshëm të barnave imunosupresive për të parandaluar refuzimin e indeve.
Lajme nga bota
Spanja do të ndalojë qasjen në rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç
Spanja planifikon të ndalojë qasjen në mediat sociale për të miturit nën 16 vjeç dhe platformat do të detyrohen të zbatojnë sisteme verifikimi të moshës, tha Kryeministri Pedro Sanchez të martën, ndërsa njoftoi disa masa për të garantuar një mjedis dixhital të sigurt.
Qeveria e koalicionit të krahut të majtë e Sanchezit është ankuar vazhdimisht për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, përmbajtjes pornografike dhe dezinformimit në mediat sociale, duke thënë se kjo ka efekte negative tek të rinjtë, raporton Reuters.
“Ne do t’i mbrojmë ata nga Perëndimi i Egër digjital,” shtoi ai.
Lajme nga bota
“Më detyroi burri të gënjeja”, shqiptarja shmang depërtimin nga Mbretëria e Bashkuar
Shqiptarja Fatmire Isaku, i ka shpëtuar deportimit nga Mbretëria e Bashkuar pasi gjykata pranoi se bashkëshorti i saj ishte përgjegjës për mashtrimin e saj lidhur me kombësinë dhe të kaluarën penale.
The Telegraph shkruan se Isaku kishte aplikuar për shtetësi britanike disa herë, duke mos deklaruar historinë e saj të vjedhjeve. Ajo gjithashtu pretendonte se kishte lindur në Kosovë, ndërkohë që ishte nga Tirana. Pas një aplikimi të katërt, ajo mori shtetësinë, por më pas Ministria e Brendshme e hoqi, sapo doli në dritë se ishte nga Shqipëria dhe jo nga Kosova.
Gjykata e shkallës së parë pranoi se bashkëshorti i saj, Islami, mund të ketë “filluar dhe mbikëqyrur” gënjeshtrat e saj. Avokati i Isakut argumentoi gjithashtu se problemet e saj serioze të shëndetit mendor ndikuan në sjelljen e saj, një fakt që nuk ishte shqyrtuar si duhet nga gjykata fillestare.
Gjyqtari Jonathan Perkins tha: “Provat mjekësore treguan se Fatmirja kishte probleme të rëndësishme të shëndetit mendor që ndikuan në jetën e saj të përditshme. Kjo mund të ketë zvogëluar përgjegjësinë e saj për mashtrimin.”
Gjykata vendosi që çështja e Isakut të ridëgjohet, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm që e detyronte atë të humbiste shtetësinë.

