Connect with us

Lajme nga vendi

Flori Epiriani dërgon iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për heqjen e shtesës 30%: kërkohet anulimi i ndryshimeve ligjore

Published

on

Themeluesi i Sindikatës së Pavarur të Policisë (NSP), Flori Epiriani, ka dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve në Ligjin për Punë të Brendshme dhe Ligjin për Policinë, që kanë të bëjnë me pagat dhe shtesat mbi pagë të punonjësve të policisë .
Në nismën e tij, Epiriani konteston ndryshimet ligjore me të cilat shtesa fikse për rrezikshmëri dhe specifikën e punës ,e njohur si shtesa për autorizim prej 30 %, përkatësisht 20 % është hequr nga ligji dhe është lënë të rregullohet me akte nënligjore ose me marrëveshje kolektive.
Sipas tij, këto ndryshime cenojnë parimin e sundimit të së drejtës, të garantuar me nenin 8 të Kushtetutës, duke krijuar pasiguri juridike për statusin ekonomik të punonjësve të policisë.
“Profesioni i policit është profesion me rrezikshmëri të lartë dhe kërkon mbrojtje ligjore të veçantë. Zhvendosja e të drejtave nga ligji në akte nënligjore krijon mundësi që ato të zvogëlohen në mënyrë të njëanshme nga ana e pushtetit ekzekutiv, pa kontroll parlamentar”, thuhet në arsyetimin e iniciativës.
Në iniciativë theksohet gjithashtu se ndryshimet ligjore bien ndesh edhe me nenin 32 të Kushtetutës, i cili garanton të drejtën për fitim të rregullt dhe të përshtatshëm me peshën dhe rrezikshmërinë e punës.
Sipas parashtruesit, rreziku nga përdorimi i armëve të zjarrit dhe nga zbatimi i detyrave policore është objektiv dhe i përhershëm, ndërsa heqja e garancisë ligjore për shtesën për rrezikshmëri nënkupton se shteti nuk e trajton më këtë rrezik si pjesë të detyrueshme të pagës.
Një nga argumentet e ngritura para Gjykatës Kushtetuese është edhe cenimi i parimit të barazisë, pasi sipas iniciativës , punonjësit e policisë vihen në pozitë të pabarabartë në krahasim me kategori të tjera profesionale me detyra specifike, të cilave të drejtat nga marrëdhënia e punës u janë të garantuara drejtpërdrejt me ligj.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Flori Epiriani propozon:
fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të kontestuara, dhe
shfuqizimin ose anulimin e tyre, me qëllim rikthimin e zgjidhjes së mëparshme ligjore që garantonte shtesë fikse për rrezikshmëri.
Në një deklaratë publike drejtuar opinionit dhe punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Epiriani thekson se shteti, përmes këtyre ndryshimeve, e ka shndërruar të drejtën për shtesë në pagë në çështje të negociatave dhe vullnetit politik.
Ai u bën thirrje të gjithë punonjësve të policisë për unitet, duke theksuar se kjo iniciativë para Gjykatës Kushtetuese është “fillimi i betejës juridike për ruajtjen e integritetit të profesionit të policit”.

Lajme nga vendi

Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria

Published

on

Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.

Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare

Published

on

Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.

Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Continue Reading

Më të lexuarat