Lajme nga vendi
Një burrë 62-vjeçar nga Tetova ka ndërruar jetë pas komplikimeve nga gripi, njofton ISHP
Në periudhën nga 26 janari deri më 1 shkurt është raportuar një rast vdekjeje i lidhur me gripin, njofton Instituti i Shëndetit Publik në raportin javor. Bëhet fjalë për një burrë 62-vjeçar nga Tetova, i cili ishte i shtruar në repartin infektiv të Spitalit Klinik të Tetovës. Tek personi i ndjerë janë konstatuar komorbiditete dhe ai nuk ishte i vaksinuar kundër gripit sezonal, ndërsa laboratorikisht është konfirmuar Influenza A. Gjatë sezonit të gripit, deri më tani janë regjistruar gjithsej katër persona të vdekur të lidhur me gripin.
Në të njëjtën periudhë, në Maqedoninë e Veriut janë raportuar 1.498 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është 12,3 për qind më pak krahasuar me javën paraprake, kur ishin raportuar 1.708 raste. Krahasuar me javën e pestë të sezonit të kaluar, kur ishin regjistruar 3.036 raste, numri aktual është më i ulët për 50,7 për qind, ndërsa krahasuar me mesataren e javës së pestë sipas kurbës tipike epidemike të bazuar në 15 sezonet e fundit, ku numri ishte 2.656, është më i ulët për 43,6 për qind. Gjatë javës së pestë të vitit 2026, incidenca e regjistruar mbetet në kuadër të aktivitetit të ulët.
Sa i përket shpërndarjes sipas moshës, 866 persona janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, 247 janë fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç, 224 janë persona mbi 65 vjeç, ndërsa 161 janë fëmijë të moshës 0 deri në 4 vjeç. Incidenca më e lartë, 166,8 raste për 100.000 banorë, është regjistruar tek fëmijët e moshës 0–4 vjeç.
Numri më i madh i të prekurve është regjistruar në Shkup me 473 raste, pasuar nga Prilepi me 146, Strumica me 139, Ohri me 99, Manastiri me 77, Shtipi me 70, Tetova me 63, Gjevgjelia me 61, Kumanova me 59, Dibra me 43 dhe Velesi me 36 raste. Në Radovish, Kërçovë, Kavadar, Strugë, Gostivar, Resnjë, Negotinë, Sveti Nikollë, Kratovë, Krushevë, Vinicë, Demir Hisar, Probishtip, Koçan, Makedonski Brod, Pehçevë dhe Vallandovë, numri i të sëmurëve është më pak se 30, ndërsa në Berovë, Dellçevë dhe Kriva Pallankë nuk janë raportuar raste të gripit apo sëmundjeve të ngjashme me gripin.
Gjatë sezonit 2025/2026, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin ka arritur në 11.415. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, kur ishin raportuar 8.734 raste, ky numër është rritur për 30,7 për qind, ndërsa krahasuar me mesataren e 15 sezoneve të fundit prej 12.278 rastesh, është regjistruar ulje prej 7 për qind. Gjatë javës së pestë të vitit 2026 vazhdon trendi i rënies së numrit të të sëmurëve dhe incidencës javore, e cila mbetet në kuadër të aktivitetit të ulët. Të dhënat nga mbikëqyrja virologjike tregojnë se ka aktivitet gjeografik rajonal të virusit të gripit, ndërsa përqindja e pozitivitetit është mbi 10 për qind për tetë javë radhazi, çka tregon se gripi në Maqedoninë e Veriut ka intensitet të mesëm. Deri në javën e pestë, në vend janë vaksinuar gjithsej 79.105 persona me vaksinë falas ose komerciale kundër gripit.
Lajme nga vendi
FILIPÇE: S`KA PËRFITIME NGA ULJA E TVSH-së, ÇMIMET TASHMË JANË RRITUR!
Qytetarët nuk po shohin përfitime nga ulja e TVSH-së për karburantet dhe derivatet e naftës, pasi pavarësisht kësaj mase, çmimet janë rritur”, theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në konferencën e sotme për shtyp. Ai shtoi se u vërtetua ajo për të cilën LSDM kishte paralajmëruar në javët e fundit – rritja e çmimeve të karburanteve ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në shtrenjtimin e ushqimeve.
“Rritja e çmimeve të energjisë, derivateve dhe naftës do të sjellë rritje të çmimeve fillimisht të produkteve ushqimore, e më pas edhe të të gjitha produkteve të tjera në vend. Nafta ishte 71 denarë, ndërsa tani është 95,5 denarë dhe qytetarët tashmë ankohen se nuk mund të mbushin as shportën bazë, pra nuk mund të përballojnë ushqimin. Janë shtrenjtuar produktet bazë si vezët, mishi, produktet e qumështit, frutat dhe perimet, dhe dihet se kur këto produkte rriten një herë, çmimet rrallë kthehen pas. Nga masa e Qeverisë për uljen e TVSH-së nga 18% në 10% nuk po përfitojnë as kompanitë. E vetmja gjë që mund të pritet është vazhdimi i rritjes së çmimeve, të cilat, siç ju kujtoj, kishin nisur të rriteshin që në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, para fillimit të luftës në Iran. Pra, kjo është vetëm një arsye shtesë pse çmimet në vend do të vazhdojnë të rriten”, tha Filipçe.
Në konferencë, ai theksoi gjithashtu se vendet e rajonit tashmë kanë ndërmarrë masa konkrete. Si shembull përmendi Kroacinë, ku përveç kufizimit të çmimeve të karburanteve dhe gazit, janë mbështetur edhe kategori të caktuara qytetarësh si bujqit, familjet në nevojë, peshkatarët dhe të tjerë – pra ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë.
Lajme nga vendi
Rritet çmimi i naftës një fuçi naftë Brent sot në mëngjes tregtohet për mbi 100 dollarë
Një fuçi naftë Brent sot në mëngjes tregtohet për mbi 100 dollarë. Rritja e çmimit të naftës ndodhi pasi dje kishte rënë për 10% pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të shtyrë sulmet ndaj Iranit dhe për të shpallur bisedime me Teheranin.
Në bursat aziatike sot në mëngjes, çmimi i naftës Brent nga Deti i Veriut u rrit për 2,9 përqind dhe një fuçi u tregtua për 102,84 dollarë.
Një rritje prej 3,5 përqind u regjistrua edhe tek çmimi i naftës amerikane referencë “West Texas Intermediate”, i cili tregtohej për 91,20 dollarë për fuçi.
Lajme nga vendi
“SPAR” do të hyj zyrtarisht në Maqedoni përmes riemërtimit të “Kit-Go”
Kit-Go, përmes një ndryshimi të regjistruar të emrit të kompanisë, ditët e fundit zyrtarisht ka marrë emrin e zinxhirit ndërkombëtar të supermarketeve Spar.
Kit-Go tani quhet “Spar North Macedonia”, ndërsa 62 markete të shitjes me pakicë në të gjithë vendin janë riemërtuar me emrin e ri. Numri më i madh i pikave të shitjes është në Shtip, por edhe në Shkup, si dhe pothuajse në të gjitha qytetet më të mëdha dhe më të vogla në vend, të cilat tani janë të regjistruara zyrtarisht si Spar.
Në janar u njoftua se Spar do të riemërtojë marketet Kit-Go në Maqedoni dhe do të kalojë nën emrin e brendit të njohur holandez. Marketet Kit-Go, rreth 60 në të gjithë shtetin, për rreth 60 milionë euro u blenë nga kompania kosovare Viva Fresh disa vite më parë, por ende operonin me emrin e tyre të vjetër.
Më herët u publikua edhe një informacion mediatik se zinxhiri holandez i tregtisë me pakicë planifikon të hapë një market në Kavadar. Nga komuna kanë deklaruar, sipas informacioneve të tyre, se kompania tashmë po kërkon një lokacion të përshtatshëm. Në rajon, Spar është i pranishëm në Kosovë dhe Shqipëri.
Në mars të këtij viti, zinxhiri tregtar kosovar Viva Fresh Group, i pranishëm edhe në Maqedoni përmes Viva Fresh Store, Super Kit Go dhe Modern Studio & Top Shop, e mori nën kontroll Spar Albania nga Balfin Group. Spar është themeluar në vitin 1932. Brendi është i pranishëm në 48 vende me 13.800 dyqane. Deri më tani nuk kishte markete në Maqedoni.
Spar kishte interes për të hyrë në tregun e Maqedonisë edhe para fillimit të pandemisë së Covid-it. I themeluar në vitin 1932 në Holandë, SPAR është shndërruar në një brend global i pranishëm në rreth 48 vende me mbi 13.900 dyqane në mbarë botën. Ai dallohet nga të tjerët veçanërisht për përshtatjet lokale të çdo dyqani në komunitetin ku operon. Ndryshe nga zinxhirët e mëdhenj të centralizuar, SPAR funksionon përmes partnerëve të licencuar dhe operatorëve të pavarur, që do të thotë se çdo dyqan është në gjendje t’i përgjigjet nevojave specifike të popullsisë lokale.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

