Lajme nga vendi
“FOL SHQIP O TAJ”
“FOL SHQIP O TAJ”. Kjo është nisma e fundit e inicuar nga Ambasadori I Shqipërisë më Shkup, Denion Meidani, pas problemit që hasën studentët shqiptarë për provimin e jurispodencës në gjuhën shqipe. Nisma ka ngjallur reagime në opinion, ndërsa pritet të shihet nëse institucionet përkatëse do të marrin masa konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali tha se Ligji për Provimin e Jurisprudencës që është aktiv që nga muaji janar i vitit 2020, ka defekt pasi nuk e precizon se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi. Sali tha se mbështesin kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut, që provimi të mund të realizohet edhe në gjuhën shqipe.
“Këtë defekt do të mundohemi që ne tash ta përmirësojmë apo ta precizojmë, për arsye se Ministria e Drejtësisë siç nuk është e gatshme të respektojë Kushtetutën e vendit, e cila nënkupton gjithçka që gjithçka që është mbi 20 për qind e popullsisë në vendin tonë duhet të respektohet gjuha amtare, që nënkupton që gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari që provimin e jurisprudencës ta japë në gjuhën amtare të tij, në gjuhën shqipe. Këtu duhet ta përsëris edhe njëherë qëndrimin e VLEN-it se jemi pro kësaj kërkese”, deklaroi Sali.
Avokati i Popullit ka konfirmuar se kanë hapur procedurë lidhur me provimin e jurisprudencës i cili nuk ofrohet në gjuhën shqipe, por vetëm në maqedonisht. Ndonëse nuk ka të dorëzuar ndonjë nismë konkrete deri te Zyra e Avokatit të Popullit, Faton Selami ftoi qytetarët të cilëve u është shkelur kjo e drejtë që të njëjtën ta paraqesin.
“Çdo qytetar që konsideron se i është shkelur një e drejtë e garantuar me Kushtetutë apo ligj, ka të drejtë të iniciojë procedurë pranë Avokatit të Popullit duke paraqitur parashtresë. Megjithatë, Zyra e Avokatit të Popullit, deri më tani, nuk ka regjistruar parashtresë që lidhen drejtpërdrejt me çështjen. Avokati i Popullit nuk do të kufizohet vetëm në pritjen e parashtresave individuale. Në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të inicioj menjëherë procedurë me vetëiniciativë për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Në këtë kuadër, do të realizohet një analizë e dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe e veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me zbatimin e këtij ligji në organizimin dhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës”, tha Avokati i popullit, Faton Selami.
Nga BDI thonë se “në mënyrë brutale dhe të papranueshme, ministri ka injoruar kërkesat legjitime juridike të studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj”.
“Ky veprim përbën precedent të rrezikshëm institucional, ku Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës. BDI vlerëson se kjo qasje jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike, Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje Qeverisë që të mos lejojë Ministrin e Drejtësisë të vendoset mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën, por të ndërmarrë masa konkrete për t’u mundësuar studentëve shqiptarë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën kanë kryer studimet dhe gjuhë që është zyrtare sipas rendit kushtetues të shtetit” thonë nga BDI.
Së fundmi edhe Ishministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami ka reaguar duke thënë se institucionet në Maqedoni po ndërmarrin hapa anti-kushtetues me mos pranimin e kërkesës së studentëve shqiptarë për provim në gjuhën amëtare. TV KOHA
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

