Lajme nga vendi
Kontrabandë nën petkun e mjekësisë: Lojëra në biznesin e kanabisit
Policia dhe Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e Maqedonisë së Veriut kryen kontrolle vonë mbrëmë, më 5 shkurt, në fabrikën “ALFAFARM GRUP” në Shkup, me bazë në rrethin e ish-fabrikës OHIS, ndërsa paralelisht u kryen kontrolle edhe në disa lokacione në rajonin e Strumicës.
Jozyrtarisht, disa media raportuan se gjatë aksionit policor janë konfiskuar 27 tonë kanabis mjekësor nga magazinat, një sasi rekorde. Informacionet zyrtare nga MPB-ja dhe Prokuroria pritet të publikohen sot.
Aksioni në territorin e Maqedonisë së Veriut erdhi pasi autoritetet serbe sekuestruan pesë tonë marihuanë të kontrabanduar, për të cilën u tha se e ka origjinën nga një fabrikë në Shkup, me licencë për prodhim kanabisi për qëllime mjekësore.
Ende nuk ka epilog as nga vizita e mëparshme në terren e MPB-së dhe Komisionit për miratimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila me ligj është e obliguar të ushtrojë mbikëqyrje mbi kompanitë që prodhojnë kanabis mjekësor.
“Komisioni për kanabis, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka kryer një kontroll të jashtëzakonshëm. Procedura është ende në zhvillim dhe po bëhet verifikim shtesë i gjendjes. Në këtë moment nuk është e mundur të jepen informacione shtesë”, thanë nga Komisioni për Radion Evropa e Lirë.
Më 29 janar, policia serbe sekuestroi pesë tonë marihuanë në fshatin Konjuh, afër Krushevcit, me një vlerë të vlerësuar nga 7 deri në 10 milionë euro në tregun e zi.
Përveç marihuanës, u gjetën edhe armë zjarri – të paktën katër pushkë automatike dhe një “zollë”, si dhe para në vlerë rreth 12.700 euro.
Sipas informacioneve të Prokurorisë serbe për Krim të Organizuar (TOK), një grup i organizuar kriminal e kishte sjellë marihuanën në janar 2026 nga Maqedonia e Veriut në territorin serb.
Edhe Prokuroria Publike në Shkup hapi një lëndë lidhur me sekuestrimin e pesë tonëve marihuanë në fshatin Konjuh.
Prokuroria i tha Radios Evropa e Lirë se ka vendosur “komunikim intensiv dhe të vazhdueshëm” me institucionet kompetente në Serbi, “me shkëmbim aktiv të informacioneve relevante dhe koordinim të veprimeve”.
Biznesi i kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore u legalizua në Maqedoninë e Veriut në vitin 2017. Legalizimi kishte për qëllim të siguronte produkte të sigurta dhe të standardizuara për pacientët me gjendje të rënda shëndetësore – sëmundje onkologjike, HIV/AIDS, epilepsi dhe dhimbje kronike neuropatike, ndërsa vaji i kanabisit ofron terapi për lehtësimin e simptomave, reduktimin e të përzierave nga kimioterapia dhe përmirësimin e oreksit dhe cilësisë së jetës.
Në Serbinë fqinje, përdorimi i kanabisit është i ndaluar me ligj në çdo formë.
Ligj i dobët, kontroll i fshehtë
Më shumë se tetë vjet pas miratimit të Ligjit për legalizimin e kultivimit dhe eksportit të kanabisit për përdorim mjekësor, pothuajse një e treta e të gjitha licencave të dhëna kompanive kanë shkelur ligjin për shkak të parregullsive në punë.
Gjatë kësaj periudhe, kompanitë kanë “prodhuar” edhe një sërë aferash për kontrabandë të marihuanës, duke e zbehur përfitimin real shëndetësor nga prodhimi i vajit të kanabisit për qëllime mjekësore.
Nga hyrja në fuqi e Ligjit për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope, më 27 dhjetor 2017, deri më 3 shkurt 2026, Qeveria ka marrë vendime për dhënien e lejeve për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore për 61 persona juridikë.
Mbikëqyrjen ndaj kompanive me leje për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore e ushtron Komisioni për miratimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, i cili funksionon nën Ministrinë e Shëndetësisë.
Komisioni përbëhet nga gjithsej pesë anëtarë, prej të cilëve dy janë nga Ministria e Shëndetësisë (kryetari dhe një anëtar), të cilët njëkohësisht janë të sistemuar dhe të angazhuar edhe në sektorë të tjerë të institucionit. Ndërsa tre janë anëtarë të jashtëm, nga një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, nga Agjencia për Barna (MALMED) dhe një specialist nga fusha e bimëve mjekësore.
Komisioni e informon Ministrinë e Shëndetësisë për punën e tij, e cila më pas i dërgon Qeverisë propozime për dhënien ose heqjen e licencave.
Në kërkesat e dërguara për të dhëna – sa kontrolle të rregullta dhe të jashtëzakonshme janë kryer gjatë vitit 2025, në sa dhe cilat kompani janë konstatuar parregullsi dhe cilat janë ndëshkimet – Komisioni nuk dha përgjigje konkrete dhe të sakta.
“Gjatë vitit 2025, Komisioni për kanabis ka kryer kontrolle të rregullta dhe të jashtëzakonshme te subjektet juridike me licencë për kultivim kanabisi për qëllime mjekësore. Gjatë kontrolleve janë konstatuar parregullsi në punën e disa subjekteve juridike, të lidhura me mosrespektimin e dispozitave ligjore dhe detyrimeve të përcaktuara me lejen për kultivim. Në rastet kur janë konstatuar parregullsi, Komisioni vepron në përputhje me kompetencat ligjore dhe merr masa përkatëse, në varësi të peshës dhe karakterit të gjendjeve të konstatuara”, u përgjigjën nga Komisioni.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se tashmë po punohet në ndryshime ligjore në këtë fushë dhe se një grup pune kishte nisur analizat edhe para se afera me marihuanën e sekuestruar në Serbi të bëhej publike. Sipas ministrit, në ligjin ekzistues janë identifikuar disa dobësi që duhet të tejkalohen me zgjidhjen e re ligjore.
“Le të shohim se çfarë kanë për të thënë ekspertët për Ligjin dhe për nenet që janë shtuar në zgjidhjen e re ligjore. Mendoj se do të kemi një Ligj me të cilin do të mund t’i ndjekim aktivitetet”, deklaroi Aliu.
Përveç Komisionit Ndërinstitucional, sipas ligjit, inspektime kryejnë edhe Ministria e Bujqësisë dhe Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë. Në përshkrimin e punës së tyre thuhet se ata ushtrojnë mbikëqyrje dhe kontroll mbi prodhimin e materialit faror, vetë prodhimin, si dhe para dhe pas korrjes.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se rasti me pesë tonë drogë që përfunduan në Serbi, e që sipas prokurorisë serbe e kanë origjinën nga Maqedonia e Veriut, është një “rast serioz”, dhe paralajmëroi aksione policore edhe ndaj kompanive të tjera që kanë keqpërdorur licencat për kultivimin e kanabisit.
“Pres që ditëve në vijim MPB-ja të dalë me dhjetëra tonë – jo me disa tonë, por me dhjetëra tonë të këtij lloji të mjeteve të ndaluara, përkatësisht substancave të ndaluara, drogë, marihuanë në këtë rast – e cila aktualisht ndodhet në depot në Maqedoni ose ka pasur në ndonjë mënyrë marrëdhënie ndërmjet subjekteve të caktuara juridike, jo vetëm brenda shtetit, por edhe jashtë tij, për të cilat është konstatuar se janë hedhur ilegalisht në qarkullim dhe janë ruajtur ilegalisht”, deklaroi Mickoski mbrëmë në një intervistë për transmetuesin publik MRT.
Nga grabitje filmike te kontrabanda ndërkufitare
Kjo nuk është afera e parë që lidh fabrikat maqedonase të kanabisit mjekësor me tregun e zi në Serbi. Paralelja me rastin “Jovanjica”, për plantacionin më të madh të marihuanës në Evropë para gjashtë vitesh, i kujton opinionit publik lidhjet e thella mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në kontrabandën e marihuanës. Atëherë u sekuestruan më shumë se një ton e gjysmë marihuanë.
Gjatë shpërthimit të aferës “Jovanjica” në Serbi, opozita e atëhershme VMRO-DPMNE kërkoi hetim edhe në Maqedoninë e Veriut, duke e lidhur pronarin e plantacionit, Predrag Koluvija, me ish-kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, dhe bizneset e familjes së tij me marihuanë.
“Skandali është edhe më i madh sepse i arrestuari Predrag Koluvija është partner biznesi pikërisht i partnerit të biznesit të Zaevëve, Goran Krstev, i cili së bashku me Zaevin, po ju kujtoj, ishte amnistuar për rastin ‘Global’”, deklaroi Igor Janushev në prill 2021.
Në këtë rast, para Gjykatës Speciale në Beograd po zhvillohen dy procese gjyqësore kundër Predrag Koluvijas, pronar i pronës “Jovanjica”.
Në të dy lëndët ai akuzohet se ka qenë organizator i një grupi që kultivonte marihuanë për shitje dhe mbrohet në liri.
Gjatë viteve të fundit janë shënuar edhe disa raste të tjera të veprimtarisë së paligjshme të kompanive, vjedhjeve dhe përpjekjeve (të suksesshme dhe të pasuksesshme) për kontrabandë marihuane.
Para gjashtë vitesh, në fshatin Araçinovë afër Shkupit, policia sekuestroi 231 kilogramë nga gati dy tonë marihuanë që ishin vjedhur nga kompania “Herb Industry” në Vallandovë. Kamioni me pjesën më të madhe të marihuanës u braktis pranë pikëkalimit kufitar Bllacë, me Kosovën. Në publik u shfaqën edhe pamje nga magazina e marihuanës, duke përfaqësuar rastin e parë me prova video për vjedhje nga një kompani e licencuar.
Në vitin 2022, policia gjeti rreth 250 kilogramë marihuanë të paketuar në 67 thasë, me vlerë të vlerësuar rreth 800.000 euro, që e kishin origjinën nga kompania e Manastirit “Medical 420”. MPB-ja bastisi ambientet një vit më vonë, pasi Qeveria ia kishte hequr lejen në vitin 2021 për shkak të paligjshmërive.
Po atë vit, policia sekuestroi nga kompania strumicase “Solidis Herbal” gjithsej 1.6 tonë marihuanë, me vlerë të vlerësuar 3.2 milionë euro.Transmeton TV KOHA
Lajme nga vendi
Mërgata dhuron 41 komplete profesionale për zjarrfikësit e Strugës
Njësia Territoriale e Zjarrfikjes në Strugë ka pranuar donacion prej 41 kompleteve profesionale rezistente për fikjen e zjarreve nga bashkëvendasi Qëndrim Kala, i cili jeton dhe punon në Zvicër.
Sipas njoftimit të Komunës së Strugës, Kala, i cili është edhe vullnetar në njësinë e zjarrfikjes në komunën e Urdorfit në Zvicër, e realizoi donacionin në shenjë mbështetjeje për kolegët e tij në vendlindje.
Kryetari i Strugës, Mendi Qyra, e ka falënderuar për kontributin, duke vlerësuar solidaritetin e mërgatës ndaj komunitetit lokal.
Lajme nga vendi
Mustafa Dauti: Korriku shënoi arkëtimin më të lartë mujor në histori
Lajme nga vendi
Zjarri në Tearcë dyshohet të jetë i qëllimshëm, Komuna dhe policia hetojnë rastin,autoritetet me apel për kujdes
Një sipërfaqe bukur e madhe e fushave të Tearcës dhe u përfshi nga zjarri. Intervenimi në kohë i zjarrëfikësve, autoriteteve dhe vetë qytetarëve bëri që zjarri të vihet nën kontroll dhe që të lokalizohet, e më vonë të shuhet tërësisht. Komandanti i Njësitit Territorial Kundër Zjarrit në Tetovë, Avni Ameti thotë se mbi 5 orë kanë bërë luftë me zjarrin deri sa e kanë shuar tërësisht. Sipas tij, më së shpeshti këto llojë zjaresh shkaktohen nga vetë faktori njeri, i cili u bëri apel që qytetarët të kenë kujdes të shtuar meqë në këtë periudhë të thatë, zjarri ndizet dhe përhapet shumë shpejtë.
AVNI AMETI – NJTKZ “Afërsisht 5 apo 6 orë kemi intervenuar në këtë terren këtu me gjitha kapacitetet që ka stacioni i Tearcës dhe i Tetovës, pra u përfshimë gjithë këtu. Po ashtu kemi pasur intervenime të tjera të shumëta dje në Tetovë në sipërfaqe të hapura, gjithsej rreth dhjetë zjarre ka pasur dje në Tetovë. Ka pasur për një muaj rreth 30 intervenime që i ka bërë vetëm nënstacioni i Tearcës, ndërsa stacioni i Tetovës dhe i Bogovinës kanë rritje enorme të zjarreve dhe dihet që faktori njeri është kryesori, apo hedhja edhe e qelqit vend e pa vend që shkaktojnë zjarre me këto përmasa”
Kreu i komunës së Tearcës Daut Memishi, ka paralajmëruar përgjegjësi ligjore për personat që me dashje apo nga pakujdesia shkaktojnë zjarre.
“Nuk kemi konstatuar ende, por vërejtjet e para edhe të zjarrfikësve pasi zjarri ishte përhapur në katër pika të ndryshme, nënkupton se ka qenë zjarrvënie me qëllim. Apeloj miqësisht qytetarëve që të kenë kujdes sepse kjo javë do jetë më e nxehta e vitit, dhe meqë ka zjarre edhe në vende tjera, mundojnë ekipet për intervenim nga ajri sepse dje kërkuam ndërhyrje edhe nga ajri, por falë zjarrfikësve edhe të Tetovës u arrit shpejtë të lokalizohet, por falënderoj edhe banorët që ndihmuan për katër deri pesë orë pra arritën ta lokalizojmë. Sot i kemi në terren ekipet që të vërtetohet sa hektar është djegur. Parandaluam që zjarri të kaplojë edhe komunën e Jegunocit”
Memishi thotë se ka pasur zjarrvënie të qëllimshme brenda muajit edhe nëpër disa fshatra të Komunës së Tearcës të cilat vepra po hetohen dhe autorët do përgjigjen para Ligjit. Ndryshe, intervenimi në 36 raste vetëm nga njësiti i Tearcës për brenda një muaji, sipas Memishit dëmton shumë buxhetin e Komunës së Tearcës, andaj ka apeluar banorët që të bëjnë kujdes sidomos gjatë punimeve apo zjarreve që ndezin në fusha për të pastruar tokat./Tv Koha/

