Lajme nga vendi
Zgjebja në kazermën e Velesit zbulon kushte çnjerëzore në ARM, alarmoj nga Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë
Sindikata e Pavarur ka alarmuar për kushtet e këqija në kazermat ushtarake pas shfaqjes së sëmundjes ngjitëse zgjebe në kazermën “Aleksë Demnievski-Bauman” në Veles. Sipas sindikatës, kjo situatë ka nxjerrë në pah problemet serioze me kushtet e jetesës dhe punës së ushtarëve profesionistë në kazermat në mbarë vendin.
Nga Sindikata thonë se shfaqja e zgjebes nuk është një rast i izoluar, por pasojë e një neglizhence shumëvjeçare. Sipas tyre, ushtarët profesionistë flenë në ambiente me lagështi dhe insekte, përdorin shtroje të vjetra dhe të papastra, jastëkë të përdorur edhe mbi dy dekada, ndërsa batanijet dhe çarçafët nuk janë ndërruar prej vitesh.
Theksohen gjithashtu kushte johigjienike gjatë përgatitjes dhe shërbimit të ushqimit, përdorimi i enëve të vjetra dhe cilësia e dobët e racioneve ushqimore, si dhe nyje sanitare të amortizuara që nuk janë rinovuar prej më shumë se 15 vitesh. Për më tepër, ushtarët shpesh punojnë në objekte pa energji elektrike.
Sindikata nënvizon se rasti në Veles është vetëm një nga të paktët që ka marrë vëmendje mediatike, ndonëse këto gjendje ekzistojnë prej vitesh edhe në kazermat e tjera. Ata apelojnë që buxheti i rritur i mbrojtjes, në përputhje me detyrimet ndaj NATO-s, të orientohet drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe kujdesit për faktorin njerëzor, e jo vetëm për blerjen e pajisjeve ushtarake.
Nga Ministria e Mbrojtjes dhe ARM njoftuan se janë regjistruar dy raste të zgjebes te ushtarë profesionistë të sapopranuar dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat shëndetësore për parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Lajme nga vendi
Mërgata dhuron 41 komplete profesionale për zjarrfikësit e Strugës
Njësia Territoriale e Zjarrfikjes në Strugë ka pranuar donacion prej 41 kompleteve profesionale rezistente për fikjen e zjarreve nga bashkëvendasi Qëndrim Kala, i cili jeton dhe punon në Zvicër.
Sipas njoftimit të Komunës së Strugës, Kala, i cili është edhe vullnetar në njësinë e zjarrfikjes në komunën e Urdorfit në Zvicër, e realizoi donacionin në shenjë mbështetjeje për kolegët e tij në vendlindje.
Kryetari i Strugës, Mendi Qyra, e ka falënderuar për kontributin, duke vlerësuar solidaritetin e mërgatës ndaj komunitetit lokal.
Lajme nga vendi
Mustafa Dauti: Korriku shënoi arkëtimin më të lartë mujor në histori
Lajme nga vendi
Zjarri në Tearcë dyshohet të jetë i qëllimshëm, Komuna dhe policia hetojnë rastin,autoritetet me apel për kujdes
Një sipërfaqe bukur e madhe e fushave të Tearcës dhe u përfshi nga zjarri. Intervenimi në kohë i zjarrëfikësve, autoriteteve dhe vetë qytetarëve bëri që zjarri të vihet nën kontroll dhe që të lokalizohet, e më vonë të shuhet tërësisht. Komandanti i Njësitit Territorial Kundër Zjarrit në Tetovë, Avni Ameti thotë se mbi 5 orë kanë bërë luftë me zjarrin deri sa e kanë shuar tërësisht. Sipas tij, më së shpeshti këto llojë zjaresh shkaktohen nga vetë faktori njeri, i cili u bëri apel që qytetarët të kenë kujdes të shtuar meqë në këtë periudhë të thatë, zjarri ndizet dhe përhapet shumë shpejtë.
AVNI AMETI – NJTKZ “Afërsisht 5 apo 6 orë kemi intervenuar në këtë terren këtu me gjitha kapacitetet që ka stacioni i Tearcës dhe i Tetovës, pra u përfshimë gjithë këtu. Po ashtu kemi pasur intervenime të tjera të shumëta dje në Tetovë në sipërfaqe të hapura, gjithsej rreth dhjetë zjarre ka pasur dje në Tetovë. Ka pasur për një muaj rreth 30 intervenime që i ka bërë vetëm nënstacioni i Tearcës, ndërsa stacioni i Tetovës dhe i Bogovinës kanë rritje enorme të zjarreve dhe dihet që faktori njeri është kryesori, apo hedhja edhe e qelqit vend e pa vend që shkaktojnë zjarre me këto përmasa”
Kreu i komunës së Tearcës Daut Memishi, ka paralajmëruar përgjegjësi ligjore për personat që me dashje apo nga pakujdesia shkaktojnë zjarre.
“Nuk kemi konstatuar ende, por vërejtjet e para edhe të zjarrfikësve pasi zjarri ishte përhapur në katër pika të ndryshme, nënkupton se ka qenë zjarrvënie me qëllim. Apeloj miqësisht qytetarëve që të kenë kujdes sepse kjo javë do jetë më e nxehta e vitit, dhe meqë ka zjarre edhe në vende tjera, mundojnë ekipet për intervenim nga ajri sepse dje kërkuam ndërhyrje edhe nga ajri, por falë zjarrfikësve edhe të Tetovës u arrit shpejtë të lokalizohet, por falënderoj edhe banorët që ndihmuan për katër deri pesë orë pra arritën ta lokalizojmë. Sot i kemi në terren ekipet që të vërtetohet sa hektar është djegur. Parandaluam që zjarri të kaplojë edhe komunën e Jegunocit”
Memishi thotë se ka pasur zjarrvënie të qëllimshme brenda muajit edhe nëpër disa fshatra të Komunës së Tearcës të cilat vepra po hetohen dhe autorët do përgjigjen para Ligjit. Ndryshe, intervenimi në 36 raste vetëm nga njësiti i Tearcës për brenda një muaji, sipas Memishit dëmton shumë buxhetin e Komunës së Tearcës, andaj ka apeluar banorët që të bëjnë kujdes sidomos gjatë punimeve apo zjarreve që ndezin në fusha për të pastruar tokat./Tv Koha/

