Connect with us

Lajme nga vendi

Nesër seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit, për 11 shkurt në orën 12:00.

Presidenca ka njoftuar se vendimi për këtë datë është marrë pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Caktimi i seancës u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se 51 për qind, apo 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës mori 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6. 20 ulëse janë të rezervuara për komunitetet.

Advertisement

Zgjedhjet e shkuara s’kishin prodhuar koalicion të shumicës. Institucionet nuk u formuan që nga 9 shkurti kur u mbajtën ato dhe Kosova u fut në krizë institucionale. Si pasojë e mungesës së institucioneve, Kuvendi ende s’e ka miratuar buxhetin 2026 e as marrëveshjet ndërkombëtare shumëmilionëshe.

Pos tyre, Kuvendi e ka obligim ta zgjedhë presidentin deri më 4 mars, një muaj para se Vjosa Osmanit t’i përfundojë mandati.

Sipas nenit 8 të Rregullores së Kuvendit, përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës janë përgjegjësi e kryetarit të legjislaturës së mëparshme, në këtë rast e Dimal Bashës. Ai tani duhet të thërrasë mbledhje të përbashkët me kryetarët e subjekteve që kanë fituar ulëse për të përgatitur propozimin e rendit të ditës dhe për caktimin e vendeve të deputetëve në sallë.

Punimet e seancës konstituive i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga më i riu në moshë. Në seancën konstituive nuk ka debat.

Sipas Rregullores, rendi i ditës duhet të përmbajë: Formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve; Betimin e deputetëve; Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe Zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Në legjislaturën e shkuar, pati telashe e bllokada në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve – konkretisht atij serb.

Advertisement

Kuvendi ka mandat katërvjeçar, duke nisur nga dita e seancës konstituive.

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Tre nënkryetarë propozohet nga grupet më të mëdha, ndërsa dy të tjerë nga komunitetet (njëri nga serbët e njëri nga të tjerët). Gjykata Kushtetuese ditë më parë i dha të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.

Lajme nga vendi

Nëna dërgon vajzën 14-vjeçare për kontroll, mjekët konfirmojnë shtatzëninë e avancuar!

Published

on

Një ngjarje tronditëse është denoncuar në SPB Shkup gjatë orëve të para të ditës së sotme (28.03.2026). Një nënë 31-vjeçare nga Shkupi ka raportuar se vajza e saj e mitur, vetëm 14 vjeç, është në gjendje të avancuar shtatzënie.

Sipas raportit policor, nëna e ka dërguar vajzën për kontroll në Klinikën Gjinekologjike (GAK) pranë kompleksit të klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, pasi kishte krijuar dyshime mbi gjendjen e saj. Pas kontrollit mjekësor, është konfirmuar zyrtarisht se e mitura është shtatzënë.
​E mitura ka rrëfyer më pas para nënës së saj se gjatë verës së vitit 2025, kishte kryer marrëdhënie seksuale vullnetare me një të mitur tjetër, me të cilin ishte në lidhje në atë kohë.

​Policia njofton se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe trajtimin e duhur të situatës sipas ligjeve në fuqi për të miturit.(INA)

Continue Reading

Lajme nga vendi

Prokuroria: Vrasja e të moshuarit u bë për pasuri, 53-vjeçari nga Bërvenica e mbyti viktimën që të mos i shkëpuste kontratën e trashëgimisë

Published

on

Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka hapur zyrtarisht hetimet për vrasje nga interesi kundër 53-vjeçarit Zh.G. nga fshati Bërvenicë i Tetovës, duke zbardhur një skenar rrëqethës ku vrasja ka ndodhur për të parandaluar të ndjerin Klime Mitreski (76 vjeç) që të anulonte kontratën për mirëmbajtje të përjetshme.

Kjo kontratë, e nënshkruar te noteri në shkurt të vitit 2025, parashikante që pas vdekjes së të moshuarit, i dyshuari nga Bërvenica do të trashëgonte një pasuri të madhe të paluajtshme, por viktima kishte nisur procedurat për ta shkëputur këtë marrëveshje.

Sipas organit të akuzës, më 25 mars 2026, pas një debati të ashpër për këtë vendim, i dyshuari e ka sulmuar të moshuarin nga mbrapa, e ka rrëzuar në dysheme dhe pasi e ka goditur disa herë me grushte në kokë, i ka bllokuar gojën dhe hundën me dorë duke i shkaktuar vdekjen përmes asfiksimit. I dyshuari nuk ka qenë në dijeni se veprimet e tij makabre janë regjistruar plotësisht nga kamerat e sigurisë brenda shtëpisë së viktimës, prova këto që së bashku me pamjet e tjera të lëvizjeve të tij deri në Bërvenicë, kanë çuar në arrestimin e tij të menjëhershëm.

Për këtë vepër penale parashikohet dënimi me së paku 10 vite burg ose burgim të përjetshëm, andaj Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për shkak të rrezikut të lartë të arratisë dhe ndikimit mbi dëshmitarët.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Nesër rikthehet ora verore, pas mesnate akrepat lëvizin një orë përpara

Published

on

Nesër kthehet në funksionim ora verore, ku akrepat zhvendosen 60 minuta përpara. E diela e fundit e muajit mars shënon kalimin në orën verore, një moment kur akrepat e orës zhvendosen një orë përpara. Ndryshimi ndodh në orën 02:00 të mëngjesit të 29 marsit, kur ora kalon menjëherë në 03:00. Ky ndryshim, sjell edhe zgjatjen e orëve me dritë natyrore gjatë ditës dhe më pak orë në errësirë.

Ky rregull, është në fuqi në të gjithë Evropën që prej vitit 1981, ku është vendosur që akrepat të lëvizin 60 minuta përpara në pranverë dhe të kthehen një orë pas në vjeshtë. Sipas normave evropiane, këto ndryshime ndodhin në mënyrë të qëndrueshme: të dielën e fundit të marsit për orën verore dhe të dielën e fundit të tetorit për orën dimërore. Qëllimi i këtij ndryshimi është kursimi i energjisë elektrike dhe shfrytëzimi më i madh i dritës natyrore, duke përshtatur më mirë aktivitetet e përditshme me ritmin e diellit.

Continue Reading

Më të lexuarat