Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
DOGANA KA PARANDALUAR KATËR TENTATIVA PËR TRAFIKIM TË ARIT!
Drejtoria e Doganave thotë se ka ngritur nivelin e kontrollit përmes vendosjes së profileve adekuate të rreziqeve, që ka rezultuar me zbulimin e disa tentativave për të trafikuar arin, gjatë dy javëve të kaluara.
Zyrtarët doganorë kanë parandaluar katër tentativa për kontrabandë ari në pikat kufitare, gjatë të cilave janë sekuestruar sende të arta që udhëtarët kanë tentuar t’i fusin ilegalisht në vend.
Siç bëjnë të ditur nga Drejtoria Doganore, rastet janë zbuluar gjatë kontrolleve të detajuara të udhëtarëve dhe bagazheve të tyre, ku tek disa persona janë gjetur sende ari të padeklaruara.
Ndaj personave të përfshirë janë ngritur kallëzime përkatëse, ndërsa ari i sekuestruar është konfiskuar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave.
Gjatë dy javëve të fundit, në pikën kufitare “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit” janë zbuluar tre tentativa për kontrabandë ari me peshë totale prej 285 gramësh dhe vlerë rreth 23 mijë euro.
Më herët, Drejtoria Doganore ka informuar edhe për një rast të parandaluar të kontrabandës së arit në pikën kufitare Bogorodicë. Në të gjitha rastet, ari është sekuestruar dhe ndaj të dyshuarve janë ngritur kallëzime penale.
Drejtoria Doganore rikujtoi një rast tjetër, ku zyrtarët doganorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit parandaluan kontrabandën e 1.7 kilogramëve stoli ari të çmuar, të cilat gjatë procedurës penale nga një ekspert gjyqësor janë vlerësuar në pothuajse një milion euro.
Lajme nga vendi
Gashi në Asamblenë e IPU-së: Nevojiten hapa konkretë për demokraci dhe drejtësi
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mori pjesë në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së 152-të të Inter-Parliamentary Union (IPU), që po mbahet në Antalya, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e paqes dhe forcimin e demokracisë.
Në fjalimin e tij në kuadër të debatit me temën “Ushqimi i shpresës, sigurimi i paqes dhe garantimi i drejtësisë për brezat e ardhshëm”, Gashi vlerësoi se bota po përballet me sfida serioze për rendin global dhe se përballja me to kërkon angazhim të përbashkët dhe vendime të guximshme nga institucionet demokratike.
“Në një kohë sfiduese për rendin global, demokracia, paqja dhe drejtësia për brezat e ardhshëm kërkojnë angazhim të përbashkët dhe veprim të guximshëm,” theksoi Gashi gjatë fjalimit të tij.
Ai nënvizoi se përvoja e North Macedonia tregon se dialogu dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten instrumente kyçe për tejkalimin e krizave dhe ndërtimin e stabilitetit afatgjatë.
Kryeparlamentari gjithashtu riafirmoi përkushtimin e Kuvendit për të qenë një institucion gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse.
Në fund, Gashi bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, sidomos në përballjen me sfidat e reja globale, si transformimi digjital dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale, duke theksuar se parlamentet duhet të jenë aktive në formësimin e politikave që do të ndikojnë në të ardhmen e shoqërive.
Lajme nga vendi
Shqipëria dhe Kosova do të konkurrojnë për të dytin vit në olimpiadën e përbashkët të gjuhës shqipe
Për të dytin vit radhazi, Shqipëria dhe Kosova do të konkurrojnë në olimpiadën e përbashkët të gjuhës shqipe.
Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro fton nxënësit e klasave të nënta të shkollave në Shqipëri dhe Kosovë, të marrin pjesë në këtë rrugëtim për të testuar dhe vlerësuar njohuritë e tyre mbi gjuhën amtare.
Kumbaro tha se “faza e parë nis sot në mjediset e çdo shkolle, për të vijuar më pas me fazën e dytë në nivelin vendor të zyrave arsimore më 25 prill”.
Nxënësit që do të kualifikohen do të përfaqësojnë dijet e tyre në fazën e tretë në nivel kombëtar më datë 9 maj.
“Kulmi i këtij bashkimi do të arrijë në fazën e katërt ndërshtetërore, e cila do të mbahet në Prishtinë më 23 maj”, tha Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Kumbaro u shpreh se gjuha shqipe ndër shekuj ka shërbyer si urë e pathyeshme dhe si trashëgimi e vyer që mban të lidhur pas rrënjëve Shqipërinë me Kosovën.
Organizimi i kësaj olimpiade për të dytin vit radhazi ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Kosovës ka si qëllim mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave tona dhe forcimin e identitetit kombëtar.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

