Lajme nga vendi
VLEN: Llaskarca merr frymë të re. Ujësjellësi, kanalizimi dhe rrugët nuk janë thjesht projekte janë kushtet elementare e çdo familjeje
Ujësjellësi, kanalizimi dhe rrugët nuk janë thjesht projekte, ato janë jetë, janë kushtet elementare që përcaktojnë dinjitetin e çdo familjeje dhe mirëqenien e çdo vendbanimi. Pa ujë të pastër, pa menaxhim të ujërave atmosferike dhe pa rrugë të sigurta, nuk ka zhvillim, nuk ka perspektivë. Prandaj, me shumë mburrje njoftojmë se sot kanë filluar punimet për ndërtimin e ujësjellësit, kanalizimit atmosferik dhe rikonstruksionin e rrugëve në fshatin Llaskarcë, një projekt i fituar nga thirrja e dytë e Qeverisë VLEN, që do të përmirësojë ndjeshëm jetën e banorëve.
Ky investim është dëshmi e qartë se VLEN nuk flet me premtime boshe, por vepron me projekte konkrete që sjellin ndryshim të prekshëm në jetën e qytetarëve. Furnizimi i qëndrueshëm me ujë, menaxhimi modern i ujërave atmosferike dhe rrugët e sigurta janë bazë e mirëqenies dhe zhvillimit të çdo vendbanimi.
Në këtë projekt janë të angazhuar ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, deputetja e zonës Feride Haxhiu, këshilltarët e Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe të komunës Saraj, si dhe banorët lokalë,një bashkëpunim i gjerë që tregon se kur ka vullnet, ka edhe rezultate.
Komuna e Sarajit, nën drejtimin e kryetarit Muhamed Elmazi, mbetet e përkushtuar për investime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Punimet në Llaskarcë janë vetëm një hap tjetër drejt transformimit të infrastrukturës në të gjithë territorin e komunës.
VLEN garanton se investimet e tilla do të vazhdojnë, sepse prioriteti ynë është mirëqenia e qytetarëve dhe zhvillimi i barabartë i çdo vendbanimi.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe vranësira lokale.
Pasdite do të ketë reshje lokale të shiut në pjesët malore të vendit.
Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtime të ndryshme.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri 22 gradë celsius, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 33 deri 39 gradë celsius.
Në ditët në vijim moti do të jetë i ngrohtë dhe me temperatura deri 40 gradë celsius.
Lajme nga vendi
KRIZA E UJIT NË GOSTIVAR: PËRPLASJE LSDM – QEVERIA!
Toshkovski luan rolin e ekspertit të ujit, ndërsa qytetarët e gostivarit helmohen dhe VMRO bën biznes. Në këtë mënyrë LSDM-ja ka adresuar kritika ndaj partisë në pushtet lidhur me situatën e krizës me ujin në Gostivar.
Sipas LSDM-së, mbi 50 vendbanime në vend kanë ujë të ndotur, ndërsa, siç pretendojnë ata, “patriotët e tenderëve” Mickoski dhe Klekovski e kanë helmuar të gjithë Maqedoninë.
LSDM e cilëson situatën si “kaos total” dhe “shpërbërje totale”, duke pretenduar se gjithçka bëhet vetëm për të shpëtuar një deklaratë të rreme të Mickoskit.
“LSDM kërkon që Prokuroria Publike të hapë menjëherë procedurë dhe të përcaktojë përgjegjësi penale për rrezikimin e vetëdijshëm të shëndetit të qytetarëve.Duhet të ketë përgjegjësi për Hristijan Mickoskin, Sasho Klekovskin dhe Pançe Toshkovskin. Bëhet fjalë për një marrëveshje biznesi prej 100.000 eurosh për furnizimin me ujë në Gostivar, pa tender dhe pa shpallje publike.”
Qeveria përmes një komunikate për media ka përgënjeshtruar, sic thonë, pretendimet e pavërteta të bëra sot nga Lidhja Socialdemokrate,duke I quajtur përpjekje për manipulimin e opinionit me dezinformata të pasakta dhe tërësisht të sajuara.
Qeveria, sic thuhet në komunikatë, mbetet konsekuente ndaj obligimit të marrë që qytetarët e Gostivarit do të furnizohen me ujë të sigurt për pije derisa ekspertët dhe institucionet kompetente të konfirmojnë zyrtarisht se uji nga sistemi i ujësjellësit është i rregullt për përdorim. Ky premtim përmbushet plotësisht dhe nuk do të vihet në pikëpyetje.
Sa i përket furnizimit me ujë të ambalazhuar, është e saktë se procedura me negocim është zhvilluar nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, i cili siguron ujë falas për qytetarët, ndërsa kontratën përmes tenderit e ka fituar kompania „Kozhuvçanka“. Megjithatë, po ashtu është fakt se një shishe uji prej 1,5 litrash, e cila në shitjen me pakicë kushton të paktën 25 denarë, Qeveria e furnizon me çmim prej 12,5 denarësh. Kjo është e mundur sepse kompania „Kozhuvçanka“ merr pjesë në këtë furnizim me kontributin e saj, me qëllim që t’u ndihmojë qytetarëve dhe institucioneve në kushtet e gjendjes së krizës”
Sipas Qeverisë, faktet janë të qarta dhe lehtësisht të verifikueshme, kurse I bëjnë thirrje LSDM-së që edhe kur nuk ndihmojnë në asnjë mënyrë, të paktën të ndalojë së gënjyeri në mënyrë të paskrupullt./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 04 Gusht
Dje në ora 09:00 në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 21-vjeçar nga Tetova për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale „grabitje“ sipas nenit 237 të Kodit Penal. Sipas denoncimit, po këtë ditë në ora 04:00, duke e kërcënuar me thikë, i ka marrë para një 19-vjeçari nga Tetova. Ai është ndaluar në Stacionin Policor të Tetovës dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë parashtresë përkatëse.
…….Dje në ora 01:10 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në rrugën „Vëllezërit Milladinovi“ në Tetovë, në një objekt ndihmës në pronësi të një 38-vjeçari nga Tetova. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa zjarri është fikur nga vetë pronari. Këqyrje në vendin e ngjarjes ka kryer ekipi i SPB Tetovë.
…….Dje në ora 12:20 në DPB Gostivar, një grua 34-vjeçare nga Gostivari ka denoncuar se gjatë muajit qershor 2026 është mashtruar dhe vënë në lajthitje nga një avokat nga Gostivari për një shumë prej 800 eurosh. Sipas denoncimit, pas konsultimeve të mëparshme lidhur me një procedim zyrtar, avokati i ka kërkuar të paguajë për pretendim përfaqësimi në një lëndë, për të cilën pas verifikimeve të kryera ka konstatuar se nuk ekzistonte fare. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
……Dje në ora 15:45 në DPB Gostivar është denoncuar se në lagjen „Pitarnica“ në Gostivar ka ndodhur një aksident trafiku mes një automjeti të udhëtarëve „BMV“ me targa austriake, i drejtuar nga një 32-vjeçar nga fshati Forinë e Gostivarit, dhe një biçiklete të drejtuar nga një 43-vjeçar nga Gostivari. Në aksident, lëndime të rënda trupore ka pësuar biçiklisti, të konfirmuara në Qendrën Urgjente në Gostivar. Këqyrje në vendin e ngjarjes ka kryer ekipi hetimor i DPB Gostivar.
…….Dje në ora 21:40 në Stacionin Policor Tearcë, një 77-vjeçar nga fshati Përshevcë e Tetovës, ka denoncuar se rreth orës 18:45 përballë oborrit të tij, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme për një automjet të parkuar, është sulmuar fizikisht nga dy persona nga po i njëjti fshat. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
…….Dje në ora 21:15 në rrugën „Jane Sandanski“ në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 32-vjeçar nga Tetova pasi u soll në mënyrë agresive dhe nuk veproi sipas urdhrave të dhëna nga zyrtarët policorë që po kryenin detyrën zyrtare. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të pasojë parashtresë përkatëse.
……Dje në ora 16:30 në Stacionin Policor Tearcë, një person ka denoncuar se e dashura e tij 20-vjeçare dhe shoqja e saj 16-vjeçare, të dyja nga fshati Përshevcë e Tetovës, derisa ishin në një automjet taksi, shoferi ka filluar të sillet në mënyrë të papërshtatshme, nuk e ka ndalur automjetin dhe nuk i ka dërguar në lokacionin e kërkuar. Sipas denoncimit, ato kanë arritur të kërcejnë nga automjeti në lëvizje dhe kanë kërkuar ndihmë. Për rastin është njoftuar prokurori publik dhe Qendra për Punë Sociale në Tetovë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e ngjarjes.

