Lajme nga vendi
Gruevski: “E vërteta është si thumbi, do të shpojë këtu atje, majtas-djathtas dhe op, do të dalë në sipërfaqe”
sh-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, është deklaruar përmes rrjetit social Facebook.
“E vërteta është si thumbi, do të shpojë këtu, do të shpojë atje, majtas-djathtas, para-prapa dhe op, do të dalë në sipërfaqe”, ka shkruar ai.
Pas ish-prokurores së PSP-së, Lejla Kadriu, e cila u zëvendësua dhe më pas u shkarkua sepse refuzoi të zbatonte urdhrat e LSDM-së të udhëhequr nga Zoran Zaev, të dhëna për PSP-në për të cilën ajo tha se ngjante me një shtab partiak të LSDM-së, në publik ka folur edhe ish-gjyqtari i Gjykatës Supreme të Maqedonisë, Risto Katavenovski. Ai konfirmoi hapur se gjyqtarja e atëhershme e Gjykatës Penale, e sot e shpërblyer si anëtare e Gjykatës Kushtetuese – Dobrilla Kacarska, ka gjykuar raste gjyqësore sipas porosive politike për të marrë avancim (pamë se kjo ishte për t’u bërë anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese).
Ai tha se nuk kishte asnjë provë për rastin “Tanku” për blerjen e Mercedesit të blinduar dhe për kualifikimin sipas të cilit u dënuan njerëzit e rastit të “27 prillit”, gjykim të cilin ai e quajti “katastrofik”.
Tha gjithashtu se Gjykata Supreme e shfuqizoi paraburgimin e personave të “27 prillit”, ndërsa që të nesërmen, Gjykata Penale solli vendim të ri për paraburgimin e tyre dhe me këtë parandaloi zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme, gjë që paraqet mosrespektim të vendimit të Gjykatës Supreme të Maqedonisë, të cilën gjë gjyqtarja Kacarska nuk do t’ia lejonte vetes përveç nëse nuk do të ishte e motivuar politikisht dhe në karrierë, dhe natyrisht person pa integritet.
Dhe përfundimisht, ai tha se gjyqtarët shkarkoheshin nëse refuzonin të respektonin atë që pritej prej tyre të dorëzonin. E ne e dimë se atëherë porositësi kryesor dhe koka e përndjekjes politike ishte Zoran Zaev.
Vetë gjyqtari Risto Katavenovski u shkarkua sepse nuk pranoi të përgatiste një raport për këshillin në Gjykatën Penale për rastin “Tanku” (blerja e Mercedesit të blinduar), me të cilin do të konfirmohej aktgjykimi i Kacarskës nga Gjykata Penale dhe nga Gjykata e Apelit në Shkup, e cila me siguri vendosi në të njëjtën mënyrë. “Për keqpërdorim duhet të ketë prova për dëmin ose përfitimin. Këto dy elemente nuk ishin të plotësuara”, tha gjyqtari i shkarkuar padrejtësisht Katavenovski.
Kjo ishte koha kur shumica e gjyqtarëve që gjykonin lëndët politike, jo vetëm që gjykonin ashtu siç u thoshin, por ishin aq të frikësuar saqë ndonjëherë, nëse nuk kishte, vetë kërkonin udhëzime nga politikanët se si të vendosnin për të mos gabuar. Ose si alternativë, në lëndët politike do të vendosnin në atë mënyrë që të shihnin atmosferën e përgjithshme politike dhe të vlerësonin se cili vendim do ta kënaqte Zaevin. Ja si thotë gjyqtari Katavenovski për shkarkimin e tij, që është në frymë të ngjashme: “Nuk është drejtpërdrejt te Këshilli Gjyqësor. Derisa dikush nuk u thotë, ata nuk veprojnë. Duhet t’u thotë dikush”.
Sapo ai shprehu qëndrimin e tij duke mos u pajtuar me konfirmimin e aktgjykimit për shkak të mungesës së provave, Katavenovski u shkarkua nga pozita e gjyqtarit, qysh të nesërmen. Atij iu hakmorën sepse nuk deshi të merrte pjesë në një përndjekje çnjerëzore politike.
Për të mos u shkarkuar hapur pikërisht për këtë, formalisht e shkarkuan për rastin e biznesmenit Sead Koçan, për të cilin pikërisht sot është publikuar në faqen e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, se Gjykata në Strasburg e ka pranuar si relevante për shqyrtim dhe vendim ankesën e dorëzuar nga Sead Koçan dhe i ka dorëzuar pyetje Qeverisë së Maqedonisë.
Statistikat e kësaj gjykate janë se nga ajo që pranon të shqyrtojë, rreth 90% përfundojnë me vendim në favor të atij që ankohet, sepse gjykata gjatë filtrimit të parë analizon dhe vlerëson mirë se çfarë të pranojë për shqyrtim e çfarë jo.
Kjo çon në atë se për rreth tre vjet, sa zgjasin zakonisht procedurat atje, pritet që me siguri do të vendoset se Sead Koçanit i janë shkelur të drejtat e njeriut në procesin gjyqësor në Shkup, dhe ai do të ketë të drejtë për rigjykim, i cili pas një aktgjykimi të tillë që zhvlerëson aktgjykimin e gjykatës maqedonase, është e qartë se në cilin drejtim duhet të lëvizë dhe të përfundojë, përveç nëse në ndërkohë nuk shfaqet ndonjë satrap i ri si Zaev dhe departamenti i tij i quajtur PSP dhe reparti në Gjykatën Penale ku u zgjodhën gjyqtarë që do të gjykonin rastet e PSP-së (që të mos bien rastësisht në duart e dikujt që nuk do të gjykonte sipas porosisë).
Për Sead Koçanin është e qartë se arsyeja e vërtetë e përndjekjes politike ndaj tij ishte se në atë kohë ai ishte pronar i televizionit NOVA. Ai televizion nuk i mbështeste synimet tashmë të dukshme për shumicën e qytetarëve për tradhti dhe shitje të interesave kombëtare të maqedonasve dhe Republikës së Maqedonisë, si dhe vjedhjen, pasurimin personal dhe përvetësimet që pasuan, në paketë me mosndëshkimin e premtuar dhe të realizuar qartë, si shpërblim për ndryshimin e emrit të shtetit, gjuhës dhe kombësisë, si dhe ndryshimin e dhunshëm të identitetit dhe historisë së popullit maqedonas.
Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, plotësisht pritshëm dhe arsyeshëm, konteston faktin se konteksti, integriteti dhe tërësia e incizimeve nuk janë vërtetuar fuqishëm, si dhe faktin që mbrojtja e të gjithë të akuzuarve në të gjitha rastet që udhëhiqte PSP-ja ka marrë vetëm transkripte, pa mundësi për ekspertizë të incizimeve në tërësi. Asnjëherë nuk u krye ekspertizë profesionale e bisedave të përgjuara në mënyrë të paligjshme.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg iu drejtua zyrtarisht qeverisë maqedonase në lidhje me aplikimin e biznesmenit Sead Koçan, duke hapur pyetje thelbësore ligjore për përdorimin e bisedave të përgjuara si prova në procedurë penale. Ngjashëm si me rastin “Tanku”, Strasburgu pyet sërish qeverinë në Maqedoni nëse në rrethana të tilla mund të konsiderohet se gjykimi ka qenë i drejtë, me fokus në atë nëse aktgjykimi ka qenë i bazuar në prova të marra përmes përgjimeve të paligjshme, dhe e gjithë kjo në përputhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kështu gjykata sinjalizon qartë se nuk e injoron origjinën kontestuese të provave, por e vendos atë në qendër të analizës së pyetjes nëse procedura ka qenë e drejtë.
Përveç kësaj, Strasburgu kërkon nga Qeveria të deklarohet edhe nëse janë respektuar parimet e kontradiktorialitetit dhe barazisë së mjeteve, përkatësisht nëse mbrojtja ka pasur mundësi reale të njihet me provat dhe të kontestojë vërtetësinë e tyre. Gjykata e problematizon shprehimisht situatën në të cilën mbrojtja nuk i ka marrë audio-incizimet në mbartës të të dhënave, por vetëm transkriptet e tyre, gjë që hap dilema serioze për mundësinë e analizës efektive ekspertiziale të provave.
Sipas përshkrimit të lëndës, akuza e ngritur nga Prokuroria Speciale Publike është mbështetur, ndër të tjera, në audio-incizime nga bisedat e përgjuara lidhur me furnizimin publik kontestues, ndërsa gjykatat nën ndikim politik i kanë pranuar ato si prova të siguruara në mënyrë ligjore. Bëhet fjalë për një shkelje flagrante të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Të kuptohemi… Të gjithë e dinin këtë edhe atëherë. Avokatët tanë e thoshin këtë publikisht. Por, të gjithë heshtnin dhe sot kjo është një turp i madh për të gjithë prokurorët e ish-PSP-së, për të gjithë gjyqtarët që lejuan të gjykohet në bazë të “provave” të tilla dhe për të gjithë sistemin gjyqësor maqedonas, e parë nga jashtë, edhe për Maqedoninë si shtet.
Ato raste të montuara nuk mund të ishin të montuara nëse nuk do të ishin dorëzuar para gjykatës pjesë të përzgjedhura personalisht nga Zaev, i cili pasi doli gabimisht e gjithë video-incizimi i “rastit Martin Neshkovski”, tre herë më i gjatë se versioni i Zaevit i dorëzuar në PSP, vetë në përgjigje të pyetjes së një gazetari u përgjigj se i ishte dashur t’i shkurtonte sepse bisedat ishin shumë të gjata, me çka pranoi publikisht se ishte marrë me shkurtimin e incizimeve dhe dorëzimin e pjesëve të përzgjedhura prej tij personalisht.
Biznesmeni Sead Koçan u detyrua të vuajë dënimin me burg prej gjashtë vjetësh dhe të përballet me shkatërrimin e plotë të biznesit të tij dhe gjithçka që kishte krijuar në jetë, ndërsa Zaev filloi të ndërtonte perandorinë e tij të biznesit jashtë Maqedonisë, ndërsa në Maqedoni nga prapaskena drejton partinë politike LSDM.
Gjyqtari Risto Katavenovski humbi funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Supreme, në të cilin kishte arritur me dekada punë dhe përkushtim në gjyqësor dhe drejtësi. Humbën shumë, por e ruajtën faqen dhe nderin. Dhe prandaj, ashtu si prokurorja Kadriu, tani mund të dalin me kokën lart dhe me faqe të pastër e të flasin se çfarë ka ndodhur.
Dhe ata që kanë pasur sukses një herë në jetë dhe e kanë ruajtur nderin, në një mënyrë apo tjetër, në një fushë apo tjetër, do të kenë sukses sërish. Vetëm traumat dhe ndjenja e hidhur e padrejtësisë do të mbeten.
Ai që mendon dhe që duket se ka fituar, jeton në trazira dhe frikë, i rrethuar nga sigurimi i paguar shtrenjtë, dhe është i okupuar me nevojën që përmes fuqisë së parave dhe partisë politike, të mbajë ndikimin në sistemin gjyqësor dhe në politikë në mënyrë që të mos hapet çështja dhe proceset për bëmat e tij të këqija, të cilat nuk janë të pakta, ose të paktën të mos hapen derisa të vjetrohen, ka shkruar Gruevski.
Lajme nga vendi
Iseni: Dhuna në ndeshjen Vardar–Bashkimi do të ndëshkohet, sporti s’duhet të kthehet në urrejtje
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit mes FK Vardar dhe KF Bashkimi, duke theksuar se çdo shkelje e ligjit do të marrë përgjigjen e merituar institucionale.
Në reagimin e tij, Iseni bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet dhe se policia ka vepruar sipas procedurave për të garantuar rendin dhe sigurinë e tifozëve, lojtarëve dhe stafit.
“Dhuna, ofendimet dhe sjelljet që nxisin tensione nuk i ndihmojnë as sportit, as shoqërisë sonë. Ekipet tona kanë qenë në terren dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin,” deklaroi Iseni.
Ai theksoi se aktualisht janë duke u verifikuar të gjitha incidentet, ndërsa çdo moment i regjistruar po shqyrtohet me kujdes. “Kushdo që ka shkelur ligjin do të përballet me përgjegjësitë që parasheh ligji. Këtë e them me bindje të plotë,” u shpreh zëvendësministri.
Iseni apeloi që sporti të mos përdoret për të nxitur përçarje apo urrejtje, duke nënvizuar se futbolli duhet të mbetet emocion dhe pasion në frymën e fair-play-it. Ai bëri të ditur se MPB është në komunikim të vazhdueshëm me Federata e Futbollit e Maqedonisë dhe klubet për të siguruar zhvillimin e ndeshjeve në kushte të sigurta.
Në fund, Iseni u bëri thirrje të gjithë tifozëve që ta respektojnë sportin dhe njëri-tjetrin, duke garantuar se institucionet do të veprojnë me profesionalizëm të plotë. (INA)
Lajme nga vendi
Rasti Grubi, BDI akuzon ministrin Filkov për presion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh pakënaqësi të thellë dhe proteston drejtpërdrejt ndaj kërcënimeve të drejtuara ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ministri Filkov në paraqitjen e tij të fundit publike.
“Pushteti ekzekutiv jo vetëm që nuk ka të drejtë kushtetuese të sugjerojë mënyrën e veprimit të organeve të drejtësisë, por roli i Ministrisë së Drejtësisë është pikërisht mbrojtja e integritetit dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, veçanërisht në raste të ndjeshme kur polarizimi politik ushtron presion të madh mbi individët brenda sistemit të drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë, në vend që ta mbrojë sistemin gjyqësor nga histeria partiake, po e nxit atë më tej, duke krijuar klimë të një vendimi të parapërcaktuar dhe duke adresuar publikisht mesazhe që përbëjnë presion ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Deklarata të tilla përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një proces në zhvillim dhe, përveçse cenojnë parimin e ndarjes së pushteteve, përfaqësojnë goditje serioze ndaj sistemit të drejtësisë dhe rrezikojnë integritetin e procedurës.
I bëjmë thirrje ministrit që të përmbahet nga çdo ndërhyrje e mëtejshme publike në këtë çështje, ndërsa Ministria e Drejtësisë, përmes komunikimeve të qarta dhe të përgjegjshme, duhet të garantojë dhe të mbrojë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor. Nëse kjo praktikë vazhdon, ministri duhet të shkarkohet menjëherë, me qëllim mbrojtjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor në këtë moment të ndjeshëm.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të ndjekë me kujdes dhe të evidentojë çdo veprim apo sjellje që krijon klimë linçimi dhe pengon vendimmarrjen e pavarur dhe të paanshme të organeve të drejtësisë. Për këto zhvillime do të informohen edhe partnerët tanë strategjikë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Misioni i OSBE-së në Shkup”, thuhet në reagimin e BDI-së.(INA)
Lajme nga vendi
Policia aksion në Tetovë e Gostivar: Sekuestrohen 3 makina dhe arrestohen shoferët pa leje
Gjatë pasdites dhe mbrëmjes së djeshme (23.02.2026), zyrtarët policorë të SPB Tetovë dhe Gostivar kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh intensive në trafik, të cilat kanë përfunduar me pranga dhe sekuestrim mjetesh.
Së pari, në orën 16:20 në rrugën “JNA” në Tetovë, policia ka ndaluar një 19-vjeçar me iniciale N.E., i cili po drejtonte një automjet “Opel”. Pas verifikimit, rezultoi se i riu nuk kishte dhënë kurrë provimin për patentë shoferi, duke bërë që makina t’i sekuestrohej menjëherë.
Aksioni ka vijuar në fshatin Banjicë e Epërme të Gostivarit rreth orës 19:30, ku është vënë në pranga 24-vjeçari L.SH. nga fshati Zhelinë. Ai po drejtonte një “Volkswagen Golf” me targa të Tetovës po ashtu pa leje drejtimi, çka çoi në konfiskimin e mjetit nga ana e forcave të rendit.
Gjithashtu, në orën 21:00, në pikën e pagesës rrugore (autostrada Tetovë-Gostivar), është ndaluar një 48-vjeçar nga Vevçani me iniciale B.M. Edhe pse ai kishte patentë, rezultoi se po drejtonte mjetin “Citroen Berlingo” pavarësisht se kishte një ndalesë aktive për drejtimin e mjeteve të kategorisë B. Policia ia ka sekuestruar automjetin dhe ndaj të tre personave do të ngrihen padi përkatëse sapo të dokumentohen plotësisht rastet.

