Lajme nga vendi
Ministria e Arsimit vazhdon t’i fshehë emrat që e hartuan Propozim-ligjin për Arsimin e lartë
Ministria e Arsimit vazhdon t’i mbajë sekret emrat e personave që e hartuan Propozim-ligjin për Arsimin e lartë. Arsyetimi i ministres Vesna Janevska se mund të paditet nëse i zbulon autorët hap shumë pikëpyetje, pasi ligji është dokument publik dhe procesi i hartimit të tij nuk mund të trajtohet si çështje private, shkruan Portalb.mk.
Autorët e panjohur të një ligji me pasoja publike
Propozim-ligji për Arsimin e lartë është në fazë debati dhe ka marrë shumë ankesa dhe kritika në qarqet akademike. Për të qenë situata më e rënduar, publiku deri më tani nuk është njoftuar në mënyrë zyrtare për emrat të cilët e kanë shkruar këtë propozim-ligj.
Ndonëse ministrja e arsimit Vesna Janevska thotë se në proces kanë marrë pjesë rreth 60 persona, ligjin në fund e ka shkruar grup më i vogël, të cilin as ministrja dhe as Ministria e Arsimit nuk e zbulon.
Në redaksinë e Portalb.mk arritën disa emra të cilët thuhet se e kanë shkruar këtë ligj, për të cilën e pyetëm ministren:
A është e vërtetë se ligjin e kanë shkruar Llazo Pendovski, Sonja Topuzovska, Marija Manevska, Llazo Jovevski dhe Samil Mallçeski nga Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’ si dhe Borçe Aleksov nga Ministria e Arsimit, emra që janë të afërt me qeverinë?
Por, ministrja Janevska nuk deshi t’i zbulojë, madje ajo u arsyetua se mund të paditet nëse i zbulon emrat.
“Pjesë e emrave të cilët ju i lexuat janë profesorë me renome në UKM janë pjesë e rektoratit në UKM-së, një emër nuk është i saktë. Këto njerëz kanë marrë pjesë në krijimin e ligjit me të drejta të plota edhe nga UT ka pasur persona që kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit….Do t’i pyes nëse lejojnë të publikohen, të gjithë në ueb-faqe…Juve nuk ju intereson ligji, juve u interesojnë njerëzit kush e kanë formuar… Nëse më garantojnë se nuk do më padisin për shkak se i kam zbuluar”, tha Janevska.
Portalb.mk i kërkoi emrat edhe zyrtarisht nga Ministria e Arsimit, por ende nuk kemi përgjigje.
Portalb.mk i kontaktoi dhe universitetet, dhe presim përgjigje.
Pse emrat duhet të jenë publik?
Propozim-ligji për Arsimin e lartë është dokument zyrtar që hyn në procedurë parlamentare. Nuk është opinion personal apo draft i brendshëm. Nëse përmbajtja është publike, opinioni ka të drejtë të dijë autorët. Transparenca është standard minimal në hartimin e politikave publike.
Nëse profesorë apo zyrtarë publikë kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit, ata e kanë bërë këtë në cilësinë e tyre profesionale.
Nuk ka bazë logjike që emrat e tyre të mbrohen si të dhëna private.
Argumenti i ministres se mund të paditet nëse i zbulon emrat ngre më shumë pikëpyetje sesa jep sqarim. Madje, mund të konsiderohet si tendencë serioze për manipulim duke përdorur proceset juridike si formë të frikësimit.
Ministrja nuk ka sqaruar në çfarë baze ligjore do të mund të paditej për publikimin e emrave të ekspertëve të angazhuar në një proces publik. A kanë nënshkruar ata marrëveshje konfidencialiteti dhe nëse po, pse një proces për ligj publik do të ishte konfidencial.
Emrat që përmenden janë profesorë nga Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’ apo zyrtarë të Ministrisë sl Arsimit dhe Shkencës, dhe konsiderohen të afërt me qeverinë, publiku ka të drejtë të dijë nëse ka pasur balancë akademike apo pluralizëm mendimesh në hartim.
Ministrja thotë se disa prej tyre janë profesorë me renome dhe pjesë e rektoratit. Nga njëra anë mbrohen si profesionistë me reputacion, nga ana tjetër trajtohen si informacion sekret.
Lidhur me mostransparencën e emrave të cilët e kanë shkruar ligjin kanë kritikuar edhe nga Forumi për Ndryshime në Arsim.
Propozim-ligji për arsimin e lartë po përcillet me shumë kritika ndërsa vijon debati publik për të njëjtin, pas së cilit pritet të miratohet versioni përfundimtar.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni1 month agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

