Lajme nga vendi
AKSION PËR PASTRIMIN E QYTETIT NË TETOVË PËR DITËN E EKOLOGJISË
Shoqata e Pensionistëve të Tetovës në bashkëpunim me Komunën e Tetovës dhe ndërmarrjen komunale Sharri organizuan gjithashtu një aktivitet për pastrimin e qytetit për ditën e ekologjisë. Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Mursel Murseli tha se janë të gatshëm jo vetëm sot, por edhe ditëve tjera në koordinim me institucionet komunale të dalin dhe të pastrojnë qytetin aty ku paraqitet nevoja.
“Mendojmë që aktivitetet e këtilla të zhvillohen jo vetëm për ditën e pranëverës por të ketë gjatë gjithë vitit. Ne jemi të gatshëm që në bashkëpunim me Komunën dhe ndërmarrjen komunale publike e cila është ndërmarrje kompetente për mirëmbajtjen e ambientit jetësorë, brenda vitit sa herë që të ketë nevojë si pensiopnist të marrim pjesë në akvitietet dhe aksipone për pastrimin dhe mirëbajtjen e qytetit. Pra jemi të gatshëm që pastrojmë përveç sipërfaqëve publike, përocka, lumin e qytetit, të mirëmbajmë këndet e ndryshme për lojëra për fëmijë, të krijojmë ndonjë kënd të ri të kujdesemi, të krijomë patrullime të përbashkëta e kështu me rradhë. Qëllimi kryesor është të përcjellim mesazh te pjesa tjetër e popullatës e sidomos te gjeneratat e reja të cilët nuk kujdesen mjaftueshëm për mjedisin jetësorë. Pra ne jetojmë në këtë ambient çdo ditë, frymojmë këtu dhe gjithsesi se duhet të kujdesemi për rruajtjen e ambientit jetësorë” tha Mursel Murseli, nga shoqata e pensionistëve.
Edhe punëtorët e Ndërmarrjes Komunale u organizuan për të mbledhur mbeturinat e hudhura nga qytetarët e pandërgjegjshëm nëpër rrugë dhe trotuare. Kryetari i sindikatës së NPK-së Tetova, Tetovë, Avni Rizvani u bëri apel qytetarëve që të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të mos hedhin mbeturina vend e pa vend, por të shfrytëzohen kontenjerët dhe koshet e mbeturinave të vendosura nëpër rrugë.
“Sot kemi dalur të orgaizuar prej ndërmarrjes komunale publike për të mbëledhur mbeturina të cilat qytetarët të pandërgjegjshëm i hedhin rrugëve dhe skajeve të trotuareve kështu që mendojmë se do të jetë ditë e frytshme edhe pse sëhtë ditë ekologjike, të organizuar besoj se do ta kalojmë një ditë të mbarë. Mendojmë se apeli është i qartë, që të mos hudhen mbeturina në vende të panegojshme, të shfrytëzohen kontonjerët dhe koshet e vendosura që të kenë kujdes më tepër, ky është apeli i ndërmarrjes” tha Avni Rizvani, kryetar i sindikatës së NPK-së.
Ky aktivitet thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve, shoqatave dhe institucioneve lokale për mbrojtjen e mjedisit. Angazhimi i pensionistëve dhe ndërmarrjes komunale tregon se kujdesi për pastërtinë e qytetit është një përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit. Njëkohësisht, apeli për rritjen e ndërgjegjësimit qytetar mbetet thelbësor për ruajtjen e një ambienti të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë.
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

