Lajme nga vendi
Maqedonia renditet e 34-ta në botë dhe e dyta në Evropë për nga ndotja e ajrit
Maqedonia e Veriut renditet e 34-ta në botë dhe e dyta në Evropë për nga ndotja e ajrit me grimca PM.
Raporti i vitit 2025, i publikuar në platformën “IQAir”, e rendit vendin menjëherë pas Bosnjës dhe Hercegovinës dhe përpara Serbisë, me një koeficient prej 21.2, që do të thotë tejkalim i vlerave maksimale të grimcave PM 2.5 për tre deri në pesë herë, raporton agjencia “Meta.mk”.
Qytetet më të ndotura në vend vitin e kaluar ishin Tetova dhe Strumica, me një koeficient prej 27.3, që do të thotë se vlerat e PM 2.5 ishin pesë deri në shtatë herë mbi kufijtë e lejuar. Gostivari është në vendin e 18-të në listë, ndërsa Kërçova dhe Kumanova janë në vendin e 31-të dhe të 32-të. Shkupi është në vendin e 113-të me një koeficient prej 19.1.
Ky është Raporti i tetë vjetor Botëror i Cilësisë së Ajrit i platformës, i cili tregon se Maqedonia kishte ndotjen mesatare më të ulët të ajrit vitin e kaluar, krahasuar me vitet e mëparshme, kur koeficienti tejkalonte 35, d.m.th. alarmoi për vlera të larta të PM 2.5 deri në dhjetë herë.
Muajt më të ndotur ishin janari, shkurti dhe dhjetori, ndërsa ajri më i pastër ishte në prill dhe maj. Shkupi gjithashtu kishte ndotjen më të ulët të ajrit vitin e kaluar krahasuar me vitet e mëparshme. Që nga viti 2018, koeficienti ka rënë çdo vit nga mbi 30 në nën 20.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

