Lajme nga vendi
Korrupsioni në shëndetësinë maqedonase: Pacientët “paguajnë”, por nuk raportojnë
Korrupsioni vazhdon të “lulëzojë” në shërbimet e institucioneve publike shëndetësore të Maqedonisë së Veriut. Qytetarët japin ryshfet qoftë edhe për ta siguruar një shtrat spitalor, ose për ta shkurtuar kohën e pritjes për operacion. Hulumtimi i Shoqatës për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave, ESE, tregoi se korrupsioni shpesh nuk raportohet fare, për shkak të frikës nga hakmarrja.
Korrupsioni është më i përhapur te specialistët, pra sa më i ndërlikuar të jetë shërbimi, aq më i pranishëm është korrupsioni.
“Për mua kjo do të thotë se, nëse duhet të shkosh në spital për operacion, do të duhet të paguash për ta marrë shërbimin. Problemi më i shpeshtë është caktimi i terminit. Nëse ke ndonjë mik arrin të marrësh termin dhe të kontrollohesh”, thotë një grua nga qyteti i Prilepit, e cila mori pjesë në grupet e fokusit në kuadër të hulumtimit.
Një grua tjetër nga Manastiri ka treguar përvojën me operacionin e fëmijës së saj që kishte tumor në kockë.
“Isha në neurokirurgji dhe mjeku më tha se incizimi nuk ishte i mirë, dhe se duhej ta bëja në Shkup. E pyeta mjekun nëse duhet të paguaja. Pastaj, shkova te një mjek tjetër, edhe ai më tha të njëjtën gjë dhe u ktheva te doktori i parë. Burri im shkoi në një ‘kafene’ dhe ia dha paratë doktorit. Pasi ia dhamë paratë, menjëherë u gjet termin për operacion, ndërsa më parë më thoshin se nuk ka termin, nuk ka anesteziolog”, rrëfen ajo.
Gratë më të prekura nga përpjekjet për korrupsion
Pikërisht gratë, sidomos më të reja në moshë, janë më të prekura nga pagesat joformale dhe presionet për qasje më të shpejtë në shërbimet shëndetësore.
Një e katërta prej tyre kanë raportuar përvojë korrupsioni gjatë përdorimit të kujdesit gjinekologjik-obstetrik, nga të cilat 21.9 për qind gjatë përdorimit të shërbimeve gjinekologjike, ndërsa 3.4 për qind gjatë përdorimit të shërbimeve të lidhura me shtatzëninë dhe lindjen.
Këto gjetje tregojnë se korrupsioni paraqet një barrierë shtesë në qasjen ndaj kujdesit gjinekologjik-obstetrik, krahas mungesës së tashmë të konstatuar të gjinekologëve dhe shpërndarjes së tyre të pabarabartë gjeografike, thuhet në hulumtim.
Nga ESE-ja paralajmërojnë se këto gjendje ndikojnë veçanërisht keq te gratë nga zonat rurale dhe ato që jetojnë në kushte të pafavorshme ekonomiko-shoqërore.
“Çdo e pesta grua është e gatshme të paguajë, pra të japë ryshfet, në kushte kur është shtatzënë ose gjatë lindjes, ose gjatë kujdesit për një fëmijë apo një person të moshuar në familje”, thotë Darko Antiq, koordinator për monitorim dhe analizë të buxheteve në këtë shoqatë.
Ai thekson se korrupsioni më shpesh është në formë të dhënies së parave ose dhuratave, por ndonjëherë mund të jetë edhe referim në një institucion privat shëndetësor ose në një farmaci të caktuar për të blerë një ilaç apo mjet të caktuar.
Korrupsioni seksual mbetet veçanërisht i paraportuar
Borjan Pavlovski, koordinator për shëndet publik dhe shëndetin e grave, thotë se gratë e perceptojnë këtë problem si dypalësh.
“Sepse ka raste kur pacientët ofrojnë korrupsion për të marrë trajtim më të mirë, por edhe punonjës shëndetësorë që drejtpërdrejt ose tërthorazi kërkojnë dhurata që pacientët të marrin shërbimet që u takojnë”, thotë Pavlovski nga ESE.
Veçanërisht shqetësuese janë gjetjet që tregojnë se gratë janë të ekspozuara edhe ndaj korrupsionit seksual, por për shkak të turpit dhe frikës nuk e raportojnë.
“Disa e shmangin atë mjek, por nuk raportojnë. Është e frikshme, sepse mjeku ka pushtet”, thekson një grua nga Tetova që ishte pjesë e grupeve të fokusit.
Nga numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në hulumtim, një përvojë të tillë e kanë raportuar dy gra dhe një burrë. Edhe pse nga secili prej tyre është kërkuar një shërbim intim ose seksual, të gjitha rastet lidhen me shërbime të ndryshme shëndetësore. E përbashkëta është se në të gjitha këto situata, shërbimin seksual e kanë kërkuar burra.
Mënyra e kërkesës më shpesh ka qenë joverbale, përmes aluzioneve ose udhëzimeve të qarta (dy raste), ndërsa në një rast kërkesa është shprehur verbalisht. Dy persona kanë refuzuar të përgjigjen për pasojat e refuzimit, ndërsa një person ka deklaruar se nuk ka pasur pasoja.
Shëndetësia është një nga sektorët ku dallimi mes korrupsionit të përjetuar dhe atij të raportuar është më i theksuar. Por, kjo nuk vjen gjithmonë nga frika e hakmarrjes ose mungesa e besimit në institucione.
Gratë, për shembull, nuk e perceptojnë mjaftueshëm si korrupsion pagesën e paligjshme nga gjinekologët amë për shërbime që u takojnë falas.
Kontrolle nga DAP dhe FSSH në ordinancat gjinekologjike
Këtë lloj pagese për shërbime që mbulohen nga shteti e zbuloi edhe kontrolli i përbashkët i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH) dhe Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP). Autoritetet publikuan rezultatet e kontrollit në fund të vitit të kaluar, pas një numri të madh ankesash nga pacientet.
Drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski, atëherë deklaroi se gjinekologët kishin theksuar se nuk paguanin për kontrollin, por për “gjëra shtesë” si CD-të, raportet dhe të ngjashme.
“Detyrim i institucioneve private shëndetësore është që publikisht të theksojnë se këto gjëra nuk duhet të paguhen, por është krijuar praktikë, sipas ankesave që marrim, që të paguhen nga 500 denarë”, shtoi ai në një konferencë për shtyp.
Një muaj më vonë, shoqata e gjinekologëve dhe obstetërve privatë alarmoi për probleme serioze për shkak të standardeve të papërcaktuara dhe detyrimeve kontraktuale të paqarta.
“Janë të papërcaktuara standardet për numrin e kontrolleve të nevojshme, indikacionet për kontrolle. Ka shumë kontrolle me kërkesë të pacienteve, jashtë standardeve. Ka promovime mediatike se të gjitha kontrollet janë falas, ndërsa kjo paqartësi juridike dhe kontraktuale prej vitesh krijon interpretime të ndryshme dhe e vendos padrejtësisht përgjegjësinë mbi mjekët”, theksuan ata.
Nga shoqata theksojnë se problemi nuk është te kontrollet parandaluese, por te mungesa e një seti të qartë shërbimesh që duhet të mbulohen nga kapitacioni që paguajnë pacientet përmes sigurimit shëndetësor.
Gjetje nga hulumtime të tjera
Një përvojë e tillë pagese për shërbim gjinekologjik është ndarë edhe nga një grua që mori pjesë në grupet e fokusit të hulumtimit mbi korrupsionin në shëndetësi, të realizuar vitin e kaluar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCs).
Sipas këtij hulumtimi, qytetarët mund të bien në varfëri më të thellë nëse detyrohen të shesin pasurinë ose të marrin borxh për të marrë një shërbim shëndetësor që duhet ta marrin pa kosto shtesë.
Madje 40 për qind e pjesëmarrësve në grupet e fokusit deklaruan se kanë dhënë ryshfet ose dhuratë për të marrë një shërbim shëndetësor. Shumat kanë dallonin nga 200 denarë deri në 2.000 euro për një shërbim konkret në shëndetësinë publike.
Në shumicën e rasteve është përmendur pagesa me para, ndërsa në një rast është kërkuar një shërbim.
“Për shembull, burri im theu këmbën. Doktori në Shkup që duhej ta operonte kërkoi që brenda tre orësh të paguajmë 30.000 denarë në një llogari që ta operojnë, përndryshe do ta kthenin në Kumanovë. Pra, ke apo nuk ke, do apo nuk do, duhet t’i japësh, nëse dëshiron të marrësh shërbimin që të duhet”, thotë një grua 46-vjeçare.
Një grua tjetër ndau një përvojë ku familja u detyrua të marrë borxh për të paguar 2.000 euro “në dorë” për operacion.
“Bëhet fjalë për një vajzë të re 19-vjeçare, që operohej nga tumori në vezore për t’i shpëtuar jetën dhe familja ime u detyrua të marrë borxh për të siguruar 2.000 euro, dhe mezi doktori pranoi ta operojë – por vetëm pasi u pagua”, shton gruaja 53-vjeçare.
Korrupsioni në shëndetësinë publike u evidentua edhe në Raportin për vlerësimin e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut për vitin 2023, të përgatitur nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe SELDI.
Sipas këtij raporti, 50 për qind e qytetarëve besojnë se pothuajse të gjithë ose shumica e mjekëve janë të përfshirë në korrupsion. Megjithatë, kjo përqindje është më e ulët krahasuar me profesione të tjera – për shembull 83 për qind besojnë se gjyqtarët janë të korruptuar, ndërsa 82 për qind kanë të njëjtin mendim për deputetët.
Aliu: Korrupsioni si disfatë i etikës mjekësore
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, është i vetëdijshëm për mungesën e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Megjithatë, sipas tij, edhe më shqetësuese është mungesa e besimit në “moralin shoqëror”.
Në një kolumnë të publikuar në Inbox7, Aliu thekson se “çdo abuzim nuk e poshtëron vetëm pacientin, por komprometon edhe mjekun e ndershëm dhe punonjësin e përkushtuar shëndetësor, si dhe reputacionin e përgjithshëm të profesionit, të ndërtuar ndër dekada”.
Ai shton se përgjigjja duhet të jetë e dyfishtë, pasi edhe vetë qytetarët presin sanksione më të ashpra dhe transparencë më të madhe.
Në fillim të mandatit, Aliu promovoi edhe mjetin “Raporto parregullsi”, i cili është i disponueshëm në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë. Raportimi është anonim dhe qytetarët mund të bashkëngjitin fotografi dhe dokumente si dëshmi. Deri më tani nuk janë publikuar të dhëna se sa raportime për korrupsion ka në institucionet shëndetësore./REL
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

