Lajme nga vendi
KODRA E DIELLIT: 74 CM BORË – ZGJATET SEZONI I SKIJIMIT!
Kodra e Diellit u zgjua këtë mëngjes me një shtresë bore prej 74 centimetrash, duke u bërë kështu zona me mbulimin më të madh të borës në vend.
Temperaturat në këtë qendër turistike kanë rënë në nivelin më të ulët në shtet, duke krijuar një atmosferë të vërtetë dimërore që pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Këto matje vijnë pas reshjeve të shumta që përfshinë rajonin, duke sjellë sasi të konsiderueshme bore të re në zonat malore.
Nga Ski-Qendra në Kodrën e Diellit thonë se nuk është ndërprerë sezoni i skijimit dhe se borë ka patur mjaftueshëm, por e mirëseardhur ka qenë shtresa e re e dëborës.
“Po si që e shihni ka borë të re edhe vazhdojmë me skijim domethënë deri sa të kemi borë ski qendra do të funksionojë. Nesër gjithashtu kemi paraparq edhe skijim nate. Gjithashtu këto dy uikende, këto dy javë kemi pasur zbritje të ski pasave deri më 30 %. Gjithashtu do të vazhdojë edhe këto javët tjera që vijnë zbritja e ski pasave‘’
Duke u bërë thirrje të gjithë skiatorëve që të vijnë ta shijojnë Kodrën e Diellit, Drejtori Aliji, thotë se ski-liftet janë gati për të pritur edhe fluks të madh vizitorësh.
‘’ Të gjithë ski ashensorët janë në full kapacitet, varësisht ndonjëherë edhe ajo varion prej sa turistë kemi, prej numrit të turistëve, normal do t`i lëshojmë të gjitha ski ashensorët. Mirëpo brenda javës është më dobët, tash presim uikendin si do jetë’’
Vazhdimi I sezonit të skijimit po mirëpritet edhe nga hotelierët në Kodrën e Diellit.
’’ Ne ende jemi në sezon , kemi vazhdimisht mysafirë edhe pse normal ka filluar të zvogëlohet numri. Kjo dëbora e re që ka ra natyrisht se na sjell mysafirë të ri. Ka kërkesa të reja të cilët duan të vijnë të skijojnë pasi që e dinë se ka borë të re. Ndërsa sa i përket mysafirëve ato si duket janë lodhë dhe presim pranverën’’
Takuam edhe disa turistë. Ky turist nga Bjellorusia shprehet I kënaqur dhe mahnitur nga bukuritë e Kodrës së Diellit.
‘’Super është fundi i sezonit ka mjaft bore, koha është shumë e mirë. Kam qenë në Bansko pothuajse tre muaj, por këtu është shkëlqyeshëm’’
Edhe të tjerët ndajnë mendimin e njëjtë.
‘’Sot kushte janë të shkëlqyeshme. Shumë të mira, që do thotë se nuk ka shumë vizitorë pasi është e premte. Ndoshta nesër do ketë më tepër. Mendoj se është shkëlqyeshëm’’
‘’Tani janë kushtet më të mira. Ka më tepër se 20 centimetra më tepër borë. Shkëlqyeshëm, momentalisht kënaqemi’’
Sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit vazhdon me intensitet të plotë, bëjnë të ditur nga qendra e skijimit, duke theksuar se kushtet për skijim janë të shkëlqyera.
Pistat janë të përgatitura mirë, ndërsa teleferikët funksionojnë rregullisht, duke u mundësuar vizitorëve një përvojë të sigurt dhe cilësore në sportet dimërore.
Qendra është e hapur çdo ditë dhe ofron kushte ideale si për rekreacion, ashtu edhe për skiatorë më me përvojë.
Nga drejtoria e qendrës u bëhet thirrje të gjithë dashamirëve të dimrit që ta vizitojnë Kodrën e Diellit dhe ta shijojnë atmosferën e mbuluar me borë dhe bukuritë natyrore që ofron kjo destinacion malor.
“Të gjithë vizitorët që duan të përjetojnë shpirtin e vërtetë të dimrit janë të mirëpritur”, është mesazhi që vjen nga Ski-Qendra “Kodra e Diellit”
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

