Connect with us

Lajme nga vendi

Rreth 25 mijë nxënës pritet të regjistrohen në shkolla të mesme

Published

on

Sot është hapur konkursi për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska tha se edhe këtë vit, stimulojnë shkollimin profesional, me qëllim që të mbushen zbrazëtirat në tregun e punës.

“Këtë vit kemi rreth 25,000 nxënës, që duhet të hyjnë në shkollimin e mesëm. Nga këto, është paraparë që rreth 17,000 të jenë në shkollat e mesme profesionale, shkollimi dual gjithashtu do të jetë në fokus. Deri tani kemi nënshkruar marrëveshje me mbi 800 kompani dhe vazhdojmë ta stimulojmë shkollimin e mesëm profesional, që t’i mbushim zbrazëtirat e tregut të punës, ose atë për të cilën kanë nevojë kompanitë që të përmirësohet prodhimi”, tha Jenavksa.

Lajme nga vendi

Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 05 Gusht

Published

on

Sot, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 60-vjeçar nga fshati Bogovinë, rrethina e Tetovës, për shkak të ekzistimit të dyshimit se më 05.08.2026 rreth orës 23:00 ka gjuajtur me armë zjarri në një aheng familjar, me ç’rast një nga plumbat ka dëmtuar çatinë e shtëpisë së një 66-vjeçari nga fshati Siniçan, rrethina e Tetovës. Pas marrjes së urdhrit gjyqësor, është kryer kontroll në shtëpi me ç’rast në oborr janë gjetur tri gëzhoja të kalibrit 9 mm dhe dy gëzhoja nga pistoleta me gaz. Në lidhje me rastin, është kryer kontroll edhe në shtëpinë e një 50-vjeçari në fshatin Bogovinë, ku në oborr janë gjetur gëzhoja nga pistoleta me gaz. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.

……Dje në orën 08:25, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 32-vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas denoncimit të mëparshëm se gjatë javës së kaluar në shtëpinë familjare vazhdimisht i ka kërcënuar prindërit me një mjet të mprehtë, ndërsa më 03.08.2026, pasi nuk i kanë dhënë para, ka thyer një pjesë të mobilieve dhe ka tentuar të sulmojë me mjet të mprehtë babanë e tij 61-vjeçar. 32-vjeçari është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.

…….Dje në orën 12:00, në SPB Tetovë, nga EVN Maqedoni është denoncuar se në një shtyllë ku kanë qenë të vendosur me matës elektrik në pronësi të një banori, e përdorur nga një 52-vjeçar nga fshati Reçicë e Vogël, është konstatuar lidhje ilegale, gjegjësisht ura lidhëse para matësit me kabllo bakri, dhe energjia elektrike e marrë ilegalisht është përdorur për furnizimin e një objekti hotelerie dhe një kati të shtëpisë. Personat e autorizuar nga EVN kanë larguar lidhjen ilegale, ndërsa ekipi i këqyrjes nga SPB Tetovë, në bashkëpunim me ekip nga EVN Maqedoni, ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.

……Dje në orën 16:15, në DPB Gostivar, një 52-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 13:00 në vendin e saj të punës në një objekt hotelerie është sulmuar fizikisht nga dy persona të gjinisë femërore, të cilat kanë drejtuar kërcënime ndaj punonjësve të tjerë dhe kanë thyer një pjesë të inventarit. Po merren masa për zbardhjen e rastit.

……Dje në orën 17:15, në DPB Gostivar është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një banesë në rrugën “18 Nëntori” në Gostivar, pronë e një 36-vjeçari. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit Gostivar e ka fikur zjarrin, ndërsa për shkak të thithjes së tymit, për kontroll në Qendrën Urgjente Gostivar janë paraqitur një qytetar nga Gostivari dhe dy zyrtarë policorë nga DPB Gostivar, të cilët kanë ndihmuar gjatë ndërhyrjes. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi nga DPB Gostivar.

Advertisement

……Dje në orën 22:00, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 35-vjeçar nga rrethina e Tetovës. Paraprakisht, ish-bashkëshortja e tij 31-vjeçare ka denoncuar se përkundër Vendimit të Gjykatës Themelore Tetovë me të cilin i është caktuar masa e përkohshme mbrojtëse nga dhuna në familje dhe ndalimi i shqetësimit, ai në disa raste e ka kërcënuar përmes telefonit, ndërsa më 04.08. dhe 05.08.2026 e ka shqetësuar në vendin e saj të punës. Ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme dhe ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.

……Dje në orën 18:35, në rrugën rajonale Tetovë – fshati Bërvenicë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 32-vjeçar nga fshati Reçicë e Vogël. Ai është kapur duke drejtuar një moped “Hamachi” pa targa regjistrimi dhe pa leje drejtimi, gjegjësishtë pa patentë shoferi. Mopedi i është konfiskuar, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.

……Dje në orën 20:50, në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 35-vjeçar nga Tetova, i cili drejtonte një moped me targa regjistrimi të Tetovës pa leje drejtimi. Mopedi është konfiskuar, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.

…….Dje në SPB Tetovë, një grua 42-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 15:20 është sulmuar fizikisht nga nusja e vllaut të saj. Po merren masa për zbardhjen e rastit.

…….Dje në orën 20:10, në SPB Tetovë, një 37-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 17:45 në rrugën “Jordan Zllatanovski”, djali i tij 13-vjeçar është sulmuar fizikisht nga disa të mitur. Po merren masa për zbardhjen e rastit.

Advertisement

……Më 06.08.2026 në orën 01:30, në rrugën “107” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin S.J. (20) nga Tetova, pasi gjatë kontrollit tek ai është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.

…….Pas mesnate  në orën 01:35, në rrugën rajonale Gostivar – fshati Çegran, në fshatin Çajlë, zyrtarët policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 19-vjeçar nga fshati Forinë, rrethina e Gostivarit. Paraprakisht, ai me moped me targa regjistrimi të Gostivarit ka qenë i përfshirë në një aksident komunikacioni, ndërsa gjatë kryerjes së këqyrjes është konstatuar se e ka drejtuar mopedin pa leje drejtimi. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.

…….Dje në orën 22:15, në rrugën “Zhivko Brajkovski” në Gostivar, zyrtarët policorë kanë arrestuar një 18-vjeçar nga fshati Bogovinë dhe një 18-vjeçar tjetër nga Gostivari, sepse kanë prishur rendin dhe qetësinë publike me një përleshje fizike mes tyre. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyve do të ngrihen parashtresat përkatëse.

Continue Reading

Lajme nga vendi

10 vite nga përmbytjet katastrofike në Shkup që morën 22 jetë njerëzish

Published

on

Sot mbushen dhjetë vjet nga një prej tragjedive natyrore më të mëdha në historinë e re të Maqedonisë. Më 6 gusht 2016, një mot i fuqishëm i shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm, vetëtima dhe erë të fortë goditi fillimisht rajonin e Pollogut, e më pas edhe rajonin e Shkupit, duke lënë pas vetes shkatërrim dhe 22 viktima.

Në Shkup, brenda vetëm 24 orëve ranë 93 litra shi për metër katror, ndërsa në dy orët e para u regjistruan mbi 800 vetëtima. Më të goditura ishin pjesët verilindore të kryeqytetit – Stajkovci, Singeliq, Smilkovci, Çreshevo dhe Haraçinë, ku ujërat e vërshimeve shkaktuan dëme të mëdha materiale dhe morën jetë njerëzish. Mes viktimave ishte edhe një fëmijë dyvjeçar.

Pasojat e katastrofës ishin të mëdha. Në klinikat e Shkupit u trajtuan 22 persona të lënduar, mbi 1.000 banorë u evakuuan, ndërsa shumë familje mbetën pa shtëpitë e tyre. Përmbytjet shkaktuan dëmtime serioze në infrastrukturën rrugore dhe komunale, si dhe në një numër të madh pronash private.

Në ditët pas tragjedisë, qytetarët u organizuan përmes rrjeteve sociale dhe hapën pika për mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare për familjet e goditura. Qeveria shpalli gjendje krize në rajonin e Shkupit dhe Tetovës për 15 ditë, ndërsa 8 gushti u shpall Ditë Zie.

Edhe dhjetë vjet më vonë, 6 gushti mbetet i ngulitur në kujtesën kolektive si dita kur moti i fuqishëm, brenda pak orësh, ndryshoi jetën e mijëra qytetarëve dhe la gjurmë të thellë në historinë e Shkupit dhe Maqedonisë. përcjell Zhurnal.mk .

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

Digjet një banesë në Gostivar, tre persona të lënduar

Published

on

SPB Tetovë njofton se ka shpërthyer zjarr në një banesë në Gostivar, ndërsa tre persona, mes tyre dy policë, përfundojnë në urgjencë.

“Më 05.08.2026 në orën 17:15, në DPB Gostivar është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një banesë në rrugën “18 Nëntori” në Gostivar, pronë e G.S. (36).

Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit Gostivar e ka fikur zjarrin, ndërsa për shkak të thithjes së tymit, për kontroll në Qendrën Urgjente Gostivar janë paraqitur H.Xh. nga Gostivari dhe dy zyrtarë policorë nga DPB Gostivar, të cilët kanë ndihmuar gjatë ndërhyrjes.

Kontroll në vendin e ngjarjes e ka kryer ekipi nga DPB Gostivar”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.

Continue Reading

Më të lexuarat