Lajme nga vendi
GOSTIVAR – 109 FAMILJE PA SIGURIM SHËNDETËSORË SHKAKU I NJË BORXHI DEKADËSH
Një borxh i para vitit 2013 ka bërë që të punësuarit e ndërmarrjes komunale të Gostivarit të mos kenë sigurim shëndetësor. Edhe pse pas vitit 2013, 109 të punësuarve të kësaj ndërmarrje rregullisht u është paguar sigurimi shëndetësor dhe pensional ata nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë të njëjtën shkaku të borxhit. Drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski sot nga Gostivar tha se më së voni janë tjetër kjo çështje do të rregullohet këta të punësuar do të kenë sigurim shëndetësor.
“ Ndërmarrja komunale ka borxh para vitit 2013, borxh edhe para vitit 2009 ku edhe ky borxh ka mbetur i pa zgjidhur, shkak këto që 109 të punësuarit në këtë ndërmarrje janë pa sigurim shëndetësor. Tani paguhet sigurimi, kjo është një ndër paradokset pasi që nga viti 2013 rregullisht paguhet. Rreth 40 milion denarë ndërmarrja publike ka paguar sigurim shëndetësor dhe njëkohësisht nuk kanë sigurim shëndetësor pasi që askush nuk është angazhuar që t’i zgjidhë gjithë këta procedura administrative burokratike dhe labirinthe.”
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se kjo është një padrejtësi që u është bërë punëtorëve të ndërrmarjes komunale për vite me rradhë, ku përveç tyre dhe familjet e 109 të punësuarve kanë qenë pa sigurim shëndetësorë. Aliu premtoi se zgjidhja do të jetë e shpjetë dhe efikase.
“ Po ta shihni nga këndvështrimi të punësuarve definiivisht është bërë pa drejtësi pasi që ata punojnë janë paguar dhe nuk ka pasur sigurim shëndetësor , po ta shihni në aspektin administrativ dhe institucional fondi s’ka çka bën se ato kanë borxhe aty dhe nuk mund të aktivizohet , pakti shëndetësor për të punësuarit pasi që ligji thotë kështu dhe nuk mund ta anashkaloni ligjin, idja është që është dashur të ulen më herët me institucionet shëndetësore me institucionet në Gostivar dhe të zgjidhet ky problem.”
Rasti i të punësuarve në ndërmarrjen komunale të Gostivarit nxjerr në pah pasojat serioze që mund të shkaktojnë zvarritjet administrative dhe moszgjidhja e borxheve të vjetra institucionale. Edhe pse kontributet janë paguar me vite, mungesa e koordinimit dhe procedurat burokratike kanë lënë dhjetëra familje pa një të drejtë themelore si sigurimi shëndetësor. Premtimet e autoriteteve për zgjidhje të shpejtë japin shpresë se kjo padrejtësi do të marrë fund, ndërsa mbetet që institucionet përkatëse të veprojnë me efikasitet për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

