Lajme nga vendi
SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 09 Prill Tetovë dhe Gostivar
Më 10.04.2026, në ora 00:50, në rrugën “113” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin I.H. (48) nga Tetova, pasi gjatë kontrollit tek ai është gjetur dhe konfiskuar një lëndë pluhur me ngjyrë kafe. Ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresë përkatëse.
……Më 10.04.2026, në ora 02:10, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin F.F. (29) nga Tetova, pasi tek ai është gjetur marihuanë. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..Më 10.04.2026, në ora 00:05, zyrtarë policorë nga Njësia Policore e Grupçinit kanë privuar nga liria personin R.A. (46) nga një fshat i Tetovës, duke vepruar sipas një denoncimi paraprak se ai kishte kërcënuar babanë e tij. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të vijojë denoncimi përkatës.
…….Më 09.04.2026, në ora 22:10, në rrugën “Shtipi” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria personin E.B.N. (19) nga fshati Reçicë e Madhe. Ai drejtonte automjetin e pasagjerëve “Seat” pa targa regjistrimi, pa dokumentacion përkatës për mjetin dhe pa patentë shoferi, pas së cilës automjeti është konfiskuar.
Gjithashtu, më 09.04.2026, në ora 17:33, në rrugën Tetovë – fshati Pirok, afër fshatit Pallçisht, është privuar nga liria J.B. (25) nga fshati Pirok, i cili drejtonte automjetin “Volkswagen Polo” me targa të Tetovës pa patentë shoferi. Ata janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rasteve ndaj tyre do të vijojnë denoncimet përkatëse.
…….Më 09.04.2026, në ora 20:10, në SPB Tetovë, G.D. nga fshati Leshkë ka denoncuar se në vikend shtëpitë e tij në ndërtim e sipër ka vërejtur një person duke vjedhur shtylla hekuri. Menjëherë pas denoncimit, zyrtarët policorë nga Njësia Policore e Tearcës kanë marrë masa dhe në ora 21:15 kanë privuar nga liria personin R.A. (38) nga Tetova. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresë përkatës.
……..Më 09.04.2026, në ora 13:45, në Stacionin Policor Gostivar, S.D. (33) nga Gostivari ka denoncuar se më 08.04.2026 rreth orës 21:40, në një fushë sportive në Gostivar, pas një zënke verbale paraprake, ka ndodhur një përleshje fizike mes djalit të saj të mitur dhe djalit të mitur të personit L.I., pas së cilës ky i fundit me automjetin “Porsche” e ka ndjekur djalin e saj dhe me përdorim të forcës e ka futur në mjet, duke i drejtuar kërcënime. Siç është denoncuar, pas një kohe të shkurtër e ka dërguar deri te shtëpia e tij ku kanë vazhduar fyerjet verbale mes prindërve. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……Më 09.04.2026, në ora 19:45, në SPB Tetovë, personi Gj.B. (42) nga fshati Poroj i Tetovës, ka denoncuar se personi A.E. i ka dërguar kërcënime përmes telefonit atij dhe vëllezërve të tij. Paraprakisht, në ora 18:30, Gj.B. ka denoncuar gjithashtu se në një plac në fshatin Poroj, me përdorim të mjeteve të forta dhe të mprehta, janë dëmtuar dy automjete “Renault Megane” dhe një automjet “Mercedes”, me ç’rast janë thyer xhamat dhe janë dëmtuar gomat. Ekipi i SPB Tetovë ka kryer inspektim dhe po merren masa për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e ngjarjes.
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

